Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç po vijon në qytetin e Durrësit, me çeljen e qendrës së vaksinimit të përqendruar në mjediset e Pallatit të Sportit, ku janë vënë në dispozicion 10 poste vaksinimi. Procesi po kryhet sipas të gjithë protokollit të parashikuar dhe të moshuarit shprehen të kënaqur që nga sot e tutje ndihen më të sigurt për shëndetin e tyre.

Për të ndjekur ecurinë e vaksinimit ishte sot në Durrës, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila shpjegoi se krahas vaksinimit të të moshuarve është drejt përfundimit edhe vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve. “Sot kemi hapur qendrën e vaksinimit të përqendruar në Durrës. Kemi filluar me të moshuarit e grupmoshës + 80. Fashat janë përcaktuar nga mjeku i familjes, i cili përcakton se cili nga të moshuarit do të vaksinohet i pari, sigurisht duke u nisur nga ditëlindjet. Deri tani kemi kryer mbi 14 mijë vaksinime. Janë 10 poste vaksinimi për të vijuar sa më shpejt me vaksinimin. Po vijojmë me vaksinimet në të gjitha qendrat dhe po përfundojmë me stafin mjeksor. Durrësi e ka përfunduar. Me ardhjen e vaksinës së AstraZeneca do të vijojmë me mësuesit dhe do të bëjmë një vaksinim siç e kemi menduar në shkolla. Ndaj jemi duke përzgjedhur dhe infermierët, të cilët fillojnë trajnimin brenda kësaj jave. Ndërsa brenda 15 marsit mbarojmë vaksinimin e mjekëve dhe inferemierëve, sepse ka dhe mjekë dhe infermierë, të cilët jemi duke i vlerësuar sepse e kanë kaluar dhe mund ta bëjnë në një fazë të dytë. Është  një vlerësim dinamik me të gjitha listat emërore të mjekëve dhe infermierëve, por në tërësi janë më shumë se 11 mijë mjekë dhe infermierë që e kanë kryer deri tani vaksinimin.” – u shpreh Ministrja Manastirliu.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.