Gjimnazi “Sami Frashëri”, një nga më të mirënjohurit ndër vite, së shpejti do të jetë një vlerë e shtuar arkitekturore e Tiranës. Kjo, falë projektit rindërtues për tranformimin e tij, përveçse një qendër e dijes, edhe në një objekt me standarde dhe risi nga pikëpamja e infrastrukturës.
Në kantierin e hapur ku punohet papushim për ndërtimin e shkollës, ishte sot, Kryeministri Rama.
Për të mbërritur atje, Kryeministri eci përgjatë Bulevardit “Zogu i Parë”, një hapësirë e rikualifikuar që ka rritur menjëherë vlerën pronave të tregtarëve e të banorëve.
“Kemi patur tek “Zogu i Parë” një eksplozion të çmimeve. Është shitur jo vetëm çdo dyqan dhe çdo aparatment, por edhe çdo bodrum dhe ambient dytësor. Kompanitë imobiliare na raportuan që muajin e parë rritje 70-80% edhe të qerave edhe të shitjeve. Gjithë qëndra e Tiranës do të rrethohet me hotele me 5 yje”, – u shpreh kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili shtoi se hapësirat e reja i kanë dhënë frymëmarrje kryeqytetit dhe kanë lehtësuar ndjeshëm komunikimin e qytetarëve.
Ndërkohë në kantierin rindërtues ka përfunduar kati nëntokësor i shkollës, i cili ëhstë vendndodhja e laboratorëve. Në katet e mësipërme do jenë klasat dhe mjedise të tjera të konceptuara sipas standardeve më bashkëohore. Po ashtu palestra dhe ambientet sportive do të zenë një hapësirë të konsiderueshme, dyfish më të madhe sesa ajo ishte.
Gjimnazi “Sami Frashëri” ka 1400 nxënës dhe pas transformimit do të jetë shkolla më e madhe në vend.