Fushata e vaksinimit ka nisur prej ditësh dhe krahas mjekut të familjes, për të lehtësuar regjistrimin e qytetarëve është vendosur në dispozicion edhe portali e-albania. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur sot, nga Rrogozhia ku Kryeministri Edi Rama ndoqi procesin e vaksnimit, se tek e-albania, deri më tani janë regjistruar mbi 15 mijë kërkesa për vaksinim.
“Mjekët e familjes po bëjnë një punë shumë të mirë. Por për të gjithë ata që nuk janë kontaktuar ende funksionon portali e-albania ku janë regjistruar më shumë se 15 mijë kërkesa për vaksinim, të cilave po u kthehet përgjigje për vijimin e procesit,” – deklaroi ministrja Manastirliu.
Edhe në Rrogozhinë, vaksinimi ka nisur prej ditësh. Pasi është mbyllur vaksinimi i personelit shëndetësor dhe mësuesve, po vijohet vaksinimi me grupmoshat 70+. Sot janë planifikuar të vaksinohen mbi 200 të moshuar.
Ministrja Manastirliu siguroi se procesi i vaksinimit “tashmë e ka marrë rrugën e vet dhe nuk do të ndalet”.
***
Mbi 150 mijë vaksinime janë kryer nga dita e nisjes së procesit të vaksinimit, deklaroi sot ministrja Manastirliu, gjatë vizitës që Kryeministri Edi Rama bëri në qendrën shëndetësore të Kavajës ku edhe aty ka nisur procesi i vaksinimit masiv për grupmoshat mbi 70 vjeç.
“Ne sot do të arrijmë mbi 150 mijë vaksinime, pra përfundojmë 50% të dozave të ardhura deri më tani dhe vijojmë me intensitet për të vaksinuar sa më shumë të moshuar e më pas për të zbritur dhe në fasha dhe grupmosha të tjera”, – u shpreh ministrja Manastirliu.