Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Pediatria e re përmbyll transformimin rrënjësor të Spitalit Rajonal të Elbasanit. Ka filluar rikonstruksioni i godinës ekzistuese të Pediatrisë, në të cilin nuk ishte investuar që para viteve ’90-të. Investimi që parashikohet të përfundojë në 18 muaj do ta shndërrojë në një spital bashkohor që do të ofrojë shërbime të standardeve europiane. Në kantierin e fundit të Spitalit Rajonal të Elbasanit ishte Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Mjekët e spitalit shprehen se infrastruktura e degraduar, ku mungonte edhe një post oksigjeni në spital, e bënte të vështirë ofrimin e shërbimit cilësor.

“Në Pediatri nuk është investuar prej shumë e shumë vitesh, që para viteve ’90-të. Me këtë investim përmbyllet qendra spitalore e Elbasanit. Do të bëhet një investim radikal, qoftë sa i përket sistemit të ngrohje-ftohjes dhe sistemit kapot. Janë 75 shtretër, 60 prej të cilëve do të kenë linjën e oksigjenit. Do të jetë spital i standardeve bashkohore”, – shpjegon investimin ministrja Manastirliu.

“Sa herë flasin për shëndetësinë, më shkon mendja sikur të vinte COVID-i me këto spitale, ose të na kishte gjetur me spitalet tona në këtë situatë, atëherë do të shihnim se çfarë hataje e jashtëzakonshme do të ishte në të katër anët’, – shprehet Kryeministri Rama.

Ministrja Manastirliu informon se në Spitalin Rajonal të Elbasanit është gati edhe pavioni COVID. Sot, në këtë spital nisi edhe procesi i vaksinimit i personelit shëndetësor, I cili do të shtrihet edhe në të gjithë Qarkun.

“Fillojmë vaksinimin e personelin shëndetësor dhe pastaj vijojmë edhe me personelin e gjithë Qarkut përsa i përket spitaleve bashkiake. Nga java tjetër fillojmë vaksinimin sipas protokolleve e prioriteteve edhe të mjekëve të familjes”, – tha ministrja Manastirliu.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.