Nga një projekt sipas standardeve të infrastrukturës arsimore europiane, tashmë shkolla “Halit Çoka” në Kamëz është realiteti më i ri për fëmijët e kësaj zone. Shkolla ka 28 klasa dhe ofron kushte dhe standarde bashkëkohore për 1200 nxënësit e zonës së Bathores në Kamëz.
“Është një nga 160 shkollat që qeveria shqiptare po ndërton falë Programit të Rindërtimit, së bashku me donatorët. Edhe një element plus. Ne nuk kemi mbetur tek 160 shkolla, por në bazë të vlerësimeve, ne po shtojmë numrin e shkollave, jo vetëm në Kamëz, por edhe në Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë. Shkolla është moderne. Ndërkohë tani kemi filluar arredimin, qoftë në shkollat jashtë Tiranë, qoftë në shkollat brenda Bashkisë së Tiranës”, – shpjegoi Ministri për Rindërtimin Ahmetaj, gjatë vizitës që Kryeministri Edi Rama bëri sot në shkollën e re.
Shkolla “Halit Çoka” është një investim i shumëpritur për komunitetin dhe në total janë 20 shkolla, kopshte dhe çerdhe që do të ndërtohen në Bashkinë e Kamzës.
“Është një godinë, disa herë më e madhe, shumë më cilësore dhe me të gjitha standardet që sot kërkohen”, – u shpreh kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, për ndërtesën e re, duke shtuar se deri tani “kanë mbaruar 5 objekte nga shkollat dhe kopshtet. Janë dhe 7 objekte të tjera ku vazhdojnë punimet për rikonstruksionin, si dhe ndërtimin nga e para.”
Kryebashkiaku Suli tha gjithashtu se në zonën e Valiasit ku do të ndërtohen 21 pallate, 280 apartamente, kanë filluar themelet për ndërtimin e pallateve.
“Kamza po rindërtohet nga e para në shumë dimensione”, – u shpreh Ministri Ahmetaj – ndërsa shtoi se “kanë filluar edhe pallatet dhe besoj në 8 muaj do ta kemi të mbyllur edhe siti-n e pallateve me ambientet komunitare. Brenda pranverës së vitit 2022 i fshimë të gjitha dëmet e tërmetit dhe rindërtojmë gjithçka që kemi marrë përsipër. Do të përfitojnë 33 mijë familje dhe nëpërmjet gjithë punëve, infrastruktura, shtëpitë individuale, shkolla dhe grantet do të përfitojnë 500 mijë qytetarë.”
Ndërsa vlerësoi projektin dhe punën shumë cilësore për ndërtimin e shkollë së re, kryeministri Rama u shpreh se “çfarë është bërë në Kamëz dhe çfarë është bërë për fëmijët është diçka që as mund të imagjinohej”.