Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Dita e verës, kjo festë pagane e kthyer tashmë në një traditë të bukur, u prit në Elbasan, qytetin simbol të kësaj feste me aktivitete të ndryshme. Me rastin e kësaj dite, vizitoi Elbasanin, Kryeministri  Edi Rama, i cili së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, fillimisht u ndal në panairin e hapur me këtë rast me prodhime të ndryshme të trevës, ku fermerë, shumica e të cilëve përfitues të skemave mbështetëse, kishin ekspozuar produktet e tyre.

Kalaja e Elbasanit dhe zona përreth saj është një prej vendeve më të mirënjohura në qytet, e cila do të përfitojë investime të rëndësishme dhe ku së shpejti do të nisë realizimi i projektit transformues të hapësirës brenda saj, në një zonë turistike me bujtina, shërbime, muze, adresa historike e pika të trashëgimisë kulturore.

“Synimi ynë është që t’i japim jetë kalasë nën modelin e pazarit të Korçës”, – u shpreh deputeti i zonës Taulant Balla gjatë ndalesës që Kryeministri Rama bëri në një prej bizneseve të kësaj zone.

Më pas, Kryeministri Rama u mirëprit në një nga familjet tradicionale të zonës së kalasë, të cilët shprehën besimin se me investimet e duhura, zona do të marrë zhvillimin që i nevojitet. “Kalaja do pak investim sepse turistët e huaj që vijnë këtu vijnë vetëm për të parë xhaminë dhe kishën, por qëllimi është të investojmë dhe në traditën, si në zejtari, në bujqësi, të zhvillohet e gjitha zona e kalasë.” – u shpreh kryefamiljari.

“Do ta realizojmë tani të gjithë projektin e transformimit të lagjes së Kalasë, – tha kryeministri Rama gjatë bisedës me ta. – Do ta bëjmë si ato që kemi bërë në Korçë në Vlorë, do ta bëjmë bukur sepse ka shumë potencial këtu”.

Por karakteristikat historike janë ato që e bëjnë Kalanë e Elbasanit më të veçantë dhe që ngjallin interesin e turistëve të huaj “Është Kalaja më e madhe fushore në Ballkan që banohet, por ajo që e karakterizon kalanë tonë është simboli i bashkëjetesës fetare. Nuk besoj se ka kala tjetër në bota ndoshta që ke diku, këtu  një xhami, kisha katolike, pastaj kisha ortodokse dhe një sinagogë. Të katërta janë 400 metra me largësi nga njëra-tjetra.” – u shpreh deputeti Balla.

Ndërkohë Kryebashkiaku Llatja tha se projekti për zhvillimin e kalasë është pothuajse gati dhe do të synojë rivitalizmin e të gjithë zonës. Kemi bërë një projekt thuaje gati për zhvillimin e Kalasë që është një projekt shumë i mirë për vitalizimin e disa segmenteve kryesore dhe gjithashtu të bëjmë rivitalizimin e rrugëve kryesore dhe të banesave kryesore. Është  momenti ynë që të ndërhymë me investimet tona të paktën nga jashtë dhe pastaj nga brenda të zhvillohen biznese të ndryshme karakteristike për zonën.” – u shpreh ai.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.