Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit dhe Artit, “Tirana Open 2015”:

Një vit më parë, në këtë festival u pa fare dukshëm, potenciali i një iniciative që sidoqoftë mbetej e gjitha për t’u shfrytëzuar në vitet në vijim.

Sot, “Tirana Open 2015” është harta e punimeve pjesëmarrëse shumë më e gjerë sesa një vit më parë, duke u zgjeruar Afrika e Jugut në Suedi, nga Italia në Izrael. Është një hartë më e pasur se asnjëherë për një aktivitetet të vetëm, zgjeruar përtej librave dhe arteve pamore, me koncerte, dokumentarë, filma, “laboratorë urban”, ekspozita, recitale, vizita të shkrimtarëve të mëdhenj dhe të tjera evenimente publike brenda këtij evenimenti, duke sjellë në jetën kulturore të vendit tonë dhe të kryeqytetit tonë, një energji europiane.

“Arti dhe kultura janë gjithmonë e më shumë një burim kryesor punësimi, një mjet i gjithëpërfshirjes sociale dhe i promovimit të diversitetit të Europës”, shkruhet në strategjinë e BE-së për kulturën në vitet 2014-2020.

“Tirana Open” është një shembull i shkëlqyer i mishërimit në realitet të këtij vizioni pan-europian, duke sjellë së bashku, një koleksion të shumëllojshëm veprash dëshmish dhe padyshim, edhe një tërësi të shumëllojshme artistësh dhe institucionesh kulturore, shqiptare apo të huaja.

Festivali i Librit dhe Artit Pamor është gjithashtu, një pjesë domethënëse e një vizioni më të gjerë për rilindjen e vendit tonë si një Rilindje Urbane dhe Kulturore, si një Rilindje që është e lidhur drejtpërdrejt me ripërtëritjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe të hapësirave të kujtesës së përbashkët kombëtare, me bashkërendimin kulturor me Kosovën, me kthimin e Shqipërisë në një destinacion edhe për dashamirësit e artit dhe të kulturës në rajonin e Europës Juglindore. Por edhe me një gjallërim që është i ndjeshëm për njerëzit e këtij komuniteti, i cili është një komunitet i vogël, por cilësisht një komunitet shumë i madh dhe me një rëndësi të veçantë për impaktin që ka në jetën e përditshme, por edhe për impaktin që ka në të ardhmen.

Jam krenar që përsa i përket çdonjërit nga këto akse, ne mund të flasim sot, me shembuj konkretë.

Rasti i çeljes, pas kaq shumë vite mbyllur, vetëm në mars 2015, i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, i cili nga një ngrehinë e braktisur dhe një thesar i zhytur në pluhur dhe në degradim, sot është kthyer në një destinacion të mirëfilltë historik dhe turistik për shkollat, për njerëzit e interesuar për trashëgiminë kulturore, por padyshim edhe për vizitorët që, sipas të dhënave tona, në këtë sezon do të jenë më të shumtë se të gjitha herët e tjera në Durrës dhe në gjithë bregdetin shqiptar.

Po ashtu, Muzeu i tuneleve nëntokësorë, që së shpejti do t’i bashkohet koleksionit të dëshmive të kujtesës kolektive, është një tjetër hap në këtë drejtim që sapo thashë.

E nuk ka dyshim që edhe “Muzeu i Gjetheve” apo hapësira e “Bunk Art” janë po ashtu, pjesë të një mozaiku shumë më të gjerë, hëpërhë shumë më të gjerë në vizionin dhe imagjinatën tonë, por hap pas hapi, shumë më të gjerë në realitetin e përditshëm.

Kalendari i përbashkët kulturor me Kosovën nisi në 14 shkurt, në Prishtinë, me ekspozitën e fototekës “Marubi”, që për herë të parë u vu në dispozicion të të gjithë njerëzve të interesuar për fotografinë, të interesuar për kulturën, por dhe të gjithë atyre njerëzve kuriozë që për Marubin mund të kishin dëgjuar, mund ta kishin parë nëpërmjet botimeve, por asnjëherë nuk kishin pasur mundësi ta preknin drejtpërdrejt.

Po ashtu, në këtë aktivitet vazhdon të përforcohet një qasje që ne jemi të vendosur ta kthejmë në traditë, që Shqipëria të vazhdojë të mbetet jo vetëm atdheu i shumë yjeve të artit dhe të kulturës që sot magjepsin botën, por dhe vendi ku këto yje mund të shkëlqejnë për bashkatdhetarët dhe bashkëqytetarët e tyre.

Faktikisht, nëse vitin e shkuar ne bëmë të mundur kthimin në atdhe, për të kënduar, të Ermonela Jahos, së bashku me Saimir Pirgun, apo rikthimin e Angjelin Prelocaj në këtë hapësirë, të tjerë artistë rikthehen në vendin nga u nisen për të bërë një rrugë të gjatë dhe shumë të suksesshme dhe rikthehen për të marrë pjesë bashkë me të gjithë ata që janë sot ende brenda kufijve, por që mes tyre përsëri ka të tjerë që do të dalin përtej kufijve me zërin e tyre, me forcën e tyre të imagjinatës, apo me talentin e tyre të pazakontë krijues.

“Tirana Open”, që nisi si një ide e mikut tonë të paharrueshëm, Ardian Klosi dhe që sot mishërohet si një përpjekje e përbashkët e shumë njerëzve të interesuar për të zgjeruar hapësirat e kulturës, është kthyer në një pikë referimi, që vit pa viti do të shkëlqejë si një institucion i krijuar nga njerëzit e artit për njerëzit e artit dhe me mbështetjen e padyshimtë dhe të vendosur të qeverisë.

Qëllimi ynë është që të stimulojmë dhe të mbështesim sa më shumë nisma të njerëzve të lirë, të artistëve, të shkrimtareve, të prodhuesve dhe të punëtorëve të kulturës, sa here që qasja e tyre është me projekt dhe sa herë që projekti i tyre hyn në mundësitë tona për të mbështetur edhe financiarisht. Por, ashtu si e kemi dëshmuar qysh në fillim, ne nuk kufizohemi thjesht tek dhënia e përgjigjeve pozitive ose negative përsa i takon mbështetjeve financiare të buxhetit të shtetit, por ne marrim pjese aktivisht, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, në formësimin e projekteve. Duke u bërë në të njëjtën kohë edhe zëdhënës të nevojës për një projekt apo për një tjetër, tek sponsorët dhe donatorët e mundshëm.

Në vitin 2008, njeriu që e ideoi këtë Festival, Ardian Klosi shkruante në një editorial të tij: “Bëhu i ditur, që të jesh i lirë”. Dhe unë jam i bindur se duke investuar tek dituria dhe tek kultura, ne në fakt bëjmë një investim shumë herë më të çmuar sesa vetë faktet që prodhojnë këto projekte, sepse bëjmë një investim tek liria e brendshme njerëzve dhe tek liria shoqërisë sonë.

Duke e mbyllur që të mos ju mbajtur edhe më gjatë nën diellin të fortë dhe për të bërë të mundur që të përfitojmë nga rrezatimi i asaj çka sot mban brenda ky pallat, do të doja të perifrazoja Tolstoin, i cili dy shekuj më parë, në librin e tij “Ç’është arti” shkruante: “Nëse njeriut do t’i mungonte aftësia për t’u depërtuar në thellësinë e tij nga arti, ne do të ishim të egër, por mbi të gjitha do të ishim tërësisht të vetmuar”.

Kështu që ky aktivitet është dhe një kontribut real kundër egërsisë dhe vetmisë. Prandaj kjo është një arsye për t’i ftuar të gjithë, artistë ose jo, dashamirës ose jo të artit, që të vijnë dhe të bëhen pjesë e këtij aktiviteti dhe për t’i ftuar prindërit që të sjellin këtu, sa më shumë fëmijë, në mënyrë që ky kontribut kundër egërsisë dhe vetmisë të shkojë dhe të shtrihet në sa më shumë shpirtra që kërcënohen prej këtyre dy fenomeneve dhe që pa as më të voglin dyshim kanë nevojë çdo ditë, për arsye për të kuptuar se sa e çmuar është kultura, se sa i çmuar është arti dhe në fund të fundit, sesa shumë arti dhe kultura janë të lidhura me lirinë e njeriut.

 

***

“Tirana Open”, panairi ku libri dhe arti ndërthuren me njeri-tjetrin, u çel sot në kryeqytet, me pjesëmarrjen e shumë artistëve shqiptarë dhe të huaj.

Eventi i parë i këtij lloji në Ballkan, “Tirana Open” sjell sëbashku nën një çati, një koleksion të shumëllojshëm të institucioneve kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare, që paraqiten në një program të pasur shumë-disiplinor ekspozitash, ngjarjesh dhe eventesh publike.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.