Rrësheni do të jetë një nga njësitë administrative model në përfundim të Programit të Rindërtimit. Si shumë njësi të tjera në vend, edhe Rrësheni u prek nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili la pa një strehë mbi kokë qindra familje, por sot, punimet për lagjen e re po ecin me ritme të larta. Ndërsa puna për infrastrukturën është drejt përfundimit. Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Mirditës Ndrec Dedaj inspektuan sot kantierin ku po ndërtohen banesat për familjet e prekura nga tërmeti.
Kryeministri u njoh me ecurinë e projektit, i cili pritet të përfundojë në fund të vitit dhe do t’i japë Mirditës një cilësi të re urbane.
Kryebashkiaku Dedaj u shpreh se puna për ndërtimin e infrastrukturës pritet të mbarojë brenda tre javësh. “Po punohet për sistemin e kanalizimeve. Besoj që do jetë ndër zonat më të bukura në Shqipëri, me lulishte, parkim për makinat, trotuare, ndriçim”, – u shpreh kryebashkiaku Dedaj.
Kryeministri vlerësoi punën e bërë deri më tani, ndërsa kërkoi përshpejtimin e ritmeve edhe me kushtet e mira atmosferike të kësaj periudhe. “Është bërë goxha progres nga hera e fundit që kam qenë këtu. Duhet të punojmë pa pushim, sepse tani është dhe koha shumë e përshtatshme”.
Zona e re rezidenciale që po ngrihet përfshin 35 banesa individuale dhe 68 apartamente.