Biznesi i vogël po merr frymë lirisht, ndonëse në një periudhë të vështirë pandemie, falë masave lehtësuese, zerimit të Tatim Fitimit dhe TVSH-së. Këtë e dëshmojnë edhe shumë biznese të vogla në Berat, përfituese të mbështetjes së qeverisë, të cilët synojnë që vera e këtij viti t’u sjellë më shumë vizitorë dhe turistë.
Në disa prej këtyre bizneseve në qytetin e Beratit ishte sot Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri për Turizmin dhe Mjedisin, Blendi Klosi dhe kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo.
“Pandemia bëri të vetën, por sërish jemi mirë. Mbahemi. Personelin e kemi të gjithë në punë, nuk kemi larguar asnjeri”, – shprehet drejtuesi i një biznesi të vogël ëmbëlsirash, i cili pohon se ndihma e qeverisë nuk u ka munguar edhe gjatë muajve të vështirë të izolimit.
“Do të mbaheni me çdo kusht, edhe ne ju kemi dhënë mbështetjen që të mbaheni, – shprehet gjatë bisedës me të Kryeministri Rama. – Nuk keni Tatim-fitimi, nuk keni TVSH, të gjitha në familje dhe të mbahemi bashkërisht. Shpresoj që së shpejti të kemi lajme të mira për rritjen e dozave të vaksinave, të shtojmë vaksinimin dhe të bëjmë çmos që në sezonin e verës, një pjesë e madhe e Shqipërisë të jetë e çliruar nga ankthi i infektimit. Durim dhe kurajë”, – vijon më tej ai.
Kryetari i Bashkisë së Beratit Ervin Demo thotë se inkurajimi i biznesit të vogël përmes masave lehtësuese ka patur efekte shumë positive dhe se duke parë ecurinë e fushatës së vaksinimit, pritet që 6 mujori i dytë i vitit të ketë një rritje të turizmit, që për Beratin është shumë i rëndësishëm.
Ndalesa e radhës është një pikë shitjesh të pajisjeve elektroshtëpiake. “Jemi shumë të kënaqur me të gjithë këto lehtësi”, – shprehet tregtari, duke shtuar se lehtësitë erdhën në momentin e duhur.
Ndërsa në një prej bizneseve të vogla, më të njohura në qytet për prodhimin dhe tregtimin e bukës, sipërmarrësi tregon se falë masave lehtësuese u bë e mundur që të mos ketë asnjë shkurtim të stafit punonjës. “Jemi shumë të kënaqur nga masat e qeverisë, sidomos nga heqja e TVSH-së. Pa dalë masa për heqjen e TVSH-së, ne ishim drejt largimit nga puna të tre-katër punonjësve, pasi nuk i mbulonim dot. Heqje e TVSH-së na ndihmoi dhe na krijoi mundësinë për t’i rikthyer përsëri në punë”, – shprehet ai.
“Taksa zero, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar zero. Plani ynë është që deri në 2029 të mbajmë këtë sistem”, – thotë Kryeministri Rama, – ndërsa thekson se “sfida jonë është të rrisim tempin e vaksinimit. Brenda gjysmës së marsit, të gjithë mjekë dhe inferemierë të jenë të vaksinuar. Ndërkohë duhet të fillojmë vaksinimin intensiv, të gjitha moshat pak më të thyera dhe njëkohësisht, për mësuesit dhe punonjësit e policië, në mënyrë që me ndihmën e Zotit, sezoni turistik të ketë lehtësim për një pjesë më të madhe dhe të marrim frymë më lirisht.”