Bypass i Vlorës, është një investim strategjik i rëndësishëm, në infrastrukturën e vendit, me vlerë 35 milion euro. Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrrotullimi, në fund të autostradës Levan – Vlorë.
Së bashku me rrugën Transballkanike, e cila lidh autostradën me qytetin, si dhe rrugën e re të Lumit të Vlorës, ky qytet kthehet në një epiqendër të rëndësishme investimesh infrastrukturore, me impakt të rëndësishëm në ekonominë e vendit.
Kryeministri Rama u ndal sot në Vlorë për të inspektuar këtë vepër madhore, financim i BEI, BERZH dhe IPA, përfundimi i së cilës do të krijojë kushte të reja optimale për shfrytëzimin e zonës turistike.
Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, u shpreh se ky projekt i rëndësishëm do të vendosë një rrjedhë krejtësisht tjetër, të trafikut, deri më sot të rënduar për të gjithë zonën, duke lehtësuar në maksimum lëvizjen për në destinacionet turistike, si në Rradhimë, Orikum, etj. Një lehtësim të ndjeshëm do të ketë edhe në komunikimin e fshatrave me qytetin e Vlorës. “Trafiku i mëparshëm përmes qytetit vërtet krijonte situata të pakëndshme dhe dekurajonte shumë ardhjen e vizitorëve. Kjo mund ta trajtonte fare mirë dhe do të jetë pjesë e strukturave tona dhe e planeve tona për aksin veri-jug. Do të jetë një situatë krejtësisht tjetër për të gjithë zonën turistike te bregut, që do të jetë e aksesueshme në një kohë shumë më të shkurtër, më pak se dy orë.”
Kryeministri u shpreh se me tre investimet e rëndësishme strategjike do të ndryshojë tërësisht konfiguracioni turistik dhe ekonomik i vendit, duke i bërë zonat turistike lehtësisht të arritshme, si dhe duke krijuar hapësira të reja ekonomike. Përveç të tjerave, kryeministri shtoi se kjo rrugë do të jetë spektakolare për sa i takon aspektit ambiental dhe atij panoramik. “Me Transballkaniken nga një anë dhe me bypass e Vlorës nga kjo anë dhe me rrugën e re të lumit të Vlorës së treti, bëjmë për Vlorën volumin më të madh të investimeve te përqendruara në territor, ne rang Republike.
Faktikisht, me këto tre investime strategjike ndryshojmë tërësisht konfiguracionin turistik dhe ekonomik, pasi hapim hapësira të tëra ekonomike, turistike dhe padyshim edhe ajo që tha ministri, transformojmë tërësisht edhe qarkullimin e trafikut, duke krijuar kushte optimale për qytetin dhe për të gjithë zonën turistike, duke krijuar po ashtu, mundësi që të përballohet një fluks edhe me i madh se ç’parashikohet me rritjen e turizmit, por edhe me një presion shumë më të vogël mbi vendbanimet.
Ky është së fundi një investim, i cili ka dhe një arsye tjetër për te qenë të kënaqur sepse është dhe një projekt i bërë me një kujdes të madh. Ishte një projekt ekzistues, por u rishikua me një skuadër ekspertësh italiane dhe shqiptare edhe nga pikëpamja ambientale. Rruga, për nga ana ambientale dhe panoramike, do te jete spektakolare.”
***
Një tjetër kantier i rëndësishëm pune vazhdon në Vlorë për zgjerimin e vijës së plazhit në një gjatësi prej 2 km përgjatë vijës bregdetare. Aktualisht po punohet për shtresëzimin e strukturës së brendshme dhe mbushjen me rërë të plazhit.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në këtë kantier. Zona ku po ndërhyhet shtrihet nga porti i Vlorës deri në afërsi të Tunelit në zonën e Ujit të Ftohtë. Një zonë është shumë e frekuentuar gjatë sezonit veror. Ky projekt do të përmirësoje plazhin ekzistues dhe të shtojë hapësira të reja.
Një takim interesat, Kryeministri pati aty me pjesëmarrës të kompeticionit “Albania Open 2015”, një event i përvitshëm i aeronautikës, që sjell në Shqipëri fluturues nga vende të ndryshme. Alketa Islami, President i “Albania Open” e njohu Kryeministrin me faktin se në vitin 2017, Shqipëria do të jetë vendi ku do të zhvillohet kampionati botëror i aeronautikës.
Kryeministri e konsideroi një investim strategjik që transformon jo vetëm vijën bregdetare të Vlorës në një nga vijat më të bukura bregdetare të Mesdheut, por edhe të gjithë platformën për turizmin. Kampionati botëror i fluturimit, nënvizoi Kryeministri, do të jetë një moment i jashtëzakonshëm për të promovuar Vlorën dhe turizmin shqiptar.
“Zgjerimi i plazhit është në rrugë tani. Për pak ditë lidhet kontrata me Komisionin Europian për financimin e pjesës tjetër. Faktikisht, i gjithë kantieri plotësohet, sepse kemi pasur tre pjesë të ndryshme. Njëra pjesë është kjo që ka filluar me rërën, për të cilën janë bërë edhe analiza në një laborator në Itali, sepse vlonjatët në fillim kishin shqetësim, nëse do të ishte rëra e duhur. Faktikisht, rëra ka dalë me një cilësi optimale. Është pritur gjithë cikli i këtij shtresëzimi natyral, pasi projektuesit nuk donin që të përdornin gurët, për të mbytur gjithë sipërfaqen me gurë dhe praktikisht për ta cenuar nga pikëpamja e strukturës së vet të brendshme. Shtresëzimi do të vazhdojë me një teknikë optimale thasësh më rërë, të cilët vendosen në pjesën e poshtë dhe pastaj garantojnë gjithë soliditetin dhe natyralitetin e kësaj platformë të jashtëzakonshme, në raport me atë që ishte për nga sipërfaqja.
Në krahun tjetër do të vazhdojë gjithë pjesa që ka të bëjë me infrastrukturën dhe me transformimin në shëtitoren, praktikisht më të gjatë të bregdetit. Pjesa e tretë janë pishat, të cilat janë porositur, sepse duhej të porositeshin një vit më parë. Pisha të rritura që do të shoqërojnë gjithë këtë vijë bregdetare, ashtu siç ishte në projekt.
Duke qenë se për vite të tëra, Vlora ka pasur një braktisje totale dhe ka pasur një boshllëk në pamundësi për të thithur gjithë atë turizëm që mund të thithë, padurimi ka qenë e mbetet i madh dhe është i mirëkuptueshëm, por çdo punë do kohën dhe punën e vet, në mënyrë që të bëhet me standarde optimale. Jam i bindur se përfundimi i punimeve do të qetësojë plotësisht shpirtin e këtij qyteti, kaq shumë kohë të harruar, të braktisur dhe të dërrmuar nga braktisja dhe mungesa e mbështetjes financiare të qeverisë.
Pak më parë ishim në rrugën e re që do të jetë Bypass-i i Vlorës. Me Bypass-in, me rrugën Transballkanike që përfundimisht lidh autostradën me qytetin dhe rrugën e lumit të Vlorës që tanimë jo vetëm është projektuar, por ka marrë edhe mbështetjen financiare nga një institucioni huaj financiar dhe presim të nënshkruajmë kontratën, besoj në shtator dhe me vijën bregdetare kemi volumin më të madh të përqendruar të investimeve në territor si territor i Shqipërisë. Padyshim bëjmë edhe një investim të madh strategjik në këtë periudhë të parë të qeverisjes, sepse është praktikisht transformimi i të gjithë platformës së gatishmërisë për turizmin, që nuk mund të mos ketë Vlorën si pikën kryesore të gravitetit.
Kështu, në 2017 kur të vini do të jetë komplet gjë tjetër dhe do të jetë një moment i jashtëzakonshëm për ta shfrytëzuar këtë kampionat botëror, për ta promovuar Vlorën. Kemi thënë se do të jetë një nga vijat më të bukura bregdetare të Mesdheut dhe do ta bëjmë.”
Alket Islami i përcolli Kryeministrit edhe përshtypjet e përftuara gjatë qëndrimit katër ditor në këtë zonë, për mënyrën, tha ai, si po punohet këtu dhe si po lëviz shoqëria. “Ky është edhe testi i parë i kësaj rëre që po merr formën e rërës rërë,” – tha Islami, ku sëbashkë me garuesit e tjerë ishin në pritje të kryerjes mbi këtë plazh të fluturimit të radhës. Kjo shërbeu edhe për një shkëmbim batutash mes tyre dhe punëtorëve që po kryejnë mbushjen e plazhit me rërë. “Lëre se më çmendën vlonjatët. Më çonin mesazhe, më thonin dhe. E çuam në Itali, në një laborator në Venecia, i bëmë të gjitha analizat dhe rezultoi se nga pikëpamja e përmbajtjes është optimale, madje edhe më mirë se sa ishte nga pikëpamja e përmbajtjes,” – tha Kryeministri. I cili u mbështet nga një ndër punëtorët e vjetër: “Këtë e dimë edhe ne që punojmë këtu te plazhi, që kjo është rërë puro, 100% rërë.” Por Kryeministri pati edhe një tjetër batutë për këtë: “Ne i dimë këto punë, por ata me flokët me xhel që rrinë në FB, ata agresion.”