Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Labinot Fushë një ndërmarrje fason ka përfituar nga Fondi i Nxitjes së Punësimit duke rritur me 25% fuqinë punëtore. Sipërmarrësi tregon se nga ky fond për çdo punonjës të ri shteti paguan katër paga mujore në një vit, por edhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të gjithë vitin e parë të punës. Kryeministri Edi Rama ishte sot në këtë fabrikë, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe deputetë të qarkut.

“Tani kemi 200 punëtorë. Për një pjesë shumë të konsiderueshme të fuqisë punëtore na ka ndihmuar zyra e punës. Kemi përfituar nga fondi i nxitjes së punësimit. ¼ e punonjësve është kontraktuar përmes zyrës së punës. Për këtë faleminderit qeverisë” u shpreh sipërmarrësi.

Duke theksuar efikasitetin e Fondit të Nxitjes së Punësimit, Kryeministri Rama garantoi se qeveria i kushton rëndësi fuqizimit të tij.

“Ne bëjmë detyrën tonë. Ajo që ka rëndësi është që Fondi i Nxitjes së Punësimit ka funksionuar. Për vitin 2014 e trefishuam, ndërkohë që në 2015 e dyfishuam me 2014 dhe do vazhdojmë ta shtojmë se është një fond që realisht, me mijëra njerëz po i shohin të mirën.”

“Made in Albania” vazhdon të shtrihet suksesshëm në tregjet e huaja. Kjo fabrikë në industrinë e veshjeve prodhon për marka të njohura ndërkombëtare, të cilat prezantohen në tregjet e huaja si prodhim shqiptar “Made in Albania”. Zara, John Lewis, US Marshall, TJ Max, janë disa nga markat ndërkombëtare, veshjet e të cilave prodhohen në këtë fabrikë dhe eksportohen si prodhime shqiptare, thotë me krenari sipërmarrësi.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.