Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Pas shkollave të rindërtuara nga qeveria shqiptare ka nisur blloku i dytë i shkollave me financim 100% nga Bashkimi Europian. Janë 12 shkolla në proces finalizimi dhe 15 të tjera parashihet të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm. Kryeministri Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga ambasadori i Bashkimi Europian në Shqipëri Luigi Soreca ishin në Kamëz për të parë ecurinë e punimeve në shkollën “Dom Nikollë Kaçorri”.

“Kjo është një nga shkollat që ndërtohet nga Komisioni Europian me EU for Schools 1 dhe EU for Schools 2, që është i njëjti program me dy insturmenta. Shkolla “Dom Nikoll Kacorri” ka 310 nxënës, ndërsa është edhe kopshti me ambiente të përbashkëta të mëdha, me kapacitet për 110 fëmijë. Cilësia e punimeve është jashtëzakonisht e lartë, ndërkohë që ambiente sportive do jenë jashtë. Brenda do ketë laboratorë dhe një sallë të madhe multifunksionale. Besojmë që për dy muaj këtu mbarojnë punimet. Komisioni Europian ka financuar 115 milinë euro grant për dy programe të mëdha. Një është për shkollat dhe e tjetri është për trashëgiminë kulturore”, – u shpreh ministri Ahmetaj.

Ambasadori Soreca shprehu vlerësimin e tij për cilësinë e punimeve në këtë shkollë, ndërsa 12 shkolla, të financuara nga BE-ja janë të parashikuara të mbarojnë brenda muajit qershor.

“Ky është blloku tjetër i shkollave, pasi kemi zhvilluar bllokun e parë me fondet e qeverisë shqiptare. Tani po zhvillojmë bllokun e dytë me mbështetjen e BE-së. Bashkimi Europian ishte donatori më i madh i Konferencës, kështu që një falënderim i madh për Komisionin Europian, për ambasadorin, i cili ka qenë që nga sekonda e parë pas tërmetit në krahun tonë dhe sëbashku me komisionerin e me presidenten e Komisionit, kanë qenë shtytësit më të fuqishëm për të realizuar suksesin e madh të Konferencës, që po përkthehet në objekte konkretet për fëmijët, për mësuesit, për prindërit”, – tha Kryeministri Rama.

Përveç arsimit, Bashkimi Europian do të investojë në Shqipëri edhe 40 milionë euro për projekte të ndryshme në kulturë. “Kemi 12 shkolla, të cilat po finalizohen dhe 15 të tjera vitin tjetër dhe 40 milionë të tjera fond për kulturën. Do të fillojmë së shpejti me Mozaikun e Muzeut në sheshin Skëndërbej. Ky ka qenë vizioni që shikonim për Shqipërinë e të ardhmes, prandaj edukimi dhe kultura janë fusha që donim të ndërtonim me sytë drejtë së ardhmes”, – deklaroi ambasadori Soreca.

***

Shkolla 9 vjeçare “Sherif Dervishi”, që bën pjesë në bllokun e dytë të shkollave të financuara 100% nga Bashkimi Europian, është aktualisht një kantier i hapur ku po punohet papushim për t’u dhuruar së shpejti, 230 nxënësve të kësaj zone, një infrastrukturë të re, të standardeve më bashkohore.

“Shkolla ka 14 ambiente të reja. 9 janë klasa shkolle, nga klasa e parë deri në të nëntën. Ka laboratorë fizike, kimie, informatike, ka sallë polifunksionale, bibliotekë. Ka palestër dhe fushë sportive të hapur,” – u shpreh kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi gjatë inspektimit që Kryeministri Rama bëri sot në terren.

Paralelisht me ndërtimin e shkollës së re, kanë vijuar investimet edhe në infrastrukturën rrugore. “Kemi përfunduar edhe rrugën për në fshatin Budull, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Po ashtu, në këtë fshat janë bërë goxha investime”, – shtoi kryebashkiaku Bushi.

Ndërkaq Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca tha se së shpejti do nisin projektet për kulturën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.