Vaksinimi mbrojtës ndaj COVID-19 nisi sot me mësuesit dhe pedagogët, proces që fillon me 6 shkolla në Tiranë e më pas do të shtrihet në të gjithë shkollat e vendit.
Për të ndjekur nisjen e procesit të vaksinimit, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastrirliu, ishin në shkollën “4 Dëshmorët” në Tiranë, ku vaksinimi ka nisur me 250 mësuesit e parë. “Kemi filluar sot me 6 shkollat e para në Tiranë, të koordinuara me Drejtorinë Arsimore. Tashmë ka filluar procesi, është bërë regjistrimi paraprak i mbi 250 mësuesve. Kemi filluar me Tiranën dhe ditën e hënë fillojmë me shpërndarjen e vaksinave në njësitë e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin dhe nga e marta fillon vaksinimi i të gjithë mësuesve”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Doktoreshë Silva Bino, drejtore e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, e cila po asiston në procesin e vaksinimit të mësuesve tha se “kjo është një vaksinë tepër e sigurt”.
“Sot lexova deklaratën e drejtorit të ISHP-së italiane, po themi, – u shpreh Kryeministri Rama – që thoshte që është e gjitha një alarm fals, bazuar në asnjë fakt, nuk ka asnjë të dhënë që këto raste janë të lidhura me vaksinën dhe pezullimi i një serie është bërë vetëm për të pasur garanci 100%. Seria jonë ka ardhur nga Suedia dhe faktikisht, në Britaninë e Madhe ata kanë bërë miliona vaksina AstraZeneca e nuk kanë pasur asnjë problem. Është pezulluar në disa vende një seri e veçantë, për të bërë një verifikim e për të nxjerrë konkluzione çfarë janë këto raste. Prapë, edhe ato janë shumë pak raste”.
Vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve në mbarë vendin do të jetë një tjetër garanci për t’u çliruar edhe më tej nga virusi e për t’ju kthyer normalitetit. “Vaksina AstraZeneca na jep mundësinë që t’i vaksinojmë të gjithë, sepse 38 000 doza do përdoren të gjitha, pasi është 8 deri në 12 javë rivaksinimi”, – tha ministrja Manastirliu.
Kryeministri Rama gjithashtu tha se “ne jemi afër një lajmi të madh dhe pak ditë e besoj që do sjellim një sasi tjetër të konsiderueshme. Pastaj, sfida e të gjithëve është të vaksinojmë sa më shumë, që të thyejmë sa më shumë zinxhirin e infektimit para sezonit të verës, domethënë, të fillojmë intensivisht me të moshuarit, të vazhdojmë intensivisht me të gjithë pjesën tjetër, policinë, ushtrinë, gjithë ata që kanë ndërveprim. Të godasim gjithë pjesën e zinxhirit që ka kontakte më shumë e të nxjerrim përfundimisht pensionistët nga izolimi”.