Fjala e Kryeministrit Edi Rama me rastin e “Ditës së Europës”:
Dëshiroj të falenderoj Ambasadoren Vlahutin që zgjodhi këtë vend për të celebruar një datë të re në histori, krahasuar me lashtësinë e këtyre gurëve.
Nuk besoj se është vetëm imazhi i lëmuar i një Shqipërie romantike, i një bukurosheje të fjetur brenda portikësh antikë, mbi një shtrat të gjelbërt e të kaltërt, që bindi ambasadoren ta celebronte sot, këtu, ditën e Europës.
Bindem se është vërtet vendi i duhur për këtë celebrim, kur kujtoj se nën një muzg të ngjashëm, sipas Virgjilit dhe Zhan Rasin, Oresti i Grekëve i kërkoi Pirros së Epirit shugurimin e një paqe afatgjatë, tamam këtu në Butrint.
Po këtu, Enea i Trojës, nën një muzg, gjithashtu të ngjashëm, vendosi të nisë rrugëtimin e tij që do ta çonte, sipas legjendës, në zemër të Laciumit, në zemër të Romës.
Personazhe që mishërojnë aspiratën që rreket të gjejë drejtimin e duhur, legjendarë po aq sa autentikë, historia e tyre e bën teatrin e Butrintit jo vetëm estetik, por dje, sot e gjithë ditën, politik.
Kërthizë e Europës së aspiratës dhe jo kufi i mbretërisë së bukuroshes së fjetur, Butrinti shfaqet si një nga djepet ku u përkund ideja europiane e universalitetit.
Çdo gur dhe kolonë në këtë vend i bën një jehonë të shurdhët, por të pareshtur si të thuash, gjeometrisë së kësaj ideje.
E zhveshur nga çdo megalomani, e hapur ndaj larmisë dhe dialogut të urtë, më shumë se cilado ide tjetër, ajo mbetet një utopi e së mundshmes, siç pat thënë për të një nga etërit e Europës, origjinat atërore të të cilit ishin prej ujdhesës joniane, konti Coudenhove-Kalergi.
Dhe, në fakt, nëse paralelizmi midis kësaj date dhe dorëzimit më 9 maj 1945 të garnizonit nazist të Pragës që shënoi fundin e tymnajës së Luftës së Dytë Botërore në Europë është legjitim, simboli i kësaj dite shkon edhe më përtej.
Kur më 9 maj 1950, Gjermania dhe Franca nënshkruan deklaratën që krijonte bërthamën e parë të bashkëpunimit konkret europian, historia i dha të drejtë një vizioni antik dhe të mishëruar dhe jo një fluturimi ëndërrimtar të hallakatur.
“Europa nuk do të bëhet me një të shtënë dhe as në formën e një parafabrikati monolitik; ajo do të bëhet nëpërmjet realizimesh konkrete, duke krijuar pikësëpari dhe mbi të gjitha një solidaritet faktik”.
Me këto fjalë, Robert Schuman tregonte drejtimin e duhur, ndonëse vulosje e aspiratave për pajtim midis Francës e Gjermanisë, deklarata e 9 majit do të merrte të gjithë kuptimin e saj historik, duke u lënë e hapur për nënshkrim nga çdo vend europian që do të dëshironte të përfshihej në këtë aventurë madhështore ardhmërie të përbashkët.
Si çdo dramë që është gatuar në të tillë amfiteatër, edhe Dita e Europës përmban një moral të sajin.
Nëse, siç nuk kemi reshtur së përsërituri, Europa ka nevojë për Ballkanin, kjo nuk i detyrohet një figure stili apo një piruete retorike, por një realiteti dhe një nevoje historike sot më shumë se asnjëherë të pashmangshme.
Duke kundruar tanimë natën e historisë që po na përkund të gjithëve në këtë moment në Butrint, dëshiroj ta mbyll këtë fjalë, duke sjellë këtu klithmën e zemrës së një shkrimtari të madh francez, Zhan Psihari, të cilin Robert Schuman dhe Kudenhove-Calergi nuk do ta kishin mohuar:
“Stërgjyshër të Bretanjës, të lagunave adriatike, të Paros, të Shqipërisë, Hios e Stambollit, ju që me gjakun tuaj na mpiksët një gjak dhe një heroizëm europian”, të jeni dëshmitarë në këtë tempull të përjetësisë, se për shqiptarët, çdo ditë që do të ndjekë këtë natë, do të jetë sot e kurdoherë për ne, dita e zemrës, dita e Europës.
Koncert të këndshëm!