Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Investimet madhore në shëndetsi po vijojnë aktualisht në QSUT me Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme, një infrastrukturë ultramoderne e standarteve më të larta bashkëkohore, e cila do të hyjë në shërbim brenda vitit.

Për të inspektuar ecurinë e punës së deritanishme ishte sot në kantierin ku po punohet papushim, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastarliu.

“Jemi në momentin që Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme, ka ecur në një nivel të ri të investimit që qeveria shqiptare tashmë ka filluar prej  14. 8 milionë euro. Jemi në një fazë të avancuar të punimeve. Duam ta mbyllim këtë investim brenda këtij viti, në muajin dhjetor. Aktualisht puna po vijon me gjithë instalimet elektrike. Risia në këtë spital të ri është që gjithë shërbimi i urgjencës polivalente që sot ofrohet në godinën A1, do të transferohet në këtë spital dhe ambientet aktuale ku ndodhet urgjenca do të ofrohen si ambiente shërbimi për qytetarët, por mbi të gjitha si spital ditor ku do të ketë eficencë më shumë shfrytëzimi i shtratit  dhe duke ndihmuar kapacitete në këtë spital” – shpjegoi Ministrja e Manastirliu, e cila shtoi ndër të tjera se në total infrastruktura e re spitalore do të ketë 271 shtretër të ndarë sipas shërbimeve të kardiologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, gastrohepatologjisë, etj ndërkohë që gjithë zhvillimi i këtij spitali është projektuar të integrohet me godinën e pare, duke ofruar rienergjizim të të gjithë kapaciteteve aktuale.

Modernizimi i infrastrukturave spitalore në tërësi, do të sjellë shmangjen e kaosit të krijuar shpeshherë nga mungesa e mjediseve të posaçme për familjarët apo mjediesve për lëvizjen e lirshme të stafit. “Risia e këtij objekti duke nisur nga kati 00 është se urgjeca dhe hyrja e urgjencës nuk do të jenë më brenda duke krijuar konfuzion, por do të aksesohet direkt nga rruga e Dibrës, duke liruar në fazën tjetër edhe katin 00 të objektit të mëparshëm, në të cilin vitin e kaluar përmbyllëm katin e tretë dhe të katërt” – u shpreh inxhinieri drejtues i punimeve.

Ndërkohë që Ministrja Manastirliu shtoi se  “Masterplani i zhvillimit të QSUT krijon gjithashtu një hapësirë të re për të gjithë lëvizjen qoftë të stafit, qoftë të familjarëve, brenda gjithë hapësirës ekzistuese.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.