Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Zonat me natyrë piktoreske që ofron Përmeti dhe fshatrat përreth tij do të jenë lehtësisht të arritshme, falë infrastrukturës që sa vjen e përmirësohet. E tillë është rruga Përmet –Çarshovë, aktualisht një kantier i hapur, por që shumë shpejt do të kthehet në një mundësi të re për shijuar mrekullinë e natyrës përmetare.

“Ka qenë tërësisht e amortizuar gjatë kësaj periudhe”, – shprehet kryetarja e Bashkisë së Përmetit Alma Hoxha, gjatë inspektimit që Kryeministri Rama bëri sot në aksin Përmet – Çarshovë.  “Realizimi i këtij investimi do t’i japë një hov zhvillimit të turizmit këtu në Përmet. Tashmë, Përmeti nuk do të jetë një xhep që vjen në Përmet dhe pastaj kthehesh, por turisti do të vazhdojë rrugën për në Çarshovë. Kemi sërish lidhjen e Përmetit me tre Urat. Është një aks rreth 28 kilometra, ka qenë shumë i vështirë,” – vijon më tej kryebashkiakia.

Me rrjetin e rrugëve të reja që janë në ndërtim e sipër dhe që do të vijojnë në të ardhmen në këtë zonë do të zgjerohet së tepërmi oferta turistike e Korçës, Përmetit e Gjirokastrës. “Ka një rëndësi strategjike, jo vetëm për Përmetin dhe Korçën, por për zhvillimin e turizmit në të gjithë këtë pellg, duke dhënë dhe marrë në mënyrë që të diversifikohet oferta që kush shkon në Korçë, të ketë mundësi të kalojë dhe këtej, të shohë Tepelenën, Gjirokastrën, të ketë mundësi të kalojë dhe andej, të shohë Kolonjën, Korçën, Devollin, Pogradecin, të përfitojë nga rruga Ersekë –Leskovik dhe Përmet,”, – u shpreh kryeministri Rama, ndërsa theksoi se falë infrastrukturës lehtësuese do të afrohet lidhja me detin edhe e shumë qyteteve të tjera.

“Mbyllet vitin e ardhshëm Korçë-Ersekë. Ndërkohë që është bërë fantastike pjesa që është ndërtuar. E ka lehtësuar shumë ndërlidhjen dhe me rrugën Korçë – Ersekë bëhet për 15 minuta e pak. Me rrugën Ersekë –Leskovik-Përmeti ndryshon gjithçka dhe procedura është  hapur, me programin e financimit të BB-së e që është programi i zhvillimit të turizmit në gjithë këtë pellg,” – u shpreh Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.