Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga nisja e procesit të vaksinimit ka arritur në 100 mijë numri i të vaksinuarve, ndërkohë që 1100 vaksinatorë të shpërndarë në qytete e fshatra vazhdojnë intensivisht procesin. Shifrat u përditësuan sot, nga ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, gjatë inspektimit që Kryeministri Edi Rama bëri në qendrën e vaksinimit në Kurbin, ku në dy ditët e nisjes së fushatës së vaksinimit masiv janë kryer 600 vaksina.

“Në dytët e para të vaksinimit masive janë mbi 30 mijë të moshuar që kanë kryer vaksinën. Po vijojmë në të gjitha qytetet e fshatrat në qendrat shëndetësore. Jemi në një nivel të mirë. Në total, bashkë me dozat e dyta, sot shkojmë në 100 mijë vaksinime nga dita e parë që ka filluar procesi i vaksinimit. Nuk po vaksinojmë vetëm në qendra të përqendruara, por në qytete e fshat, kudo. Të gjithë të moshuarit, sidomos ata të grupmoshës mbi 85-vjeç po vaksinohen në qendrat shëndetësore pranë vendbanimeve, si dhe po vaksinojmë edhe në shtëpi për ata që janë të pamundur”, – deklaroi ministrja Manastirliu, ndërsa siguroi se 1100 vaksinatorë në të gjithë vendin. të angazhuar për të arritur tragetin e vendosur, madje për ta kaluar, tregon se kemi kapacitete për të vaksinuar në mënyrë të shpejtë dhe efektive.

Ecuria e mirë e procesit dhe sigurimi i sasive të vaksinave jep një tablo optimiste për arritjen e objektivit për vaksinimit. “Tani që kemi siguruar sasitë, 20 mijë janë arritur dje. Jemi vetëm në fillim, – u shpreh Kryeministri, –  e mund të shkojnë lirshëm në 30 mijë në ditë. Që do të thotë se në një kohë shumë më të shpejtë sesa e kishim parashikuar, ne mund të bëjmë dozën e parë masivisht dhe të mbyllim të gjithë pjesën vulnerabël.”

Për të moshuarit, sidomos ata të grupmoshës mbi 85-vjeç, vaksinimi vijon në qendrat shëndetësore afër vendbanimit, por edhe në shtëpi për ata më të pamundurit.

***

Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu ndoqën një moment vaksinimi edhe në Rrëshen, ku procesi vazhdon normalisht, me fasha orare për të mos krijuar radhë të panevojshme.

Ministrja Manastirliu informoi se në Rrëshen kemi mbi 550 të moshuar të vaksinuar deri më tani dhe sot janë planifikuar 100 të moshuar të tjerë. Ndërsa procesi kryhet me fasha orare. “Vendosja e këtyre fashave ka stabilizuar dhe ngarkesën dhe nuk ka më grumbullime”, – tha ministrja Manastirliu.

Në këtë fazë të parë të vaksinimit masiv po marrin dozën anti COIVD-19 të gjithë qytetarët mbi 70 vjeç.

***

Procesi i vaksinimit po vijon intensivisht edhe në qytetin e Lezhës. Qindra të moshuar janë paraqitur sot qendrat shëndetësore pranë vendbanimeve të tyre, për t’u shërbyer nga ekipet e trajnuar të vaksinatorëve.

“Nga mëngjesi i ditës së sotme deri tani janë vaksinuar 150 të moshuar. Në total, në Lezhë kemi 1500 të vaksinuar, bashkë me mësuesit, të cilët janë të gjithë të vaksinuar”, – u shpreh ministrja Manastirliu, gjatë vizitës që Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme në këtë qendër.

Duke iu uruar shëndet, Kryeministri Rama këshilloi për të sapovaksinuarit respektimin e kohës së pritjes pas marrjes së vaksinës.​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.