Vaksinimi i të moshuarve dhe personelit kujdestar në shtëpitë e kujdesit shtetëror vijoi sot në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ndoqi nisjen e vaksinimit në këtë institucion, ku sakrifica dhe përkujdesja e stafit gjatë kësaj periudhe të vështirë është shpërblyer me shëndetin e mirë që gëzojnë të moshuarit, mes të cilëve nuk ka patur asnjë humbje jete për shkak të COVID-19.
“Kemi filluar dje nga Shkodra dhe tashmë, në të gjithë Shqipërinë, vaksinimin e të moshuarve në shtëpitë e përkujdesit ndaj të moshuarve, qofshin ato publike dhe jopublike. Sot jemi në Tiranë, ku kemi filluar vaksinimin”, – shprehet Ministrja E Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. – Nuk janë vetëm të moshuarit, por edhe stafi në shtëpitë e të moshuarve dhe qendrave rezidenciale, të cilët do të vaksinohen”.
Ministrja Manastirliu shpjegon se vaksinimi po zhvillohet sipas të gjitha procedurave, duke nisur me anamnezën për të gjithë të moshuarit. “Në total, në të gjithë shtëpitë e përkujdesit për të moshuarit janë 700 të moshuar, pjesa tjetër janë staf. Janë rreth 1 mijë përfitues që do të vaksinohen dhe pastaj do të vijojmë me grupin + 80, me ardhjen e sasive të tjera nga java tjetër.”
Vaksina është mirëpritur nga të moshuarit, të cilët shprehen falënderues për kujdesin treguar për moshën e tretë. Ndërkohë, Kryeministri Rama i drejtohet me një falënderim të posaçëm personelit kujdestar, të cilët kanë sakrifikuar duke siguruar një karantinim total të të moshuarve dhe duke shmangur humbjet e jetës për shkak të virusit. “Falënderojmë me gjithë zemër gjithë stafet e shtëpisë së të moshuarve, sepse kanë ndenjur mbyllur bashke me ju. Ju kanë ruajtur ju dhe fatmirësisht nuk kemi patur tragjedi në shtëpitë e të moshuarve, siç kanë ndodhur në Europë, sepse kanë sakrifikuar në mënyrë të jashtëzakonshme të gjitha stafet që janë mbyllur brenda, bashke me ju. Këtu ka qenë karantinë totale dhe i është mbyllur dera virusit”, – shprehet Kryeministri, ndërsa thekson se tani, me vaksinën, edhe personeli do të shkojë në shtëpi dhe të moshuarit do të jeni më të mbrojtur.