Kjo fillimjave shënon edhe uljen e fashës së grupmoshës së personave që mund të vaksinohen duke e çuar atë në 65 vjeç e sipër. Në Pogradec, ku kryeministri Rama ishte për të ndjekur vijimin e procesit masiv të vaksinimit, bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliru, procesi vijon normalisht, teksa janë mbi 3700 qytetarë të vaksinuar në këtë qytet.
“Sot do të arrijmë 200 mijë vaksinime, 192 mijë ishim dje dhe do të vijojmë të përmbyllim efektivët e policisë ndërkohë që përgatitemi të ulim fashën tek 65 vjeç dhe 60 për të sëmurët kronik. Ritmet e vaksinimit, krahasuar dhe me vendet e rajonit ritmet janë të larta dhe besoj që me angazhimin e të gjithë punonjësve të shëndetësie, vaksinatorëve dhe të strukturave tona, ky ritëm do të vazhdojë të jetë me intensitet të lartë”, – tha ministrja Manastriliu.
Ndërkohë në të gjithë qarkun e Korçës deri më sot janë më shumë se 9000 qytetarë të vaksinuar.
Në një komunikim me mediat, Kryeministri Rama u shpreh:
Jemi duke ecur me ritme shumë të larta. Në radhë të parë falë një organizimi realisht shumë efikas dhe patjetër dhe koordinimit shumë të mirë që bëhet nga ministria e Shëndetësisë, nën mbikëqyrjen e ministres deri tek qendra më e largët shëndetësore. Po ashtu edhe aplikimet online për vaksinim në portalin e-albania funksionojnë më së miri. Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje qytetarëve që ti referohen portalit e-albania për çfarëdo rasti kur kanë nevojë të drejtohen aty për tu regjistruar për vaksinimin dhe mendojnë se nuk po i njofton mjeku i familjes. Ndërkohë që mjekët e familjes njoftimin për vaksinimin e bëjnë në bazë të planit të vaksinimit dhe askush nuk do të mbetet pa u vaksinuar.
Këtë javë vijnë sasira të tjera të konsiderueshme vaksinash që na japin mundësi të vazhdojmë të vaksinojmë masivisht e po ashtu duke garantuar që sapo vjen afati i dozës së dytë, vaksinat të jenë në dispozicion. Besoj që po këtë javë do kemi dhe një lajm tjetër, për një tjetër dozë të konsiderueshme vaksinash të tjera.
– Çfarë komenti keni lidhur me tubimin masiv të kreut të opozitës shqiptare duke mos respektuar masat anti-covid? Keni bërë dhe një postim në rrjetet sociale facebook.
Kryeministri Edi Rama: Unë e kam përsëritur këtë çdo ditë. Për fat të keq ka njerëz të cilëve u duket kjo si politikë apo ka edhe më keq akoma që mendojnë se është shprehje xhelozie për turma. Faktikisht nuk ka diskutim që çdo parti politike e aq më shumë një parti si e jona mund të mbledhë njerëz masivisht por kjo është papërgjegjshmëri, në kushtet kur vaksinimi vërtetë është një armë fatale kundër armikut të padukshëm por nëse nuk shoqërohet me distancim e nëse paralelisht ne nuk bëjmë të dyja bashkë, vaksinim dhe distancim, sigurisht që vështirësojmë punën tonë. Aq më tepër pastaj që janë aty përpara syve tanë shembujt e vendeve të tjera kur për marshime të tilla elektorale janë humbur jetë njerëzish e janë plagosur shumë marshues. Nuk është kjo që duhet të ndodhë e nuk është kështu që duhet të sillet lidershipi politik i cilësdo forcë politike që pretendon të ketë një zë dhe të ketë një vend në tryezën e vendimmarrjes së vendit.