Peshkimi është sot një sektor plotësisht i rimëkëmbur, falë investimeve të bëra në vitet e fundit nga qeveria. “Më në fund u kalua në një epokë tjetër në peshkim,” – tha Kryeministri Rama në vizitën që bëri sot në mjediset e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit në Durrës, ku në sajë të investimeve në teknologjinë bashkohore, çdo gjë menaxhohet dhe monitorohet sipas standardeve më të larta në këtë fushë.
“E paimagjinueshme! Sot i kemi të gjitha mjetet e teknologjisë më të lartë në dispozicion,” – shprehet një nga përfaqësuesit e këtij sektori, i cili kujton ditët kur anijet e peshkimit dilnin në det të hapur vetëm me një busull. Ndërkohë, sot, gjithçka është e mundur të ndiqet dhe të raportohet direkt nga sallat e monitorimit, falë pajisjeve moderne.
“Në sektorin e peshkimit kemi një nga fushat më të suksesshme të qeverisjes sonë dhe shifrat flasin vetë. Eksportet janë disafishuar, 20 e ca ishin, tani janë mbi 100 milionë,” – u shpreh Kryeministri Rama, gjatë bisedës që zhvilloi me përfaqësues të sektorit të peshkimit.
Kryeministri theksoi se ambicia mbetet rritja e eksporteve dhe zhvillimi në nivele të tjera i sektorit. “Këtu mund të bëjmë një ndryshim epokal si rezultat i transformimit të portit të mallrave në port turistik”, – theksoi Kryeministri, ndërsa siguroi se sektori i peshkimit do të jetë një nga përfituesit e mëdhenjtë këtij transformimi dhe rritjes së numrit të vizitorëve dhe turistëve. “Peshkimi, – tha Kryeministri, – duhet të përfshihet e të bëhet pjesë e atraksionit dhe ofertës turistike. Më tutje bëhet gjithë pjesa e jahteve dhe hoteleve dhe pjesa këtu bëhet pjesë e gjithë atraksionit. Do ketë shëtitore, restorante që do t’i furnizoni ju me peshk.”
Krahas Durrësit, në procesin e transformimit do të përfshihet edhe Porti i Peshkimit të Vlorës, për të cilin projekti është gati dhe së shpejti fillon zbatimi.