Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Impianti modern i përpunimit të mbetjeve në Fier është gati. Me vënien në funksion të tij, në fund të muajit prill do të mbyllet një plagë e kahershme mjedisore, e krijuar nga fushat e plehrave. Prej dekadash tashmë, ato digjen në natyrë, në mbarë Qarkun e Fierit, duke ndotur dhe dëmtuar rëndë mjedisn dhe ajrin përreth.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot impiantin e ri, në Fier, i cili është projektuar dhe realizuar sipas standardeve më të larta të teknologjisë, me pajisje që mundësojnë një sërë procesesh përpunuese.

“Mbaroi 100% montimi i impiantit. Tani jemi në fazën e montimit të pajisjeve specifike në veçanti. Impianti është një kryevepër inxhinierike e tre viteve të fundit. Këtu jemi në vendshkarkimin paraprak të mbejtjeve urbane ku do të bëhet edhe diferencimi manual i mbetjeve. Kapaciteti thithës i këtij inceneratori është 250 deri në 280 ton mbetje në 24 orë. Është planifikuar të punohet me turne 24 orë në Qarkun e Fierit dhe është parashikuar një staf prej 110 personash”, – shpjegoi përfaqësuesi i kompanisë, cili shtoi se për realizimin e veprës janë angazhuar kompani të mirënjohura në Europën. Në krah të gropës së depozitimit të mbetjeve vazhdon impianti i kaldajës, i realizuar nga një prej kompanive më të mirënjohura italiane në prodhimin dhe ndëtimin e kaldajave.

Kryeministri Rama e vlerësoi veprën, një transformim të madh teknologjik dhe çlirim mjedisor, që jo vetëm e ruan natyrën, por edhe e transformon pozitivisht atë. “Ky është transformim i madh teknologjik, çlirim i madh mjedisor. Për fat të keq ka patur shumë keqkuptime, lajme të rreme, shumë abuzime, shumë baltë si për të gjitha punët e mira që bëhen në Shqipëri, ka qenë ky lloj zakoni. Por tani vepra flet vetë, ashtu si flasin vetë realitetet në Tiranë, në Elbasan. Durrësi po shpëton pikërisht si rezultat i kësaj ndërhyrjeje. Favoret e kësaj teknologjie në raport me landfillet janë të mëdha. Landfilli ka një moment ezaurimi, vetëm zgjerohu. Kurse kjo nuk merr hapësirë toke, natyre. Përkundrazi, e transformon natyrën”, u shpreh Kryeministri.

Në fund të muajit prill është parashikuar të vihet në funksion i gjithë impianti për eleminimin e mbetjeve urbane.​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.