Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qyteti Laçit i përngjan  një kantieri të madh, i gjithi në rindërtim. Lagjja e re, Zona 1 dhe Zona 2 e qendrës së qytetit po formësohen dita-ditës, falë punës madhore që po bëhet për rindërtimin nga themelet të pallateve të reja. Parashihet që në muajin maj, pallatet të përfundojnë në nivel karabinaje.

“Kjo do të jetë lagja e re më e bukur e Shqipërisë, e ndërtuar nga fillimi në fund” – u shpreh Kryeministri Edi Rama ndërsa inspektoi sot punimet, ecuria e të cilave është mbresëlënëse.

Tashmë po përfundon edhe një pjesë e mirë e apartamenteve dhe paralelisht me punën e realizuar nga kompania turke, ka filluar punimet edhe shkolla që është financimi i qeverisë shqiptare.

“Sipas drejtuesit të kantierit, ditët e para të majit e gjithë karabinaja e këtij investimi do të jetë  e mbyllur, ku tashmë janë hedhur edhe çatitë e katër pallateve në të dy krahët dhe po bëhet e gjithë mbyllja e apartamenteve me suvatime. Ndërkohë nga Turqia po vjen edhe baza materiale, për të siguruar një pjesë të mobilimit të apartamenteve”, – shpjegoi kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.

Kryeministri Rama u interesua për detaje të projektit, i cili parashikon më së miri çdo hapësirë të nevojshme për qytetarët, brenda dhe jashtë apartamenteve të tyre.

“Lagjja është mirëorganizuar dhe qytetarët që do të strehohen këtu do të kenë të gjitha hapësirat që ju nevojiten për të jetuar, me parqe, parkime, qendër tregtare, njësi shërbimi, etj.. Do të jetë si një qytet i vogël brenda qytetit. Paralelisht, kësaj lagjeje i shtohet bashkia e re, spitali. Janë hapur të gjithë kantieret e infrastrukturës të zonës 1, 2. Kjo është një nga pjesët kryesore të qytetit ku ka mbaruar e gjithë infrastruktura nëntokësore, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza dhe ujësjellësi i qytetit dhe pritet për t’i dhënë vetëm shtresën përfundimtare të asfaltit,” – detajoi kryebashkiakja në vijim të inspektimit në zonat ku po rindërtohet.

Kryeministri vizitoi gjithashtu hapësirat e përfunduara të disa prej apartamenteve 1+1, 2+1, dhe 3+1, ku gjithçka është realizuar sipas standardeve më bashkëkohore të infrastrukturës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.