Në Kukës, Kryeministri Rama vizitoi pikën e grumbullimit të bimëve medicinale. Praktikisht, sot një magazinë e rrënuar, por që me mbështetjen financiare të qeverisë, sipërmarrësi synon ta kthejë në një pikë moderne të grumbullimit dhe përpunimit të këtyre bimëve. Sipërmarrësit iu dorëzua kontrata me Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, që e bën përfitues nga fondi i mbështetjes.
Kryeministri Rama përgëzoi sipërmarrësin që ia ka dalë edhe në kushte të vështira të mbajë në këmbë biznesin jo vetëm për vete, por edhe për shumë familje të tjera. Me mbështetje financiare të AZHBR-së, sipërmarrësi planifikon shtimin e kapaciteteve dhe modernizimin e saj. Një investim, shprehu bindjen Kryeministri, që do ta shndërroi në një pikë grumbullimi model, që do t’i shërbejë të gjithë qarkut të Kukësit.
“Prej kaq vitesh një punëtor i palodhur, i cili ka privatizuar shumë vite m parë këtë magazinë të rrënuar, arrin të mbajë jo vetëm familjen, por edhe një numër të konsiderueshëm familjesh, pa asnjë mbështetje nga ai shtet dhe ai pushtet që sot derdh lot krokodili për Kukësin, për varfërinë, për ikjet e me radhë. Ndërkohë që ne sot i dorëzojmë këtë kontratë mikut tonë që do e bëjë që kjo skutë e errët ku bëhet një luftë e përditshme, me një vështirësi të jashtëzakonshme, për të jetuar me një punë të ndershme të kthehet në një magazinë grumbullimi model dhe t’i shërbejë të gjithë qarkut deri në grykë Çajë, duke bërë që të punësohen qindra e qindra familje që të mbledhin bimët medicianale, t’i sjellin këtu dhe të marrin shpërblimin e të jetojnë dhe ata me punë të ndershme, sepse sot nuk kanë ku t’i çojnë. Kapaciteti i kësaj magazine është minimal, por me modernizimin dhe transformimin e saj, me investimin në teknologji do të behet një pikë grumbulli, nga ku pastaj do të kemi përfitime të mëdha për zonat më të vështira,” – u shpreh Kryeministri, pasi u njoh nga afër me biznesin dhe planet e investimit të sipërmarrësit.