Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantieret e rilindjes së qyteteve, në Lushnje.

Rikonstruksioni total i rrugës nga rrethrrotullimi i Plugut deri në hyrje të qytetit është drejt përfundimit. Kjo është edhe rruga hyrëse e këtij qyteti. Me një investim prej 107 milionë lekësh, një rrugë plotësisht e shkatërruar, në dy anët e së cilës mund gjeje gjithfarëlloj lokalesh dhe tezga tregtarësh, po kthehet në një hyrjeje dinjitoze që do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen për në qytet. Ishte një rrugë, tha Kryeministri, që mund të konsiderohej më shumë si një rrugë tankesh, sesa një hyrje dinjitoze qyteti.

Punimet kanë përfshirë jo thjesht rikonstruksionin e plotë të rrugës, por dhe rikonceptimin urban të hapësirës përreth saj. Sipas kryetarit të Bashkisë së Lushnjes, fillimisht u desh të tejkaloheshin disa vështirësi që lidheshin me ndërtimet pa leje buzë rrugës, si dhe shpronësimi i disa ndërtesave që shërbenin si lokale, për shkak se kishin marrë më parë lejen e legalizimit dhe disa prej objekteve vetëm pak ditë para se të betohej qeveria e re në shtator 2013. Shpronësimi i të cilave u ka kushtuar shqiptarëve 540 milionë lekë.

“Legalizim abuzive, nuk merreshin me legalizimet e shtëpive, por merreshin me legalizimet e mejhaneve në mes të rrugës, kosto kjo edhe për njerëzit që paguanin edhe taksa dhe nuk hynin dot në qytet, se qyteti ishte i bllokuar nga pamundësia për të hyrë nëpër rrugë normale hyrëse në një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Ndërkohë duhet të plotësohet me trotuare, me ndriçim dhe të gjitha aksesorët e një rrugë hyrëse, të bëhet njësoj si rruga hyrëse për Tiranë, siç do të bëhet rruga hyrëse për Vlorën, për Fier, si të gjitha rrugët hyrëse të bashkive të reja, që për fat të keq, për gjithë këto vite u braktisën në zemrën e  tyre në qytet dhe i lanë qytetarët pa asnjë shpresë, por vetëm me pamjen e braktisjes dhe të harresës,” – u shpreh Kryeministri në bisedë me kryetarin e bashkisë së Lushnjës Tushe.

***

Një investim i rëndësishëm për qytetin është rikonceptimi i sheshit qendror. Punimet për rikualifikimin e tij kanë hyrë në fazën përfundimtare. Ky shesh, me një sipërfaqe prej 18 mijë metra katrorë, i dedikuar plotësisht qytetarëve të Lushnjës, është investim prej 240 milionë lekësh i qeverisë shqiptare.

Kryeministri u informua nga Kryetari i bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe mbi projektin. Ai parashikon shtrimin dhe kthimin e tij në pedonale, unifikimin e fasadave të pallateve, gjelbërimin, stolat, si dhe korsitë e parashikuara për biçikleta. Një vend i veçantë është konceptuar edhe për parkimin e automjeteve, pas çlirimit të hapësirave nga objektet e paligjshme.

Investimi e shndërron sheshin, nga një infrastrukturë të amortizuar e tërësisht jofunksionale, në një hapësirë moderne publike ku qytetarë të çdo moshe, do të gjejnë një vend për veten e tyre.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.