Kompania “Insifa”, në Shijak, një sipërmarrje e mirënjohur familjare prodhimi ëmbëlsirash, është ngritur nga 6 Vëllezërit Osmani. Megjithëse në periudhë pandemie, me inkurajimin e qeverisë, sipërmarrja e ka zgjeruar linjën e prodhimit me një fabrikë të re prej 6000 metër katrorë.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në mjediset e reja dhe moderne të fabrikës, prodhimet e së cilës kanë depërtuar edhe në tregjet e huaja me sukses.
“Kjo fabrikë ka 100 të punësuar dhe edhe pse në kohë pandemie është zgjeruar me një fabrikë të re 6 mijë metër katrorë. Bashkia dhe qeveria i kanë ardhur në ndihmë dhe sot është katërfishuar prodhimi. – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana.
Fabrika aktualisht prodhon 176 produkte te ndryshme me fokus kryesor eksportin. Sot, ata eksportojnë prodhimet e tyre në të gjithë rajonin dhe në 14 vende të botës. Ambicia e sipërmarrësve është që të zgjerojnë edhe më shumë aktivitetin e tyre, duke rritur punësimin. Kryeministri Rama i inkurajoi të përputhin nevojat për rritjen e biznesit me programet e mbështetjes së qeverisë përmes skemave financuese.
“Duhet të shikoni nëse në ndonjë nga elementet e programit tuaj të zhvillimit të kompanisë përputhen me zërat e programit të mbështetjes që janë me Fondet e Komisionit e Europian, përmes AZHBR-së ose me zërat e vetë AZHBR-së se janë programe të ndara dhe sigurisht do të ishte krenari për ne t’u mbështesnim. Ky është qëllimi në fund të fundit i këtyre programeve”, – u shpreh Kryeministri Rama.