Në Bashkinë Laç janë 11 kantiere të rilindjes pas tragjedisë së tërmetit ku punohet intensivisht e që do t’i japin Kurbinin një pamje e cilësi të re jetese që i ka munguar qytetit. Sot u hap edhe kantieri i ndërtimit të bashkisë së re. Godina e re, sipas kryebashkiakes Majlinda Cara, do të ngrihet në një sipërfaqe prej 4 mijë m2, e organizuar në tre kate, ku përveç administratës do të ketë edhe hapësirën dedikuar ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
Një nga punët publike me interes të lartë për qytetarët e Kurbinit është edhe sistemimi i përroit që kalon në qytet, një problem i kahershëm dhe i pazgjidhur për qytetin, punimet për të cilin kanë avancuar në masën 80% si pjesë e ndërhyrjeve të gjithanshme që kanë përfshirë qytetin nga Programi i Rindërtimit. Ndërkohë kanë avancuar edhe punimet për infrastrukturën në qytet, si dhe ka nisur ndërtimi i ujësjellësit të ri. “Janë 11 kantiere ndërtimi vetëm në qytet dhe në përfundim të dy lagjeve të reja dhe gjithë infrastrukturës do të jetë një Kurbin e Laç tjetër”, – tha kryebashkiakia Cara.
Kryeministri Rama u shpreh se kjo fatkeqësi u kthye edhe në një mundësi për ta “kthyer përmbys Kurbinin” e për t’i dhënë fytyrë krejt të re.
Një nga kantieret e rindërtimit në Kurbin është edhe lagjja e re me financim të qeverisë shqiptare, ku janë hedhur themelet e tre pallateve e ku së shpejti hidhen themelet edhe për shkollën e re. Po ashtu ka përfunduar edhe 40% e punimeve për rehabilitimin e fasadave të godinave të dëmtuara dhe pritet të fillojë riparimi i dëmeve me dëmtime DS1-DS3. Një tjetër kantier shumë i rëndësishëm i është edhe kantieri i spitalit të ri. Ministri Ahmetaj informoi se këto ditët po hapet edhe kantieri i rindërtimit në qytet i financuar nga qeveria turke.
Kryebashkiakia Cara informoi se për banesat individuale është mbyllur procedura ligjore, bashkë me Entin Kombëtar të Banesave, për të bërë kontratat me 130 familjet e para në zonën 1. Ndërkohë ka përfunduar lidhja e kontratave me 90% të 218 familjeve që kanë kërkuar ta ndërtojnë vetë shtëpinë dhe kanë aplikuar për leje ndërtimi.