Në Qendrën e vaksinimit të përqendruar në sheshin “Skënderbej”, procesi i vaksinimit ka nisur sot për një tjetër grup risku, që janë punonjësit e transportit publik, qytetas dhe ndërqytetas. Në tërësi janë mbi 4700 punonjës të këtij sektori, të punësuar dhe të vetëpunësuar, që do të vaksinohen, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit që Kryeministri Edi Rama bëri paradite në këtë qendër.
“Kemi filluar sot me këtë grup risku në të gjithë Shqipërinë. Janë kryesisht punonjësit që punojnë në transportin publik, si dhe shoferët e taksive. Organizmi po bëhet me shoqatat dhe Drejtorinë e Rrugëve dhe të Transportit. Kryerja e vaksinimit të kësaj kategorie është njëkohësisht dhe një çlirim sa i përket masave, sidomos tani gjatë sezonit turistik”,- tha Ministrja, teksa shtoi se njëkohësisht vijon vaksinimi me dozën e dytë për të moshuarit.
“Mbi 250 mijë qytetarë kanë kryer edhe dozën e dytë, ndërkohë që në total vaksinimet janë mbi 740 mijë, duke llogaritur edhe vaksinimet që po kryhen sot. Brenda qershorit do të mbërrijmë në 1 milionë vaksinime, duke filluar edhe me uljen e grup moshave,” – u shpreh ministrja Manastirliu.