Kryeministri Edi Rama pati sot, një takim shumë miqësor me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken ne Bruksel. Komunikimi i Kryeministrit Rama dhe Sekretarit Blinken në mbyllje të takimit:
Sekretari i Shtetit Antony Blinken: Zoti Kryeministër faleminderit shumë, së pari, që jeni sot këtu, por çka është më e rëndësishme, ju faleminderit për punën që kemi bërë sëbashku. Mendoj që po vendos një shembull mjaft të fortë për të tjerët sot, për nevojën për t’u siguruar kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë që kemi ne sot dhe të punojmë me shitës të besuar. Mendoj që kjo është shumë e rëndësishme e një mesazh shumë i fortë për t’i dërguar të tjerëve dhe çfarë është më e rëndësishme, jemi mirënjohës për punën që SHBA-ja dhe Shqipëria kanë bërë sëbashku në shumë fusha të ndryshme, përfshirë dhe stërvitjen Defender21, që është përmbushur me kaq shumë sukses.
Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara. Kemi shumë punë të mira për të bërë dhe atje dhe në të gjitha aspektet, ky partneritet po bëhet më i fortë dhe më i thellë dhe ne e vlerësojmë shumë lidershipin tuaj për ta bërë këtë.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Për mua e për ne në Shqipëri është një moment shumë i rëndësishëm, sepse, siç besoj ju e dinin, kemi ndërmarrë këtë nisme nga ana jonë që prej disa vitesh e duke i kërkuar edhe të tjerëve, vendeve në rajon që të bëhen pjesë e që të gjithë sëbashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurtë komunikimi e për ta vënë këtë korridor komunikimi të shërbimeve shumë kritike në duart e qytetarëve të Shqipërisë, institucioneve shqiptare, forcave të sigurisë e të mos lejojmë që të komprometohet nga aktorë të tretë që nganjëherë janë aktorë dashakeqë. Ndaj është përherë krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush dhe që të jetë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës përherë. Kështu që faleminderit shumë për këtë e shpresoj që sëbashku, ne të mund t’i bindim edhe miqtë e tjerë në rajon për tu bërë pjesë e kësaj.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken: Faleminderit! Ju po vendosni një shembull mjaft të mirë. Ju jemi mirënjohës që ju kemi si partnerë dhe aleatë. Faleminderit!