Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca e Kryeministrit Edi Rama nga cikli “Ekonomia në fokus”, kushtuar revolucionit digjital:

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëse keni riardhur në këtë forum të përjavshëm, i cili është dhe i fundit i këtij mandati. Për ta mbyllur këtë cikël, kemi lënë një nga aspektet më të rëndësishëm të transformimit të ndodhur në këto vite, që është revolucioni digjital, përmes të cilit, hap pas hapi, po ndodh një proces transformimi rrënjësor i marrëdhënieve të shtetit me qytetarët, po hidhen bazat e një sistemi të sigurt antikorrupsion në shërbimet për qytetarët. E po ashtu po sigurohet perspektiva e afërt e kalimit të Shqipërisë realisht në një nivel tjetër përsa i përket funksionimit të brendshëm të shtetit dhe funksionimit të arsyes më të rëndësishme të ekzistencës së shtetit, marrëdhënies transparente, efikase e të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Më lejoni që t’ju kujtoj, duke u kthyer pak mbrapa, se dy goditjet e rënda që kemi marrë njëra pas tjetrës, tërmeti e pastaj pandemia, nuk do të ishin përballuar dot, ashtu siç u përballuan, nëse ne nuk do të ishim në fazën e këtij revolucioni, kur këto dy ngjarje të mëdha e gjetën Shqipërinë. Parafyroni vetëm për një çast se çfarë do të mund të bënim nëse në momentin kur duhet të garantonim mbylljen e përgjithshme të një viti më parë, nuk do të kishim mundësi t’u shërbenim të gjithë qytetarëve në nevojë, për të dalë nga shtëpia.

Parafytyroni sikur kjo ngjarje shumë e rëndë, fatkeqësi shumë e madhe, të na kishte gjetur në kohën kur ky shtet kishte vetëm 1% të shërbimeve online dhe vetëm 50 mijë përdorues të këtyre shërbimeve. Ndërkohë sot, nga 14 shërbime që ishin kur ne e nisëm këtë revolucion, kemi 1207 shërbime.

Nga 50 mijë përdorues kemi 1,87 milionë përdorues.

Nga 51 mijë aplikime për shërbime online në vitin 2013, në vitin 2021 kemi 7,7milionë.

Nëse në vitin 2013 kishte vetëm 6 regjistra elektronikë, me total 680 mijë transaksione, sot ka 55 database që shkëmbejnë informacion në kohë reale me 145 milionë transaksione, pra, me një numër transaksionesh, ndërveprimesh online të rritur 211 herë.

Nga ana tjetër, kemi bërë një llogari dhe pa ketë revolucion, deri në këtë fazë ku ka ardhur, qytetarët shqiptare do të kishin konsumuar 472 vjet pritje nëpër radhë, pra, janë shkurtuar 472 vjet kohë pritje nëpër radha, si kohë e harxhuar.

Vetëm gjatë periudhës së pandemisë, janë shërbyer 1,2 milionë subjekte, janë kursyer 293 vite pritje.

Në total, u janë kursyer qytetarëve, përmes shërbimeve online, 4 milionë euro, që do kishin shkuar për ato tarifa minimale për dokumente, në radhë, pa llogaritur kursimet e bakshisheve dhe ryshfeteve që ky sistem i asgjëson komplet, për ato shërbime që ne sot kryejmë.

Sot, Shqipëria ka 95% të shërbimeve online, pra, për 95% të shërbimeve që ofron shteti shqiptar për qytetarët, ata nuk ka nevojë të shkojnë në asnjë zyrë, të takojnë asnjë person, nuk ka nevojë të bëjnë asnjë hap nga vendi ku janë, nëse kanë me vete smartphone e tyre apo do duhet të lëvizin në kompjuterin më të afërt në dhomën tjetër apo tek dikush pranë.

Sot që ne kemi hyrë në një proces shumë të komplikuar përsa i përket nevojës për të garantuar transparencë dhe eficencë, fushatën e vaksinimit dhe ndërkohë që përgatitemi për të disponuar sasi të konsiderueshme vaksinash, që do kërkojnë intensitet të lartë vaksinimi, ne disponojmë falë revolucionit digjital një sistem që garanton plotësisht transparencë dhe eficencë dhe kemi krijuar pasaportën digjitale të vaksinimit. Duke u parapërgatitur edhe për mundësinë që vaksinimi të mund të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit nga të tjerët.

Kini parasysh që revolucioni digjital nuk është një fakt për të cilin flas unë apo flasim ne, por është një fakt për të cilin Shqipëria është vlerësuar shumë lart nga raportet më prestigjioze ndërkombëtare, duke filluar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik që e quan Shqipërinë të vetmin vend në rajon që plotëson listat e shërbimeve elektronike dhe statistikat që lidhen me e-qeverisjen; Departamenti Amerikan i Shtetit, Komisioni Europian, që vlerësojnë progresin e Shqipërisë në axhendën e revolucionit digjital, duke theksuar se kjo ndikon vijimësisht në forcimin e luftës kundër korrupsionit; Kombet e Bashkuara që vitin e shkuar e kanë renditur Shqipërinë në vendin e 31-të nga vendi i 92-të që ishte në Raportin e 2012, duke vlerësuar me performancë të përafërt për shërbimet online me vendet  me të ardhura më të larta; madje RESPA e vlerësoi Shqipërinë me një çmim për qeverisjen digjitale për zbatimin e praktikave, nismave, shërbimeve online, si dhe masave efektive në përballimin e krizës së Coronavirusit.

Të gjitha këto, për të thënë që ky është një fakt botërisht i mirënjohur.

Përmes transformimit të shërbimeve digjitale, platforma e-Albania është kthyer në një histori suksesi dhe është sot një instrument shumë efikas në duart e të gjithë atyre qytetarëve që e përdorin.

Nga 1 janari i këtij viti, ne kemi nisur dhe zbatimin e ligjit të fiskalizimit. Proces i cili do ndihmojë shumë në reduktimin e ekonomisë informale, në uljen e evazionit fiskal, rritjen e të ardhurave dhe barazinë e subjekteve përpara ligjit dhe në raport me konkurrencën. Do të kemi një sistem që praktikisht do të mundësojë leximin në kohë reale nga një tru elektronik i të gjitha transaksioneve që zhvillohen në të njëjtën sekondë, në të 28mijë kilometrat e Shqipërisë nga një biznes tek një biznes, nga një biznes tek një konsumator e natyrisht, nga një biznes tek shteti. Kështu do të eliminohen përfundimisht, do zhduken nga faqja e dheut praktikat e tmerrshme të inspektimeve fizike lart e poshtë dhe inspektimet do jenë të bazuara në inteligjencën kompjuterike, jo në vullnetin, dëshirën apo arbitraritetin e një grupi tatimorësh, inspektorësh, hetuesish tatimorë.

Ju e dini shumë mirë që beteja për kuponin ka qenë një betejë jashtëzakonisht e pamundur për njëmijë e një arsye, ndërkohë që kalimi në këtë sistem do ta lehtësojë maksimalisht e absolutisht dokumentimin e të gjithë transaksioneve në të gjithë zinxhirin tregtar.

Shëndetësia, sot vazhdon të transformohet në këtë aspekt, pasi janë një sërë procesesh që deri dje bëheshin me radhë të gjata, ndërkohë që sot bëhen të gjitha online, nga regjistrimi pranë mjeku i familjes, tek rekomandimi për konsultë, për kontrollin mjeksor bazë e tek caktimi i takimeve e recetat që ofrohen të gjitha në mënyrë elektronike. Ashtu si për shtresat në nevojë, shumë shërbime jetësore, nga aplikimi për banesë sociale për strehim e për aplikim për ndihmën ekonomike, janë të gjitha online.

Ju e mbani mend, besoj, tmerrin e certifikatave të gjendjes civile. Sot, ne kemi certifikatën në çdo moment që e duam, me vulë elektronike, në kohë reale, nga kompjuteri. Nuk ka nevojë të shkojmë në radhë për certifikatë.

Sot, dëftesat e nxënësve do të ofrohen online me vulë elektronike.

Sot, edhe pse ka akoma shumë për të bërë, shërbimet shtetërore për ata që janë jashtë mundësojnë që 38 shërbime, për të cilat deri dje kërkohej prania fizike në një konsullatë, duke imponuar humbje kohe, harxhime, stres, janë online.

Sot, shtetasit e huaj që duan të vizitojnë Shqipërinë apo të punësohen në Shqipëri kanë vizë online. Gjithë procesi bëhet online.

Pa folur këtu për shumë e shumë procese të tjera, sepse do merrja kohë pafund. Gjobat elektronike për Policinë e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Agjensia e Kadastrës, Open Data, të gjitha kanë shërbime online.

Përfitoj nga rasti ta falenderoj publikisht drejtoreshën e AKKSH-it për vizionin, për lidershipin, për përkushtimin e jashtëzakonshëm, pa orar, së bashku me ekipin e saj të shkëlqyer. Dua vetëm të them që edhe në shërbimet digjitale, edhe në procesin e revolucionit digjital, edhe në krijimin e një shteti digjital në të gjitha shërbimet duhet ende kohë. Jemi ende në një punë që duhet të vazhdojë. Faktikisht duhen edhe disa vite, brenda mandatit të tretë, që ta kryejmë të gjithë ciklin dhe ta kalojmë Shqipërinë komplet në një nivel tjetër në këto marrëdhënie kaq jetike, duke asgjësuar të gjithë atë pjesë të korrupsionit që ka të bëjë me këto marrëdhënie e duke zgjidhur njëherë e mirë një tmerr të madh, shumëvjeçar, në psikologjinë e qytetarëve shqiptarë, që lidhet e administratën. Administratën e pasjellshme, joeficente, ryshfetmarrëse dhe duke e kthyer të gjithë administratën që është në shërbim të qytetarëve, pra, që është e përfshirë në shërbimet publike, thjesht në një makineri mbrapa ekranit, jo mbrapa sportelit dhe duke mundësuar që marrëdhënia e qytetarit me shtetin, për të gjitha ato që qytetari ka nevojë dhe shteti ka detyrë t’ia garantojë, të jetë në xhepin e qytetarit. Jo dora e zyrtarucëve dhe zyrtarëve të korruptuar, por shteti i gjithi të jetë në xhep dhe në çdo moment, me një smartphone, kudo ku je, të mund të kryesh çdo veprim që do. Ky është realiteti konkret i disa vendeve, sot dhe ky do jetë realiteti konkret i Shqipërisë, nesër. Jo nesër pas 30 vitesh, por nesër, brenda 4 viteve të ardhshme.

 

– Zoti Kryeministër, a ndjeni përgjegjësinë kur në Bruksel vendosën ultimatume për listat e kandidatëve që duhet të jenë me integritet dhe për të ndëshkuar krimin zgjedhor? Gjatë takimit të djeshëm në Bruksel, a ka pasur shqetësime nga ana e komisionerit Varhelyi se marrëveshja e Portit të Durrësit në favor të kompaninë Emaar, që po përgatitet nga qeveria, është bërë në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit?

Për drejtoreshën e AKSH-it, u shprehët se keni shmangur radhët. Më parë ne kemi transmetuar pamje në televizionet tona nga pensionistë që presin të marrin pensionet. A është e-Albania një platformë për ta dhe a garanton garancinë maksimale në ruajtjen e të dhënave?

 

Kryeministri Edi Rama: Vetëm faktet nuk janë opinione dhe koncepti i fakteve alternative për të njëjtat fakte është një concept, i cili ka hyrë sëfundmi në shoqërinë njerëzore, si rezultat i lajmeve të rreme dhe i propagandimit përmes lajmeve të rreme. Në Bruksel, unë nuk kam dëgjuar asnjë ultimatum, përkundrazi, kam dëgjuar vlerësime absolutisht pozitive për Shqipërinë, siç i dëgjuan të gjithë ata shqiptarë dhe shqiptare që nuk jetojnë në botën paralele të fakteve alternative. Në referencën që ti bërë, ka një gabim në objekt, sepse ajo është një referencë e shkruar, e stërdiskutuar, e stërkomentuar për një kohë të gjatë. Unë nuk kam dëgjuar asnjë ultimatum dhe nga ana tjetër, më vjen jashtëzakonisht mirë që koha tregoi, – e tregoi shpejt në fakt, – që unë kisha të drejtë për Reformën Zgjedhore dhe që Reforma Zgjedhore ka marrë vlerësim maksimal, bazuar dhe në opinionin e Komisionit të Venecias, i cili ishte një opinion krejt i kundër i botës paralele të fakteve alternative.

Nëse ka pasur në Bruksel diçka që ka kërcitur njësoj siç kërcet një derë e vjetër në sfond, kur luhet një koncert në sallë, ka qenë ndërhyrja e koleges suaj. Një ndërhyrje absolutisht e pavend dhe absolutisht e padobishme, për të mos thënë turpëruese për kategorinë e gazetarëve, për të gjithë ju dhe për të gjithë ne, bazuar në fakte alternative të botës paralele dhe në një kontrast turpëruese për mua që isha aty me kolegen tjetër tuajën nga Maqedonia e Veriut, që në atë vend foli për vendin e vet. Nuk i ra vendit të vet me baltë, të prodhuar në fabrikat e fakteve paralele të botës alternative.

Po kaq thellësisht e pavërtetë sa mungesa e një ultimatumi, është edhe ajo që dëgjova tani për portin e Durrësit. As është folur, as është diskutuar, as është dëgjuar, as është komunikuar, as është prekur. Asnjë fjalë lidhur me këtë temë. Zero. Është vërtetë për të ardhur keq që kjo shpiket këtu në Tiranë, ndërkohë që ai investim është për të gjithë, për ekonominë e të gjithëve dhe për të ardhurat tuaja personale. Të gjithë juve që jeni këtu dhe për të ardhurat personale të të gjithëve, sepse ai është një investim që do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare dhe rritjen e të ardhurave të këtij vendi.

E kam dëgjuar shumë këngën e Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, që kanë investime të huaja dhe kemi paguar disa vite koston e një imazhi skandaloz, të trashëguar, e një tradite skandaloze, të trashëguar dhe kur ne bëhemi gati për të bërë investime të përmasave të mëdha dhe që kanë po atë perspektivë dhe efekt që kanë patur mbi Malin e Zi, mbi qytetarët e Malit të Zi, që kanë rrogat më të larta në rajon e nuk i kanë të tilla sepse i kanë rënë nga qielli, por sepse i kanë ardhur nga investimet e kësaj natyre, këtu prodhohet baltë dhe shpifet paturpësisht për diçka që është drejtpërdrejtë e lidhur me interesin personal, familjar, tuajin dhe atyre që kanë një mikrofon përpara, sepse rritja në ekonomi do të ndikojë tek ekonomia e gjithsecilit prej atyre që flasin. Është habi e madhe. Pa folur pastaj për mungesën totale të përgjegjësisë atdhetare, se kjo mund të jetë një çështje shumë abstrakte për shumëkënd, fatkeqësisht.

Për pyetjen për pensionistët, pensionet nuk jepen online. Patjetër për të marrë pensionin ka radhë, sepse pensionet nuk jepet online. Nuk kemi arritur akoma në fazën që të gjenerojmë para nga telefoni. Do ta arrijmë edhe atë, por nuk e kemi arritur akoma. Ndaj, siç pensionet nuk jepet online, siç infermieret nuk bëjnë gjilpëra online, siç të tjerë në funksione të tjera duhen kontaktuar fizikisht, ka një luftë akoma për të luftuar abuzimet dhe në këtë drejtim. Me online kemi zgjidhur një pjesë të rëndësishme dhe ka ende një pjesë të madhe për të zgjidhur dhe nuk do ketë më mundësi të kërkosh ryshfet për të dhënë një shërbim që përkthehet në një dokument. Ndërkohë që shërbimet që përkthehet në një akt, siç është bërja e një serumi, lidhen me tjetër gjë, me system tjetër, jo me online.

 

-Ditën e djeshme në Bruksel në konferencën për shtyp u përmend dhe vaksina Anticovid. A ka një datë Shqipëria se kur do të nisë vaksinimin në masë?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e di e keni megjithë mend apo është për të bërë një pyetje sepse për këtë temë flasim dhe po flas çdo ditë dhe nuk e di cdomethënë “a ka një datë kur duhet të fillojë vaksinimi masiv”, kur këtu bëhet fjalë për të siguruar një sasi dozash që garantojnë një fushatë masive çdo ditë vaksinimi. Përsa kohë, kjo sasi dozash nuk është në Shqipëri, data që më kërkoni ju mua është muhabet, hedhim fall.

Unë jam shumë besimplotë që ne do të kemi shumë shpejt mundësinë të marrim frymë krejt lirisht dhe të fillojmë një vaksinim intensiv me ambicien që sezonin veror ne ta kemi shumë të lehtësuar nga pesha e zinxhirit të infektimeve, por datë më vjen keq, por ka diçka që nuk shkon në pyetjen tuaj.

 

-Më lejoni të kthehem këto ditë tek integriteti i kandidatëve. Partia juaj kujdeset vetëm që kandidatët tuaj të mos kenë probleme të drejtëpërdrejta me ligjin, apo do të keni kujdes në ndonjë qark që të mos kandidoni dhëndrin e dikujt që është djegur nga kriminalizmi, apo në ndonjë qark, bashkëshorten e dikujt që ka ndonjë problem me të shkuarën e tij?

Kryeministri Edi Rama: Unë kam përshtypjen që kujtesa më funksionon qartë kur them që komunizmi ka vdekur në vitin 1990 në Shqipëri. Po ashtu dhe gjuetia e shtrigave ka mbaruar në vitin 1990 si filozofi shteti, pushteti, shoqëri dhe këto pyetje më duken pa vend, pa kuptim, pa lidhje. Realisht ajo që është për të ardhur shumë keq është që ndërkohë që në Kunvendin e Shqipërisë unë kam parë dhe shoh gra shumë të zonjat me të gjiha atributet për të qenë lartësisht të respektuara, burra krejt në rregull nga çdo pikëpamje që lidhet me këtë temë. Kjo temë është bërë një këngë e padurueshme. Duke kriminalizuar komplet një grup njerëzish dhe këtu nuk flas vetëm për deputetët e Partisë Socaliste, por për të gjithë deputetët edhe të partive të tjera edhe të Partisë Demokratike.

Natyrisht kemi patur problem me disa individë, janë probleme që janë adresuar. Kemi një ligj për adresimin drejtëpërdrejtë të këtij fenomeni dhe natyrisht që është shumë e qartë. Interesi ynë është që t’i japim shqiptarëve mundësinë që të zgjedhin kandidatët dhe kandidatet që janë më të mirët e mundshëm ndër ata që duan të merren drejtëpërdrejtë me politikë dhe aktivizëm politik. Çfarë janë këto pyetje? Është bërë shumë bajate, banale gjithë kjo histori. Unë e kuptoj që miqtë dhe partnerët tanë ta thonë, ta kërkojnë, në funksion të një procesi që vazhdon , por procesi është i garantuar. Dhe nuk duhet të bëhemi mendoj unë, pre e gjithë kësaj baltovine ku zhysim përditë njeri-tjetrin sepse kanë kaluar në plan të dytë të tretë dhe të fundit, ata që realisht janë njerëzit që bëjnë ligjet në Kuvendin e Shqipërisë. Janë njerez të nderuar dhe të respektuar që punojnë realisht.

Kush e bëri reformën në drejtësi? Kriminelët?! Kush i ka bërë të gjitha reformat, kush i ka kaluar në Parlament? Kriminelët?! Cfarë do të thotë kjo? Ëhstë realisht e tepërt. Nuk kam fjalë.

 

-Bazuar në vizitën tuaj zyrtare në Bruksel, cilat ishin rezultatet konkrete që lidhen me investimet ekonomi dhe dixhitalizm të dala nga takimi me Komisionerit Varhelyi dhe në kuadër të planit të investimeve të Komisionit Europian, cilat janë projektet kryesore në fushën e dixhitalizmit që janë prioritet për qeverinë shqiptare?

Kryeministri Edi Rama: Plani i investimeve për Ballkanin Perëndimor është realisht një prej akteve më të rëndësishëm që ka miratuar Komisioni Europian në të gjithë historinë e këtij procesi dhe është një nga angazhimet më domethënëse, në mos më domethënësi për rajonin tonë. Por është dhe një sfidë shumë e madhe për ne, sepse Europa i vë fondet në dispozicion, por nuk i jep nëse nuk ka projekte të mirëkonceptuara, të mirëargumentuara dhe absolutisht të garantuara. Ne jemi në proces. Plani lidhet me konjektivitetin rajonal. Plani lidhet ngushtësisht me vizionin e Shengenit rajonal.

Plani lidhet me aftësinë e shteteve për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe për të harmonizuar kërkesat. Është një operacion shumë i madh, të cilit ne do t’i kushtojmë një vëmendje shumë të madhe dhe një pjesë të rëndësishme të mandatit tonë të tretë. Në aspektin konkret është ende herët për të folur sepse faktikisht është e qartë që ka tre kolona plani ose tre korsi, infrastrukturën, rrugë, hekurudha, porte, energji. Natyrisht, në fokus energjia e pastër, energjia e gjelbër, hidrocentrale, energjia diellore, energjia e erës dhe digjitalizmi patjetër. Ne, në këtë të tretën jemi shumë të interesuar dhe jemi më afër se me të tjerat pasi siç e dëgjuat edhe nga drejtorja e Aksh-it, pasi jo vetëm kemi një vision, por edhe një plan hapa pas hapi për zbatimin e këtij vizioni dhe mundësia për të financuar më fort na ka ardhur në kohën e  duhur dhe ne do ta shfrytëzojmë.

 

-Ju dje thatë se 20 persona janë hetuar për krime zgjedhore. Megjithatë mes emrave të përfshirë në dosjen 184 nuk ëhstë hetuar asnjë deputet, asnjë ish ministër apo ish kryetar bashkie apo kryetar i PS. Sa i besueshëm jeni ju, kur pozicionoheni kundër fenomenit të shitblerjes së votës dhe duke qënë se thatë edhe më herët që faktet nuk janë opinion, atëherë 184 është fakt. Nëse janë të vërteta, atëherë pse jeni tërhequr nga padia që i keni ngritur gazetarit të Bild?

Kryeministri Edi Rama: Jam realisht shumë i interesuar, shumë kurioz ta kuptoj që kur i bëni këto pyetje i mendoni vërtetë apo i recitoni se jua mësojnë pronarët. Jam shumë kurioz, megjithëse e di që nuk kam për ta marrë vesh ndonjëherë tamam, megjithëse e kam një mendim për këtë. Por është realisht e pabesueshme që ju të bëni këtu prokurorin dhe gjykatësin suprem. Ju keni emra dhe ju keni pretendimin që nuk janë hetuar. Po ku e dini ju që nuk janë hetuar, nga e dini ju, si e dini ju që nuk janë hetuar psh. Apo ku e dini ju që emrat që ju përmendi janë të përfshirë në diçka që është kriminale, nga e dini, si e dini, nga muhabete telefonash. Si mund të bëhet kjo lloj prokurorie dhe kjo lloj gjykate në media me kufje në vesh. Është habi e madhe. Ndërkohë që është prokuroria që bën hetimin, prokuroria e shtetit dhe jo e news-eve  dhe është prokuroria ajo që vendos se për kë ngre akuzë, për kë nuk ngre akuzë. Nuk jeni ju. Ju kam thënë dhe një gjë gjithmonë, bëni sondazhe, mos komentoni sondazhet e të tjerëve. Bëni sondazhe, bëni tuajat, shikojini sondazhet se nuk ka shans të përmbyset rezultati i procesit elektoral kombëtar duke blerë. Nuk ka shans. As fabrika e parave të LSI- nuk arrin ta përmbysi  rezultatin kombëtar që është një fabrikë që ka punuar me eficencë të plotë në raste të caktuara. Nuk ka shans!

E përsa i përket besueshmërisë time, natyrisht që unë nuk mund të jem i besueshëm për burime të infektuara informimi. Nuk ka sesi të jem i besueshëm. Sesa i besueshëm apo i pabesueshëm jam unë apo jemi të gjithë ne, fatmirësisht këtë e vendos populli shqiptar. Populli shqiptar në datën 25 do të na japi në dorë testin e besueshmërisë të gjithëve. Nuk ka problem. Nuk pres të bëhem i besueshëm  për pronarët e disave prej jush, skam sesi bëhem dhe nuk përpiqem të bëhem i besueshëm për ta, sepse po të bëhem i besueshëm për ta do të bëhem i pabesueshëm për veten dhe për shumicën e shqiptarëve.

 

-Si e komentoni deklaratën presidentit Ilir  Meta një ditë më parë se nëse Partia Socialiste fiton 71 mandate, ai tërhiqet nga posti i Presidentit dhe merr drejtimin e opozitës. Mendoni se zgjedhjet e 25 prillit do të jenë të pranueshme plotësisht apo do të ketë përsëri ankesa? 

Kryeministri Edi Rama: Në një farë mënyre, Ilir Meta duhet falënderuar sepse ka sqarua plotësisht ekuacionin e referendumit, i cili ishte një ekuacion i paplotë me vetëm njërën anë, që në 25 prill referendumi popullor do të shpërbëjë reformën në drejtësi. Tani, Ilir Meta i fton shqiptarët në një referendum ku duhet të zgjedhin, me drejtësinë apo me Ilir metën shumë e thjeshtë, me reformën në drejtësi deri në fund apo me Ilir Metën. Zgjedhje më të qartë, më të drejtpërdrejte, shqiptarët nuk mund të kenë në 25 prill dhe për këtë Ilir Meta duhet falënderuar. Për sa i përket marrjes së drejtimit të opozitës, kjo besoj është shumë e qartë për ata që shikojnë përtej asaj që duket, mjaftojnë të shikojnë firmosen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin. Plani është shumë i qartë. Pse u firmos marrëveshja dje? Për çfarë? Si mund të firmosin një marrëveshje paraelektorale dy parti që garojnë veç e veç. E keni parë në ndonjë vend të botës? Ka parti që garojnë veç e veç e mund ta lënë këtë gjë si opsion. Po të firmosin marrëveshje noteriale? Pse? Për çfarë? Është shumë e thjeshtë. Është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës për llogari të Saliut dhe të Ilirit e pastaj sigurisht ose për të marrë pushtetin e për të shpërbërë reformën në drejtësi ose për të marrë kokën e Lulit. Ka më thjeshtë se kaq? Dhe është shumë e qartë pse e duan Lulin të lidhur para zgjedhjeve. Është shumë e qartë. Por këtu problemi nuk është Ilir Meta, në fakt në këtë pjesën e dytë. Këtu problemi është Lulzim Basha që nuk ka këllqe, nuk a karakterin e një lideri që të mos fshihet as kur i tregojnë se çfarë do ti bëjnë të nesërmen dhe as kur aleati i tij i madh thotë unë amerikanët i kap për veshësh. Është e qartë. Por nuk mund t’ia kërkojmë sepse nuk është lideri, është thjeshtë menaxheri i një shoqërie aksionere me dy ortakë. Me Ilir Metën, me Sali Berishën dhe me një noter dhe përmbaruese, Monikën. Kështu që besoj jam i qartë. 

 

– Zoti Kryeministër, e përmendët disa herë reformën në drejtësi por sa e besueshme është kjo reformë kur për herë të dytë po tentohet të ndryshohen ligjet që kanë përbërë atë që ishte reforma më kryesore e shtetit shqiptar. Pra maxhoracna ka depozituar në Kuvend disa amendamente për tetë ligje që lidhen pikërisht me këtë refromë. Pse pikërisht në këto momente? Apo mendoni se pas 25 prillit nuk do të keni një opozitë kaq të disponueshme për të dhënë votën e saj për ligjet e maxhorancës? Dhe pyetja tjetër, përmendët dhe pasaportën dixhitale të vaksinimit por nuk dhatë një datë, pasi nuk është e dipsonueshme një datë kur do të nisë masivisht por a po i përshtatet axhendës suaj dhe mbërritja e vaksinave? Një ditë më parë ministria e Shëndetësisë tha se do të shtyheshin për një ditë tjetër, për të nesërmen por me mbërritjen tuaj në Rinas mbërritën dhe vaksinat. Çfarë ndodhi? 

Kryeministri Edi Rama: Ndodhi ajo që ndodh gjithmonë me mua e me ata që flasin anglisht. Ajo ndodhi dhe fatmirësisht në këtë pjesë, jam shumë i kënaqur që nuk jam vetëm se kam dhe dy të tjerë që tanimë e bëjnë pa asnjë gajle të njëjtën gjë, ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe ministren e Shëndetësisë. Ndodhi ajo me gishta në vesh kur i thonë, që ose do vijnë sot, ose do vijnë sot, ka kjo ndodhi. Është shumë e thjeshtë. Unë vërtetë jam lypësi më i gjatë e lypësi  më i madh kur vjen puna për nevojat e njerëzve të këtij vendi por nuk jam një lypës që kthej faqen tjetër kur ha shuplakën e moskorrektesës apo të indiferencës së atyre që marrin përsipër angazhime. Kaq e thjeshtë është dhe jo vetëm ndodhi ajo por si rezultat i asaj, ndodhi dhe tjetra që morëm dhe angazhimin për 30 mijë vaksina të tjera në muajin prill nga Pfizer. 

Për sa i përket të parës, ju nuk duhet të bëni gabimin që bën Ilir Meta dhe ata të cilët kanë lidhur Lulin me zinxhirë sepse reforma në drejtësi dhe jo çdo ligj por çdo nen i çdo ligji të gjithë paketës së reformës në drejtësi nuk është vullnet thjesht dhe vetëm i shumicës qeverisëse por është vullnet i plotë i garantëve të reformës në drejtësi që janë miqtë dhe partnerët tanë amerikanë dhe europianë. Nuk ka nen të reformës që kalon pa u diskutuar dhe pa u miratuar paraprakisht, bashkarisht e kur them bashkarisht, kam parasysh që nëse njëra nga të dyja palët, e flas për amerikanët dhe për europianët thotë jo, nuk kalon, nuk bëhet fjalë, është konsensus i plotë mes nesh për këtë kështu që mos u shqetësoni për këtë. Mos u shqetësoni fare. Reforma në drejtësi është aq e besueshme sa është niveli i shkallimit të Ilir Metës. Po të mos ishte e besueshme, Ilir Meta do ishte i qetë dhe i dashur. Shikoni Ilir Metën, aty matet besueshmëria e reformës në drejtësi. Shikoni Ilir Metën dhe ty kuptohet që reforma në drejtësi ka filluar të japë disa shenja domethënëse që nuk janë shumë dhe nuk janë fare mjaft por që janë mjaftueshmërisht të qarta për të tensionuar Ilir Metën dhe Sali Berishën, është shumë e qartë kjo kështu që paketa është absolutisht e harmonizuar me partnerët e natyrisht që patjetër, nuk diskutohet që me një opozitë tjetër, me ata që do rikthehen në parlament, nëse Uli nuk do këpusë zinxhirin, do jetë shumë e vështirë, patjetër, nuk diskutohet. 

 

– Zoti Rama ju thatë se po bëni gati pasaportën e vaksinimit me standarde ndërkombëtare por a ka qeveria në fakt një plan lidhur me mënyrën si do të votojnë në 25 prill të gjithë ata qytetarë të cilët rezultojnë të infektuar me COVID-19?

Dhe pyetja e dytë, përpos këtij revolucioni që ju thoni se ka bërë qeverisja juaj në lidhje me shërbimet online, si po shkon procesi i regjistrit të pronarëve përfitues pasi ka mjaft ankesa nga subjektet? 

Kryeministri Edi Rama: Kjo e dyta është shumë e vërtetë dhe kini parasysh që pikërisht për këtë arsye ne duhet të vazhdojmë  punën sepse Kadastra përgjigjet menjëherë online për të gjitha pronat e dixhitalizuara, të regjistruara e të sqaruara. Ka një pjesë tjetër të pronave që janë ende në proces regjistrimi, dixhitalizimi dhe aty aplikimi bëhet onlilne por pastaj është një proces verifikimi manual nga ana e administratës kështu që është e vërtetë  kjo dhe kjo do zgjidhet duke e bërë komplet funksional sistemin. Ndërkohë që për sa i përket pyetje së parë, sigurisht që do bëjmë të njëjtën gjë që kanë bërë të gjithë vendet e tjera, që për ata të cilët janë të testuar pozitiv dhe nuk janë negativizuar, nuk bëhet fjalë fare, duhet të qëndrojnë në shtëpi, ata normalisht duhet të vetëkarantinohen dihet ajo. E kemi parë këtë, është i vërtetë ky shqetësim dhe kjo është gjëja që kanë bërë të gjithë vendet e tjera se ka pasur një sërë zgjedhjesh dhe do ketë përsëri zgjedhje të tjera në vende të tjera në këtë kohë pandemie e kështu është vepruar. Sigurisht që janë të parët njerëzit që duhet të marrin përgjegjësinë për këtë por përgjithësisht, ajo që është inkurajuese është që nuk ka pasur për fat të mirë të dhëna shqetësuese post elektorale në aspektin e influencës mbi shëndetin e njerëzve, kjo është pozitive, pra nuk ka pasur rritje të numrit të infektimeve. Sigurisht, do përpiqemi e të gjithë njerëzit duhet të përpiqen që rradhat të jenë e një respekt për distancën, me pak durim por nuk ka pasur problem, se këtë e kemi parë m e shumë kujdes. 

 

– A keni ndonjë objektiv se sa përqind e popullatës do të jetë e vaksinuar deri në fillim të sezonit turistik të verës? 

Kryeministri Edi Rama: Unë mund ta përsëri pa fund përgjigjen që ambicia, ëndrra, çmenduria ime është që ne të keimi një fushatë intensive vaksinimi për ta lehtësuar maksimalisht sezonin turistik dhe për ta promovuar Shqipërinë si një vend me rrezikshmëri shumë të ulët në raport me virusin si rezultat i një fushate intensive që do këpusë shumë hallka të zinxhirit të infektimit. Pse them ambicia, pse them çmenduria, sepse faktikisht është një bast shumë i madh për sa kohë duhen siguruar sasitë e vaksinave dhe nuk është aspak gjëja më e lehtë që mund të bëhet sot. Është gjëja më e vështirë që mund të bëhet sot. Kemi pasur një diskutim shumë të gjatë dje mbrapa dyerve me ata që na mikpritën në të gjitha nivelet, për çështjen e vaksinës dhe unë me shumë kënaqësi do ju kisha marrë me vete në xhep që mos t’ju shikoni dhe ju të dëgjonit bisedën, për ta parë realisht nga brenda se çfarë situate tensioni dhe vështirësie është për Europën, për të gjitha vendet që janë futur në kanalin e administrimit të përbashkët të vaksinës. Megjithatë unë nuk tërhiqem nga kjo çmenduri e do bëj gjithçka që të kemi shumë shpejt sasira të konsiderueshme vaksinash. Nuk mund të flas më shumë se nuk janë gjëra që po nuk e pash përpara sasinë  të jetë e disponueshme për ne është e kotë që të flasim se ndryshojnë gjërat me orë. Ju e patë, u tha këtu, dje në mëngjes thanë nuk e sjellim dot sot dhe e sollën në darkë se ndryshojnë gjërat me orë dhe kompanitë janë në një stres. Tani parafytyroni vetëm kaq, që janë pesë kompani tek të cilat janë drejtuar sytë e gjithë planetit, janë shumë pak. Shikoni Gjermaninë që është një superstar si shtet, si fuqi dhe gjermani ankohet që nuk ka doza të mjaftueshme sipas planit të saj. Të gjitha planet vendeve europiane janë ridimensionuar sepse nuk kanë dozat. Ne kemi nevojë për jo dhjetëra milion vaksina por kemi nevojë për një numër të konsiderueshëm që të fillojmë të këpusim zinxhirin e infeksionit. Planin e kemi shumë të qartë. Në momentin që do kemi sasira më të mëdha se këto që kemi siguruar, që gjithsesi na japin mundësinë të vazhdojmë sepse brenda mesit të marsit do kemi mbaruar me mjekët dhe infermierët dhe nuk është pak, brenda mesit të marsit na është thënë nga COVAX që do vijnë 14 mijë dozat e para të AstraZeneca, do fillojmë mësuesit. Kemi disa gjëra të tjera, tamam aty tek pragu por akoma nuk janë në momentin e kapërcimit të pragut kështu që nuk mund të them më shumë se kaq. Kjo lidhet me dozat, çfarë më thoni ke një datë, ke një numër? Sapo të vijnë. Ne kemi përgatitur një operacion ku do përfshihen të gjithë vaksinatorët e sistemit të shëndetësisë,, qendrat shëndetësore, studentë të infermierisë, ushtria. Operacioni është ngritur, trajnimet vazhdojnë për gjithë këta të tjerët që do shtohen por na duhen doza, ky është dhe kjo është realisht gjëja e parë që mendoj kur zgjohem dhe gjëja e fundit që mendoj para se të mbyll sytë, realisht, ju siguroj për këtë. Është një garë me kohën, është një garë me forca që janë shumë dhe me një dinamikë që nuk e merr vesh si ndryshon nga dita në ditë. 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.