Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Mars 2021:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR ASISTENCË TEKNIKE PËR RRJETIN HEKURUDHOR NË SHQIPËRI – REHABILITIMIN E LINJËS HEKURUDHORE TIRANË – DURRËS DHE NDËRTIMIN E LIDHJES HEKURUDHORE PËR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), HEKURUDHËS SHQIPTARE (ENTITETI I PROJEKTIT) DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, TË MBËSHTETUR NGA FONDI I VEÇANTË I INICIATIVËS EVROPIANE QENDRORE DHE ME AKSIONAR BERZH-IN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit për asistencë teknike për rrjetin hekurudhor në Shqipëri – rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e lidhjes hekurudhore për në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (marrësi), Hekurudhës Shqiptare (entiteti i projektit) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të mbështetur nga fondi i veçantë i iniciativës evropiane qendrore dhe me aksionar BERZH-in, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË TË PORTIT TË PESHKIMIT NË TRIPORT, VLORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të portit të peshkimit në Triport, Vlorë, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përdoret nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në përputhje me Planin Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKIVE VORË DHE SHIJAK TË OBJEKTEVE ARSIMORE, KOPSHTI “MUÇAJ”, BASHKIA VORË, KOPSHTI NR.1 DHE SHKOLLA E MESME “16 SHTATORI”, BASHKIA SHIJAK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në pronësi të bashkive Vorë dhe Shijak, përkatësisht, të objekteve arsimore kopshti “Muçaj”, Bashkia Vorë, kopshti nr.1 dhe shkolla e mesme “16 Shtatori”, Bashkia Shijak, sipas listës së inventarit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkitë Vorë e Shijak për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË FATKEQËSISË NATYRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 40, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Gjendja e fatkeqësisë natyrore shpallet kur njësitë e vetëqeverisjes vendore, të prekura nga pasojat e shkaktuara nga fatkeqësia, nuk janë në gjendje ta përballojnë atë.

2. Shpallja e gjendjes së emergjencës dhe klasifikimi i llojit të saj varen nga këta faktorë:

a) Shtrirja territoriale e zonës së dëmtuar ose të prekur, sipas rastit;
b) Ndikimet e këtyre dëmeve në prishjen e ekuilibrave të jetës normale të komunitetit;
c) Të dhënat shkencore nga institutet/strukturat përkatëse, për rastin konkret të fatkeqësisë.

3. Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe klasifikimi i llojit të saj varen nga këta faktorë:

a) Për tërmetet, të dhënat e para jepen nga strukturat brenda 2 (dy) orëve dhe në mënyrë periodike për vijueshmërinë e goditjeve sizmike, dëmet e shkaktuara në humbje të jetëve njerëzore, banesa dhe dëme të tjera infrastrukturore, deri në shuarjen përfundimtare të goditjeve sizmike.
b) Për përmbytjet dhe vërshimet e ujit, që vijnë si rezultat i rritjes në nivele kritike të ujit, nga faktorë gjeologjikë, atmosferikë apo njerëzorë, në shtratin e lumenjve, në nivelin e liqeneve apo në batica bregdetare, duke mbuluar përkohësisht me ujë sipërfaqe toke në atë nivel që përbëjnë rrezik për njerëzit, banesat dhe infrastrukturën;
c) Temperaturat ekstreme e të tejzgjatura, kur këto shkaktojnë dëme serioze në jetën dhe shëndetin e njerëzve, edhe në pasuritë e tyre;
ç) Rrëshqitjet arkitektonike të shkaktuara drejtpërdrejt nga një ngjarje tërmeti apo nga dukuri të tjera gjeologjike, të cilat kanë shkaktuar humbje të jetëve njerëzore, të gjësë së gjallë ose dëme në banesa dhe infrastrukturë;
d) Për ortekët e formuar nga dëbora e akumuluar dhe e paqëndrueshme, në terrene të pjerrëta mjaftueshëm (mbi 30o), rënia e të cilëve ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në njerëz dhe në gjënë e gjallë ose bllokim të rrjetit të infrastrukturës kritike;
dh) Për erërat e forta në tokë dhe në det, kur ato zgjasin në kohë e në hapësirë, duke sjellë probleme për transportin rrugor dhe atë detar, duke u shoqëruar me rrëzime të pemëve, të objekteve apo të strukturave të ndryshme me rrezik për aksidente, gjymtime e dëme të pronës dhe, me raste, kërcënim të jetës;
e) Për zjarret masive në pyje apo në zona të populluara, kur ndezja e zjarreve mund të ndodhë lehtë dhe me përhapje të shpejtë të flakëve, në zonat e ekspozuara, duke kërcënuar jetën e njeriut, pronën dhe gjënë e gjallë, shoqëruar me temperatura të larta dhe erëra të forta, duke bërë edhe kontrollin e tyre shumë të vështirë;
ë) Për sëmundje infektive me përhapje masive, të cilat mund të jenë epidemi, e cila është paraqitja e dy dhe më shumë rasteve të sëmundjeve infektive, të lidhura në kohë e në territor apo rritje mbi normën e pritur të numrit të rasteve të sëmundjes dhe pandemi, ku përhapja masive e sëmundjes ngjitëse i kalon kufijtë e shtetit, duke përfshirë disa shtete e më shumë se një kontinent;
f) Për aksidentet teknologjike që vijnë si rezultat i sulmeve terroriste, të problemeve teknike të pajisjeve prodhuese, dështimeve teknike, kompleksitetit të tepërt të procesit të prodhimit, gabimeve në projektim dhe prodhim, zhvlerësimit të pajisjeve, mjeteve të vjetëruara të prodhimit, gabimeve apo dëmtimeve me dashje të personelit, keqkuptimeve për veprimet e përbashkëta të profesionistëve, faktorë të jashtëm etj., kur këto shkaktojnë dëme serioze në jetën, shëndetin e njerëzve e në pasuritë e tyre;
g) Për aksidentet rrugore, hekurudhore, detare, ajrore, që vijnë si rezultat i dështimeve, gabimeve njerëzore, dobësive të thella strukturore të vetë mjeteve, teknikës apo të infrastrukturës së tyre, ose faktorë të jashtëm, të cilët shkaktojnë dëme serioze në jetën, shëndetin e njerëzve dhe në pasuritë e tyre;
gj) Për aksidentet bërthamore apo radiologjike, që vijnë si rezultat i zhvillimeve të pakontrolluara të ciklit të prodhimit nga operatorë të ndryshëm apo të ndërmarrjeve me veprimtari me rrezatime jonizuese, një situatë jo e zakonshme ose ngjarje që përfshin një burim rrezatimi që dikton masa të menjëhershme për të zbutur pasojat e rënda të dëmshme për sigurinë, shëndetin e njeriut, cilësinë e jetës, pronën ose mjedisin ose një emergjencë në të cilën ka ose parashikohet të ketë një rrezik nga energjia si pasojë e reaksionit zinxhir bërthamor ose nga zbërthimi i produkteve të një reaksioni zinxhir bërthamor ose ekspozimi ndaj rrezatimit;
h) Rrëzimet e digave të shkaktuara drejtpërdrejt nga një ngjarje tërmeti, nga amortizimi në vite, ndryshimi i kushteve klimatike etj., që sjellin si pasojë përmbytje masive, të cilat shkaktojnë dëme serioze në jetën, shëndetin e njerëzve e në pasuritë e tyre, si dhe kolaps në ekonomi;
i) Për dukuri natyrore ekstreme apo fatkeqësi të tjera që ndikojnë në jetën e njerëzve, në gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin.

4. Institucionet, institutet dhe strukturat kryesore të ngarkuara për dhënien e informacionit dhe vlerësimit paraprak të dëmeve për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore janë:

a) ministritë, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore apo të kompetencave që kanë lidhje me dukurinë natyrore apo fatkeqësitë e tjera;
b) institutet/strukturat shtetërore përgjegjëse për monitorimin dhe vlerësimin e shkallës së fatkeqësisë natyrore apo fatkeqësitë e tjera;
c) prefekti i qarkut;
ç) bashkia në territorin e së cilës ndodh fatkeqësia.

5. Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, kur sigurohen të dhënat, sipas pikës 3, të këtij vendimi, ndiqen këto procedura:

a) Në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në një kohë sa më të shpejtë nga momenti i konstatimit të një dukurie, të parashikuar në pikën 3, të këtij vendimi, dërgohen raporte me të dhëna nga autoritetet e listuara, më poshtë vijon:

i. Institucionet, institutet dhe strukturat shtetërore përgjegjëse për monitorimin e vlerësimin e intensitetit të fatkeqësisë, të cilat, në varësi të llojit të fatkeqësisë, dërgojnë të dhënat e para të regjistruara në mënyrë periodike, plotësojnë këto të dhëna, përgatisin raporte deri në shuarjen e plotë të aktivitetit të fatkeqësisë;
ii. Prefekti i qarkut dhe kryetari i bashkisë, për gjendjen e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia në territorin e përgjegjësisë së tyre.

b) Raporti i vlerësimit paraprak të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia, i dërguar nga kryetari i bashkisë dhe prefekti i qarkut, shoqërohet me kërkesë për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
c) Me marrjen e të dhënave dhe të kërkesës, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile analizon e vlerëson të dhënat dhe paraqet raportin e situatës e, sipas rastit, i propozon ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
ç) Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile, vendos shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë në të gjithë territorin ose për një pjesë të territorit të vendit.

6. Nisma për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për rastet sipas pikës 10, të nenit 3, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, ndërmerret nga ministritë e linjës, sipas veçorive që shfaqen, si dhe fushës së përgjegjësisë shtetërore apo kompetencave që mbulojnë, në bashkëpropozim me ministrin përgjegjës për mbrojtjen civile, bazuar në informacionin e marrë nga institutet/strukturat shtetërore përkatëse dhe organet e vetëqeverisjes vendore të prekura nga fatkeqësia.

7. Vendimi nr.664, datë 18.12.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e shpalljes së gjendjes së emergjencës civile”, shfuqizohet.

8. Ngarkohen të gjitha ministritë, institutet kërkimore e shkencore, të përmendura në pikën 5, të këtij vendimi, entet publike, sipas fushave të përgjegjësisë shtetërore që mbulojnë për mbrojtjen civile, në bashkëpunim me organet e vetëqeverisjes vendore, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PËRDORIMIN E FONDEVE TË MBETURA NGA PROGRAMI “MBROJTJA MJEDISORE E LIQENIT TË SHKODRËS”, PËR T’U PËRDORUR PËR FINANCIMIN E SHËRBIMIT TË BORXHIT PËR MARRËVESHJEN E HUAS PËR PROGRAMIN “INFRASTRUKTURA BASHKIAKE II”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

Miratimin e letërmarrëveshjes ndryshuese, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për përdorimin e fondeve të mbetura nga programi “Mbrojtja mjedisore e liqenit të Shkodrës”, për t’u përdorur për financimin e shërbimit të borxhit për marrëveshjen e huas, për programin “Infrastruktura bashkiake II”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN VJETOR TË VEPRIMIT PËR SHQIPËRINË PËR VITIN 2020, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA II)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, për programin vjetor të veprimit për Shqipërinë për vitin 2020, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA II), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES ISTISNA’A DHE MARRËVESHJES SË AGJENCISË ISTISNA’A, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM, NË LIDHJE ME NDËRTIMIN E SEKSIONIT QUKËS – QAFËPLLOÇË TË KORRIDORIT RRUGOR TIRANË – KORÇË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.128/2013

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes Istisna’a dhe marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, në lidhje me ndërtimin e seksionit Qukës – Qafëplloçë të korridorit rrugor Tiranë – Korçë, të ratifikuar me ligjin nr.128/2013, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.7, DATË 6.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUSHTET DHE PROCEDURËN PËR SHPRONËSIMET DHE/OSE SHKËMBIMIN E PRONËS, PËR INTERES PUBLIK, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 6, e kreut II, të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Prona private, njësi tregtimi:

a) pronarët privatë, që kanë në pronësi njësi tregtimi në zonën e re për zhvillim, kompensohen me vlerë në masën që përllogaritet nga komisioni i shpronësimit, duke iu referuar çmimeve që zbatohen në procedurat për shpronësimin, për interes publik, sipas legjislacionit në fuqi; ose
b) me pëlqimin e tyre, pronarët privatë që kanë në pronësi njësi tregtimi në zonën e re për zhvillim, kompensohen nëpërmjet shkëmbimit të Së drejtës së pronësisë mbi njësinë e tregtimit me fitimin e pronësisë mbi një njësi banimi ose njësi tregtimi, nëse ka, me të njëjtën sipërfaqe në metër katror sa njësia e tregtimit që kishin në pronësi;
c) në rast se, për shkak të strukturës së njësisë së tregtimit, njësisë së banimit ose shtëpisë individuale të banimit në zonën e re, rezultojnë sipërfaqe shtesë në pronën me të cilën kompensohet, pronari privat paguan për çdo metër katror shtesë çmimin e miratuar me vendim nga Enti Kombëtar i Banesave në fuqi në kohën e shpronësimit ose të shkëmbimit. Në rast se, për shkak të strukturës së njësisë së tregtimit, njësisë së banimit ose shtëpisë individuale të banimit në zonën e re rezultojnë sipërfaqe më të vogla, në pronën me të cilën kompensohet, pronari privat ka të drejtë të kompensohet, për pjesën e mbetur të sipërfaqes, në përputhje me shkronjën “a”, të kësaj pike.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ministri i Shtetit për Rindërtimin, njësitë e vetëqeverisjes vendore, njësitë zbatuese dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.226, DATË 21.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E KOSTOS SË MENAXHIMIT TË PROJEKTEVE QË ZBATOHEN NGA FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pikat 2, shkronja “a”, e 4, dhe 8, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.226, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1, masa 3% ndryshohet dhe bëhet 5%;

2. Pas pikës 1, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. “Financimin e kostos së menaxhimit të projekteve në kuadër të programit të rindërtimit që zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, të cilat nuk e kanë të parashikuar këtë kosto në marrëveshjet përkatëse të financimit. Kjo kosto është në masën 3% mbi vlerën totale të financimit të çdo programi/projekti.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.407, DATË 8.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NJË REGJIMI KONTROLLI PËR TË GARANTUAR RESPEKTIMIN E RREGULLAVE TË POLITIKAVE MENAXHUESE NË PESHKIM”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 72, pika 8, 74, pika 3, 82, pika 2, 101, pikat 2 e 3, 113, pika 1, 116, 118, pika 3, dhe 135, pika 1, të ligjit nr.64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.407, datë 8.5.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Pika 33 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“33. Të gjitha anijet mbi 12 m, të regjistruara në Regjistrin e Anijeve të Peshkimit (RAP), instalojnë në bordin e tyre pajisjen MTU (Mobile Tranceiver Unit), për identifikimin e lokalizimin nëpërmjet satelitit. Kjo pajisje duhet të jetë në përputhje me sistemin e instaluar në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe në ministri, si dhe duhet të plotësojë të gjitha specifikimet sipas pikës 24, të këtij vendimi.

Ministria përgjegjëse për peshkimin u jep në përdorim të gjitha anijeve mbi 12 metra, të regjistruara në Regjistrin e Anijeve të Peshkimit, pajisjen MTU, e cila, nëse del jashtë funksionimit, zëvendësohet me shpenzimet e subjektit përdorues.”.

b) Pika 33/1 shfuqizohet.
2. Fondet për blerjen e pajisjeve, sipas pikës 1, të këtij vendimi, për vitin 2021, të përballohen nga buxheti i shtetit i këtij viti, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE TË ISH-REPARTIT “RENEA”, DREJTORIA E FORCËS SË POSAÇME OPERACIONALE, LINZË, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të objekteve të ish-repartit “Renea”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Linzë, Bashkia Tiranë, në masën 263 752 795 (dyqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH.

2. Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i shtohet fondi në masën 131 876 397 (njëqind e tridhjetë e një milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të objekteve, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

3. Caktimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si njësi zbatuese për rikonstruksionin e objekteve të ish-repartit “Renea”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Linzë, Bashkia Tiranë.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.569, DATË 17.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KOMPETENCAVE, MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË BREGDETIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar , dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pas pikës 6, të kreut III, të vendimit nr.569, datë 17.7.2019, të Këshillit të Ministrave, shtohen pikat 6/1, 6/2 dhe 6/3, me këtë përmbajtje:

“6/1. Në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit krijohet Komisioni i Ankimit të AKB-së, i cili drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe, si rregull, ka në përbërje të tij:

a) drejtuesin e njësisë përgjegjëse për performancën dhe menaxhimin e integruar të zonave bregdetare;
b) drejtuesin e njësisë përgjegjëse për sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit të zonave bregdetare;
c) drejtuesin e njësisë përgjegjëse për shërbimet mbështetëse;
ç) nëpunësin përgjegjës për çështjet juridike/ligjore të agjencisë, në cilësinë e sekretarit të Komisionit të Ankimit të AKB-së.

6/2. Në mungesë të anëtarëve të komisionit të përcaktuar në pikën 6.1, të këtij kreu, për shkak të mosplotësimit të pozicionit të punës, drejtori i Përgjithshëm cakton zëvendësuesin e njësisë përgjegjëse respektive, deri në plotësimin e vendit vakant.

6/3. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Komisionit të Ankimit të AKB-së përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKB-së.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË TË PAFRYTSHME”, TË SIPËRFAQEVE TË PASURIVE ME NUMËR 821/46 DHE 822/34, ZONA KADASTRALE 1492, BASHKIA DIVJAKË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/1, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë të pafrytshme”, për sipërfaqen prej 157 888 (njëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tetë) m2, pasuria me numër 821/46, dhe për sipërfaqen prej 650 638 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tetë) m2, pasuria me numër 822/34, zona kadastrale 1492, Bashkia Divjakë, sipas certifikatave të pasurive dhe hartave treguese, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Ngarkohet Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Fier, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë të pafrytshme”, të pasurive me numër 821/46 dhe 822/34, zona kadastrale 1492, Bashkia Divjakë.

3. Ngarkohet Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lushnjë të pasqyrojë në kartelat e pasurisë dhe në certifikatat e pasurive ndryshimin e zërit kadastral të pasurive me numër 821/46 dhe 822/34, zona kadastrale 1492, Bashkia Divjakë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.