Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian:

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit!

E nderuar zonja ambasadore e Bashkimit Europian,

E nderuar zonja Kryetare e Këshillit!

Të nderuar anëtarë të Këshillit dhe përfaqësues të trupit diplomatik!

Së pari, më lejoni të shpreh kënaqësinë dhe vlerësimin për arritjen në këtë moment, pas një përpjekjeje të gjatë dhe shprehjes së një vullneti të mirë nga ana e shumicës parlamentare dhe qeverisëse, për të ngritur Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian dhe për t’ia besuar drejtimin e këtij këshilli opozitës shqiptare.

Në emër të qeverisë, dua ta shpreh shumë qartë bindjen dhe vullnetin, që të jemi në mbështetje të pakushtëzuar të punës së këtij këshilli dhe të siguroj që të gjithë për angazhimin e plotë të çdo përfaqësuesi të ekzekutivit në këtë këshill.

Nga ana tjetër, më lejoni të shpresoj se përmes angazhimit të përbashkët do të arrimë që të krijojmë së paku në këtë këshill një mjedis, ku flitet për problemet e mprehta të integrimit, për sfidat e mprehta shoqërore dhe politike që na imponon integrimi, duke lënë mbrapa derës të gjithë klimën, që në fakt, nuk i përshtatet shumë frymës së integrimit, siç është klima e Parlamentit.

Nga ana tjetër, shpresoj që formësimi i këtij këshilli të jetë një shembull frymëzues për opozitën që t’i bashkohet edhe përpjekjes gjithëpërfshirëse të shumicës në tryezën e reformës së drejtësisë, ku besoj si asnjëherë me parë në historinë e pluralizmit në Shqipëri, është organizuar dhe po shkon përpara në një proces shumë të gjerë, që po tejkalon, si asnjëherë tjetër, kufijtë e politikës dhe që ka të angazhuar ekspertë të nivelit më të lartë, vendas dhe të huaj, ashtu si dhe përfaqësues misionesh dhe institucionesh.

Kështu që, do të ishte vërtetë rezultati i parë dhe vërtet inkurajues i këtij këshilli që me forcën e këtij shembulli ti kishim një ore e me parë opozitën e munguar si prezencë në procesin e reformës në drejtësi.

Së fundi me lejoni t’i uroj këshillit suksesin e dëshiruar.

Është një eksperiencë tërësisht e re për ne, është një eksperiencë, të cilën që e kemi marrë si model nga paraardhës të suksesshëm të integrimit, që tanimë janë anëtare të BE. Është një eksperiencë që do të sprovojë pjekurinë dhe vullnetin tonë për të bashkëpunuar me të njëjtin qëllim, jo vetëm duke e thënë, por edhe duke bërë secili detyrën e vetë në drejtim të këtij qëllimi, i cili është integrimi të Shqipërisë në BE.

Ju faleminderit dhe suksese të gjithëve! Në radhë të parë, suksese Kryetarit të Këshillit në drejtimin e këtij institucioni të ri, të formuar me vullnetin e plotë dhe si asnjëherë me parë verifikuar, të shumicës qeverisëse në vendin tonë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.