Procesi i vaksinimit vijon masivisht në ditën e 8-të me grupmoshën 70 vjeç plus, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë përgatitet që javën e ardhshme të hapë vaksinimin e grupmoshës 65 vjeç plus dhe të sëmurëve kronikë. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu vizituan qendrën e përqendruar të vaksinimit në Fier, ku deri tani janë kryer mbi 16 mijë vaksinime. Ministrja Manastirliu njoftoi mbërritjen e sasive të reja të vaksinave javën e ardhshme dhe zgjerimi i grupmoshave në proces.
“Kemi bërë një distribucion 100% të vaksinave, Sputnik dhe Sinovac. Javën e ardhshme presim të kemi sërish vaksina Pfizer dhe serinë e ardhshme të të Sinovac-ut javën që vjen, për të hapur grupmoshën e fashës 65 plus e ndoshta 60 plus me të sëmurët kronikë”, – deklaroi ministria Manastirliu.
Nga nisja e procesit të vaksinimit janë mbi 125 mijë të moshuar të vaksinuar. Ndërkohë vijon vaksinimi masiv i grupmoshës 70 plus, i efektivëve të policisë dhe të gazetarëve/operatorëve të terrenit, në qendrat e përqendruara dhe në qendrat shëndetësore në fshatra, afër vendbanimit për gjyshet dhe gjyshërit më të moshuar.
Kryeministri Rama ishte edhe në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Shtetit në Fier, ku është ngritur një nga qendrat e vaksinimit të efektivëve të policisë. Krahas qendrave të përqendruara të vaksinimit, për ta lehtësuar e përshpejtuar procesin, vaksinimi po kryhet edhe në komisariate.
Ministrja Manastirliu informoi se dje kur nisi edhe procesi janë vaksinuar 1000 efektivë të Policisë së Shtetit dhe në total janë 11 mijë efektivë që do të vaksinohen.
Ndërkohë ka përfunduar procesi për mësuesit, përfshirë mësuesit e shkollave jopublike, si dhe dozat e dyta për mjekët dhe personelin spitalor e të kujdesit parësor.