Vaksinimi i bluzave të bardha vijon në gjithë vendin. Berati është qyteti i radhës ku procesi i vaksinimit po shkon sipas planifikimit. Ndërkohë, parashikimi është që brenda marsit, të gjithë mjekët dhe infermierët e Shqipërisë të jenë të vaksinuar.
Në qendrën e vaksinimit në Berat ishte sot prezent Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, për të parë nga afër edhe në këtë qytet procesin e vaksinimit. “sot kemi filluar me 150 vaksinimet e para për bluzat e bardha dhe personelin shëndetësor. Bashkë me vaksinat që do kryejmë sot, arrijmë në 10 mijë vaksinime dhe zgjerohemi me vaksinimin e personelit mjekësor, të cilin tashmë e kemi shtrirë dhe tek mjekët dhe infermierët në kujdesin parësor. Po përfundojmë spitalet dhe brenda 15 marsit përfundojmë angazhimin tonë për vaksinimin e gjithë personelit mjekësor dhe vijojmë shtrirjen tek moshat e treta e kështu me radhë”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Tashmë, mjekët dhe infermierët e vaksinuar do ta vijojnë detyrën e tyre më të qetë e më të mbrojtur në luftën kundër pandemisë që ka shkaktuar virusi COVID-19. “Shpresoj shumë që në ditët në vijim të kemi lajme të mira për rritjen e sasive dhe për shtrirjen intensive të vaksinimit, Ndërkohë duhet të përgatitemi sidoqoftë për të pasur një rrjet kapilar, jo vetëm me qendra shëndetësore, por të përfshimë edhe ushtrinë, edhe studentë të infermierisë në mënyrë që gjithë këtë periudhë të pranverës ta kthejmë në një periudhë vaksinimi intensiv e t’ia dalim që të kemi një pozicion shumë lart në klasifikimin e vendeve për nga eficiensa e bërjes së vaksinës”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Në gjithë vendin janë 1100 vaksinatorë dhe nidhmësvaksinatorë që po realizojnë procesin e vaksinimit. “Sipas planit, do të kemi edhe 500 infermierë, studentë nga infermieria, infermierë të portalit dhe gjithashtu infermierë që janë në Forcat e Armatosura, që do të trajnohen në Arenën Kombëtare, në funksion të gjithë planit tonë të vaksinimit”, – theksoi ministrja e Shëndetësisë.