Në Kolonjë, Kryeministri Edi Rama vizitoi edhe gjimnazin “Petro Nini Luarasi” të sapo rikonstruktuar. Një kompleks bashkohor i arsimit të mesëm, ku krahas klasave dhe laboratorëve e kabineteve, është e pajisur me palestër dhe terrene sportive.
Kryebashkiaku i Kolonjës Erjon Isai theksoi se me këtë shkollë dhe atë të Leskovikut mbyllet rikonstruksioni i shkollave të Kolonjës. “Arsimi në Kolonjë është i pari për çdo familje. Me shkollat i kemi dhënë ato kushte dinjitoze që mësuesit dhe nxënësit meritojnë”, – u shpreh kryebashkiaku Isai.
Kryeministri inspektoi edhe përfundimin kantiereve të Rilindjes Urbane, të cilat shtrihen në lagjet e qytetit, rikualifikimin urban të hapësirave publike, veshja me sistemin kapot të pallateve dhe rehabilitimin e fasadave . “U ka dhënë banorëve shpresë, u ka dhënë ndjesinë që ku qytet e meriton këtë vëmendje dhe u ka rritur vlerën e shtëpive”, – tha Isai.
Ndërsa ish çerdhja e rrënuar prej 17 vitesh e qytetit është kthyer në qendrën e re sociale “Motrat Qiriazi”, me 48 shtretër, që do t’i shërbejë qytetit për nevoja të veçanta.
***
Leskoviku, është një tjetër fshat, që pas Ersekës ka përmbyllur me sukses investimin për 24 orë ujë të pijshëm. Asnjëherë, përgjatë dekadave, ujësjellësi i dikurshëm nuk ka mundur të ofrojë furnizim me ujë 24 orë, si pasojë e rrjetit të amortizuar e me teknologji të vjetëruar.
Sot, sistemi modern dhe teknologjia bashkohore, mundësojnë që përmes ujësjellësit të ri, uji i pijshëm 24 orë të jetë realiteti i çdo familjeje të kësaj zone.
“Në datën 15 prill mbaron lidhja e abonentëve të gjithë Leskovikut, duke siguruar 24 orë ujë të pijshëm me një rrjet totalisht modern, për herë të parë në historinë e Leskovikuit. Pasi edhe kur është ndërtuar ai ujësjellës, nuk ka garantuar furnizimin me ujë të popullsisë 24 orë. Provat e ujit janë bërë, kanë dalë të suksesshme. Nga 15 prilli e në vazhdim i gjithë Leskoviku, mbi 2 mijë banorë do të furnizohen me ujë të pijshëm”, – informoi kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, gjatë inspektimit që kryeministri Edi Rama bëri në ujësjellësin e ri të Leskovikut.
Brenda vitit edhe 34 fshatra të Kolonjës do të furnizohen për herë të parë në histori me 24 orë ujë të pijshëm, falë investimeve që po kryhen. “Brenda këtij viti do të jemi bashkia e parë në Republikën e Shqipërisë që gjithë krahina e Kolonjës, do të jetë furnizuar me 24 orë ujë”, – u shpreh kryebashkiaku Isai.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama u shpreh se me kantieret e hapura në të gjithë vendin do të zgjidhet përfundimisht çështja e furnizimit me ujë në të gjitha qendrat urbane. “Më vjen shumë mirë që po përmbyllet kjo historia e legjendës së ujit. Janë më shumë se 120 kantiere në Shqipëri. Po mbyllet nga veriu deri në jug poshtë, Programi Kombëtar i Ujit me investimet që po bëhen për të gjitha qendrat urbane dhe qendrat me banim intensiv. Ndërkohë që këtu janë 34 fshatra që marrin ujë të pijshëm”, – tha Kryeministri.
***
Gjatë vizitës së tij në qytezën e Leskovikut, Kryeministri Rama u takua me banorë, të cilët kishin dalë në pedonalen e restauruar tashmë si pjesë e programit të Rilindjes Urbane. Kryebashkiaku i Kolonjës, Erjon Isai foli edhe për projektet që po realizohen në këtë zonë.
“Do të fillojmë rrugën Ersekë – Leskovik si pjesë e aksit të juglindjes. Ka filluar punë nënstacioni elektrik, investim i OSHEE-së që zgjidh njëherë e përgjithmonë problemet me energjinë elektrike, një problem i kahershëm për zonën dhe për 6 muaj, edhe ky problem do të jetë i zgjidhur.”, – u shpreh Isai.
Kryeministri ndërsa përshkoi pedonalen në këmbë, pyeti të moshuarit e qytezës, nëse e kishin bërë vaksinën, të cilët u përgjigjën pozitivisht.