Vaksinimi masiv po vijon paralelisht në të gjitha bashkitë e vendit. Vau i Dejës është një prej tyre ku po ecet intensivisht me këtë proces. Kryeministri Edi Rama ishte sot, në një nga qendrat shëndetësore, ku të moshuar të moshave mbi 70 vjeç po merrnin dozën e parë të vaksinës antiCOVID.
Kryeministri Rama u interesua për ecurinë e procesit të vaksinimit, si dhe për gjendjen e të moshuarve të sapovaksinuar. Është po aq e rëndësishme, vërejti Kryeministri, të respektohen me përpikmëri të gjitha rregullat e parashikuara në protokoll.
Qendra në të cilën po realizohet aktualisht vaksinimi është e ndërtuar së fundmi me të gjitha standardet moderne të infrastrukturës dhe ofron për banorët e zonës një shërbim 24 orësh.
***
Në Shkodër, vaksinimi masiv është mirëpritur nga të moshuarit, të cilët vijojnë t’i drejtohen qendrave të ngritura enkas për këtë proces. “Në Shkodër janë vaksinuar deri tani mbi 10 mijë qytetarë. Përveç stafeve mjekësore, arsimtarëve, tani dhe të moshuarit.” – u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës që kryeministri Edi Rama bërë sot në këtë qendër.
Ministrja Manastirliu përditësoi të dhënat e fushatës së vaksinimit: “Kemi vaksinuar në këto ditë dhe gjatë gjithë fushatës së vaksinimit 68 mijë të moshuar. Dje arritëm 100 mijë të vaksinuar dhe po ecim me ritme shumë të shpejta. Nga të moshuarit po pritet shumë mirë, hezitim nuk ka dhe procesi po vijon rregullisht.”
***
Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u ndalën sot edhe në qendrën e vaksinimit në Koplik, ku ka nisur procesi i vaksinimit masiv për moshat mbi 70 vjeç. Vetëm sot parashikohen të vaksinohen mbi 200 të moshuar në këtë qendër.
“Deri më tani procesi në gjithë Shqipërinë ka ecur shumë mirë. Deri më datë 20 prill do të kemi edhe rreth 20 mijë vaksina nga kontrata me Pfizer. Sot kemi marrë dhe një informacion, në një nga dritaret që kemi aplikuar me COVAX, se në qershor do të kemi dhe 23 mijë vaksina të Pfizer. Ndërkohë që presim edhe vaksina të AstraZeneca nga instrumenti COVAX. Gjithashtu edhe vaksina nga kompania turke për kalendarin tjetër të distribucionit”, – bëri të ditur ministrja Manastirliu.