Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Bibliotekën e Korçës, brenda një hapësirë ultramoderne, e konceptuar për t’u shfrytëzuar maksimalisht nga të rinjtë, po merr jetë edhe qendra e re e mësimeve të teknologjisë së lartë, e cila do të shërbejë për orientimin e të rinjve në rrugën e punësimit në tregun global online, ku ata mund të krijojnë të ardhura të larta, pa qenë të detyruar të largohen nga vendlindja.

Qendrën e re e vizitoi sot, Kryeministri Edi Rama, i cili u njoh me punën e të rinjve të talentuar që të ardhmen e shohin premtuese në fushën e Teknologjisë së Informacionit. “Në godinën e Bibliotekës së re do të funksionojë edhe Hub-i i  Teknologjisë së Informacionit, ku ne duam të trajnojmë të rinjtë mbi njohuri të ndryshme të teknologjisë së informacionit dhe pastaj t’ia u ofrojmë këtë hapësirë si hapësirë pune. Duam të ngremë një komunitet të të rinjve që merren me teknologjinë. Kemi shumë shembuj të mirë të rinjsh që kanë filluar këtë punë”, – u shpreh deputeti i zonës Niko Peleshi, njëkohësisht Ministër i Mbrojtjes.

Partner në menaxhimin e kësaj qendre është Universiteti për Biznes dhe Teknologji, UBT, në Prishtinë, të cilët ofrojnë dijet dhe eksperiencën e tyre përmes një stafi të kualifikuar pedagogësh që trajnojnë të rinjtë.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo tha se falë projekteve inovative në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe punës së palodhur të të rinjve të talentuar, Korça së shpejti do të jetë një model suksesi, jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal. “Programi më i madh i Bashkisë së Korçës është programi që synon mbështetjen e teknologjisë dhe nëpërmjet teknologjisë krijimin e hapësirave të pafundme të punësimit për të rinjtë dhe të rejat e bashkisë sonë. Është një program që synon nga njëra anë trajnimin e sa më  shumë të rinjve në disiplinat e Teknologjisë së Informacionit dhe nga ana tjetër, mbështetjen e bizneseve të kësaj fushe që do të duan të vijnë dhe të hapin degët e tyre në qytetin tonë. Projekti më i rëndësishëm është ky Hub në qendër të qytetit, të cilin kemi zgjedhur ta menaxhojmë më një partner shumë serioz, siç është Universiteti për Biznes dhe Teknologji, UBT, në Prishtinë. Jam shumë i bindur që edhe falë eksperiencës të UBT-së dhe falë edhe investimit të bashkisë dhe mbështetjes së pakursyer të qeverisë që jam i sigurt do ta kemi edhe në të ardhmen, Korça do të jetë një model suksesi, jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal.”

Kryeministri Rama tha se qendra të tilla do të ngrihen në disa bashki qendra qarku, për t’i shtrirë në krejt bashkitë e vendit, brenda kësaj dekade. “Ky është shembulli i parë i një zinxhiri që do ta shtrijmë gradualisht në qendra qarqesh dhe pastaj më tutje në çdo bashki. Ne duam që brenda kësaj dekade, rinisë shqiptare t’i jepet një alternativë shumë e fuqishme përfshirjeje në tregun global, pa qenë nevoja për të marrë rrugët dhe për të lëvizur, jo nga qyteti, por as nga shtëpia dhe duke qenë aktorë në një treg ku ka shumë punë dhe patjetër ka të ardhura eksponencialisht më të larta se ato që garanton tregu i brendshëm. Fakti që jemi këtu sot, me këta partnerë të shkëlqyer, fakti që këtu ka filluar puna tregon që kjo nuk është një ëndërr më, nuk është as një dëshirë, por është një program i nisur. Plani ynë i Veprimit ka dhe aspektin e financimit të këtyre qendrave e përfshirjes dhe e stimulimit të të rinjve. Ne sot këtu jemi me dy partnerë që më të mirë s’kishim ku i gjenim, për të filluar, me Bashkinë e Korçës dhe me UBT-në e Prishtinës dhe jemi absolutisht të bindur që falë edhe një skuadre që janë mbledhur këtu, ne do ja dalim që ta transformojmë këtë ëndërr, që tanimë po futet në rrugën e realitetit, në një realitet të kudondodhur, duke filluar nga disa qendra qarqesh dhe pastaj duke u shtrirë në të gjithë qendrat urbane të Shqipërisë”, – u shpreh Kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.