Mësonjëtorja e Parë Shqipe është rikthyer si atraksion turistik për vizitorët vendas por edhe ata të huaj, pasi iu nënshtrua restaurimit pas goditjes që mori nga tërmeti. Krahas restaurimit të godinës është restauruar edhe e tërë linja muzeore dhe për herë të parë muzeu do të ketë edhe bibliotekën.
Kryeministri Rama vizitoi Mësonjëtoren, për të parë përfundimin e punimeve, bashkë me ministren e Kulturës Elva Margariti, e cila shpjegoi se koncepti i restaurimit bazohet në tendencën e sotme që i kthen muzetë në hapësira të hapura publike që funksionojnë edhe si qendra komunitare.
“Kemi përfunduar pothuajse, ka ngelur vetëm rivendosja e shkronjave sipas kompozimit të vitit 1987. Kemi bërë edhe sistemimin e jashtëm. Kjo është kthyer në një auditorium të hapur që do shërbejë edhe për komunitetin, si një hapësirë publike për të rilidhur idenë e muzeve që kthehen në qendra komunitare. Është hera e parë që në këtë muze do të kemi dhe një bibliotekë të mirëfilltë që frekuentohet dhe nga komuniteti. Janë mbi 750 tituj të dhuruara për bibliotekën”, – nënvizoi Znj. Margariti.
Restaurimi i godinës filloi menjëherë pas tërmetit, pasi godina mori shumë dëme, ka sjellë edhe rikthimin e elementëve origjinalë, historikë, në muze dhe aplikimin e teknologjisë digjitale. “Kemi një muzealizim, i cili tashmë është i gjithi i kompletuar me elementët historikë, me objekte origjinale. Këtu kemi pasur tërësisht elementë po themi fotokopje. Tani kemi dhe elementët dixhitalë. Ky është një muze që po vazhdon të kompletohet edhe me “QR Code”, siç kemi bërë dhe në Muzeun Mesjetar dhe të gjitha objektet e vendosura do të mund të skanohen e të merret informacion mbi ta. Janë objekte origjinale që kanë qenë kontribut shumë i rëndësishëm i familjeve korçare”, – u shpreh ministrja e Kulturës.
Faza e parë e restaurimit ka përfunduar dhe thirrja e ministres së Kulturës është për çdo familje, jo vetëm të Korçës, që të dhurojnë artefakte për Muzeun.