Numri i nxënësve që do të hyjnë në shkollat e reja të rilindura nga Programi i Rindërtimit ka arritur në 50 mijë. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arbën Ahmetaj deklaroi gjatë inspektimit që bëri Kryeministri Rama në shkollën 9-vjeçare “Kastrioti” në Derven të Krujës, se janë 160 shkolla të reja brenda zonës së goditur nga tërmeti që vazhdojnë të ngrihen të bukura e të forta mbi rrënojat e të shkuarës.
Shkolla “Kastrioti”, ku bashkangjitur ndodhet edhe kopshti, ka 15 ambiente, 9 klasa, laboratorë dhe ambiente sportive të brendshme e të jashtme. Ndërtimi i shkollës, sipas drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, edhe pse një sfidë në aspektin gjeologjik për shkak të vështirësisë që terreni paraqiste, ofron standardet më të larta.
Një institucion arsimor i rilindur falë Programit të Rindërtimit është edhe shkolla e kopshti “Hajdar Hoxha” në Larushk të Krujës, të cilën e vizitoi sot, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.
Shkolla e re, që ka të përfshirë edhe mjediset e kopshtit, ka 320 nxënës dhe 19 e klasa dhe laboratorë të pajisura më së miri me mjetet didaktike dhe gjithçka nevojitet për ta zhvilluar mësimin në kushte optimale.
Ministri për Rindërtimin Ahmetaj tha se edhe kjo zonë përfiton nga fondet e BE-së për rindërtimin e shkollave. “Nga 160 shkolla, një pjesë e mirë është e tyre është dorëzuar, një pjesë tjetër janë në proces. Ato që mbarojnë brenda shkurtit të vitit 2022 janë pjesa e donatorëve. Edhe kjo bashki përfiton nga rindërtimi i shkollave nga donatorët,” – u shpreh Ahmetaj.