Transformimi i Thumanës, pas goditjes së rëndë që mori nga tërmeti shkatërrimtar, po merr formë. Puna vijon me intensitet si për ndërtimin e banesave individuale, ashtu edhe për banesat kolektive. “Thumana do të jetë qyteti më i ri modern në Ballkan, në ato përmasa të vogla kuptohet, në raport me pasojat e tërmetit”, – u shpreh ministri Ahmetaj, gjatë inspektimit që bëri Kryeministri Rama në kantierin e qytezës më të re që po ngrihet nga themelet.
“Qytetarët, – u shpreh më tej ministri Ahmetaj,- kanë filluar bëjnë xhiron e pasdites në kantier, e kanë si pelegrinazh tani”.
Në vjeshtën e vitit 2021 parashihet që ata që u prekën nga tërmeti në Thumanë të rikthehen të gjithë në shtëpi të reja. Ndërkohë është gati shkolla e re. “Bukuria e gjithë kësaj është që kanë hapësira fantastike të përbashkëta dhe ajër midis banesave e midis pallateve”, – u shpreh për projektin Kryeministri Rama.
Në total, në Thumanë janë 155 banesa individuale dhe 278 apartamente, ndërsa shkolla e Thumanës është gati për të pritur nxënësit. E gjitha e arritur në vetëm 8 muaj.
“Jo më shumë se para 8 muajsh keni prezantuar këtu në 3D këtë që sot është realitet dhe që preket me dorë, në 8 muaj. Këto shkolla që hapen rishtazi do presin grupin e parë të fëmijëve që me politikën arsimore “Shqipëria 2020-2030”, me anglisht që në klasë të parë dhe dituritë e para për IT-në që në klasë të parë. Me logjikën e programit që në 10 vite këta fëmijë të jenë në anglisht të përsosur e gati dhe të pajisur me dituritë bazë apo dhe pak më të avancuara të IT-së, në funksion të shoqërisë digjitale”, – u shpreh ministri Ahmetaj.