Kryeministri Edi Rama me titullarët e autoriteteve kontraktore të ekzekutivit, mbi paketën e re ligjore të prokurimit publik dhe domosdoshmërinë për t’u ngjitur në një nivel tjetër, me rritjen e eficiencës dhe transparencës së sistemit të prokurimeve të fondeve publike:
Ky është një takim i hapur në vijim të takimeve për të ndarë me të gjithë titullarët e autoriteteve kontraktore një sërë shqetësimesh dhe njëkohësisht, edhe domosdoshmërinë për të pasur një mobilizim të posaçëm në zbatimin pa humbur kohë dhe me cilësi të paketës së re ligjore në fushën e prokurimit publik.
Sikundër edhe në takimin e mëparshëm nuk dua të hyj në detaje lidhur me progresin e bërë në këtë fushë, me rezultatet e lexueshme përmes të dhënave që disponojmë, sepse qëllimi nuk është që të shikojmë mbrapa për t’u krahasuar me të shkuarën, por të shikojmë përpara për të kapërcyer sa më parë dhe sa më shpejt hendekun mes nesh dhe të ardhmes.
Paketa e re ligjore synon pikërisht që t’u japë autoriteteve kontraktore dhe shtetit shqiptar mjete të reja efikase, duke iu garantuar një kuadër rregullator të prokurimit publik në Shqipëri të përafruar me legjislacionin europian, si dhe duke adresuar të gjitha ato gjetje dhe rekomandime të ndryshme të organizatave ndërkombëtare, kërkesa për ndryshime ligjore nga institucione të ndryshme të vendit, problematikat e hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit.
Paketa e re adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjithë palëve të përfshira në këtë proces dhe jo vetëm të autoriteteve kontraktore, por edhe të operatorëve ekonomikë, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues, po edhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara.
Dua të bëj në mënyrë të përmbledhur një bilanc, të cilin do t’u inkurajoja që ta shikoni edhe në mënyrë të parcelizuar sipas fushave, sepse ka të dhëna të rëndësishme që duhen mbajtur parasysh në vijim.
Nga të dhënat e administruara dhe të analizuara për të gjitha institucionet që lidhen me ministritë dhe agjencitë e pushtetit ekzekutiv, gjatë vitit 2020 dhe periudhës së parë të vitit 2021 rezulton se në periudhën në fjalë janë asistuar 936 procedura të publikuara në SPE nga këto institucione. Ndër to, 70 % e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve. Dhe për këtë arsye, institucioneve përkatëse iu janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimit Publik. 20 % e institucioneve të përfaqësuara në këtë sallë nuk kanë reaguar dhe/ose nuk kanë reflektuar nga rekomandimet e Agjencisë së Prokurimit Publik.
Rekomandimet e Agjencisë së Prokurimit Publik nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshme që mosreagimi ndaj tyre me shkrim, për të vënë në diskutim me argumente një pikë apo një tjetër, është cenim flagrant i etikës shtetërore. Të gjithë e dinë, është sekreti më i madh publik në Shqipëria, që në problematikën e prokurimeve, armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim, të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e pjesëmarrjes dhe në ngushtimin e hapësirës së konkurrencës së operatorëve ekonomik në procedurat e prokurimit publik.
Nga shqyrtimi i dhënave në lidhje me numrin e ofertave të paraqitura në procedurat e publikuara nga institucionet e përfaqësuara këtu në sallë janë asistuar nga APP-ja për vitin 2020 dhe periudhën janar-qershor 2021, 936 procedura dhe në këto 936 procedura, mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.56.
Nga analizave e të gjitha procedurave të zhvilluara nga institucionet në sistemin e prokurimit elektronik rezulton se nga 25 institucione, 21 prej tyre, 30-50% të proceduarve i kanë vetëm më një operator ekonomik, pavarësisht se procedura është e hapur.
Është me rëndësi për ta ditur që nga hetimet administrative të kryera nga Agjencia e Prokurimit Publik, me iniciativë ose bazuar në raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë vitit 2020 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 janë hetuar administrativisht 57 procedura prokurimi. Ajo që ka rëndësi është se janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit, janë konstatuar kritere kualifikimi që nuk kanë lidhje fare me objektin e kontratës, është konstatuar kualifikim dhe shpallje fitues të operatorëve ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit. Për këto arsye janë dënuar me gjobë 41 punonjës dhe masë disiplinore 92 punonjës.
Në rast se i shikojmë shifrat në raport me tërësinë e procedurave, shifrat nuk duken të vogla. Por në rast se shikojmë dhe do ta shikojmë të gjithë së bashku, me shumë këmbëngulje, perceptimin publik për tenderët në Republikën e Shqipërisë, atëherë pamja është madhështorë për nga negativiteti i saj. Sidoqoftë, në këtë moment është shumë e rëndësishme që të bëhet një analizë serioze e kapaciteteve të burimeve tona njerëzore, të angazhuara në këto procese, sepse ajo që bie në sy është niveli i ulët, shpeshherë, i kuptimit të vetë procesit, që pastaj krijon një efekt zinxhir dhe e degradon procesin në rezultate të shëmtuara.
Qëllimi madhor i gjithë kësaj përpjekjeje dhe shtysa madhore e gjithë procesit që është kurorëzuar me paketën e re ligjore është që në këtë vend mos t’i hahet haku askujt e kush e ka me hak, të marrë hakun, kush nuk e ka me hak, të mos marrë hakun e dikujt tjetër.
Natyrisht është shumë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, sepse procesi është në vetvete një proces i ndërlikuar. Është një proces për të cilin edhe vetë Bashkimi Europian vazhdon sot e gjithë ditën të kërkojë rrugë dhe mjete ligjore për ta përsosur, por ama është plotësisht e mundur, objektivisht e mundur që në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike, duke bërë disa gjëra të thjeshta, aspak të ndërlikuara. Në radhë të parë, duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak. E duke funksionuar si hallkë, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikimi duhet të jetë jo 99%, por 100% i garantuar.
Rekomandimet e Agjencisë së Prokurimit Publik nuk janë as në Bibël, as në Kuran, edhe pse edhe Bibla, edhe Kurani përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve. Pra, janë rekomandime që mund të diskutohen, ndaj të cilave mund të reagohet në mënyrë profesionale, për të thënë pse ky apo ai rekomandim duhet rishikuar nga ana e vetë Agjencisë. Por ama, sikur në një rast të vetëm, rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhër, sa mos ketë fare përgjigje, a thua se Agjencia e Prokurimit Publik mbyll letra në shishe dhe i hedh në det që dallgët t’i nxjerrin ku t’i nxjerrin, çdo rast i tillë do shkojë në SPAK e do shkojë në SPAK nga kjo godinë këtu. Pastaj, a është i qëllimshëm, a është thjeshtë injorancë në raport me etikën shtetërore, këtë çështje indiferentët përkatës ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete.
Janë disa objektiva lehtësisht të realizueshëm, në rast se i gjithë sistemi i prokurimit konsolidohet në një proces ku afatet janë të padiskutueshme, e jo afatet ligjorë të tenderave se ato vetvetiu janë të padiskutueshme, por afatet në trajtim, në kthim përgjigje, në ndërveprim brendapërbrenda institucioneve dhe në krijimin e një garancie për të gjithë operatorët që loja me afatet nuk funksionon më, që “po ta mbaj atje, sa të paraqitesh” ose “po e nxjerr kur të paraqitesh”.
Na duhet të rrisim konkurrencën e kjo natyrisht kërkon rritjen e besimit, pasi pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë në procedura prokurimi, edhe pse është shumë më e lartë sesa ishte në të shkuarën, mbetet ende relativisht e ulët. Duhet një punë e posaçme e në këtë pikë, titullarët e ministrive duhet të insistojnë për të rritur kapacitetet teknike, sepse një pjesë e gjërave që ndodhin në proces dhe që nuk garantojnë cilësi është paaftësi dhe për të rritur përgjegjshmërinë e autoriteteve kontraktore në planifikim, në organizim dhe në zhvillim procedurash.
Shmangia e kritereve të qepura me dorë, që kufizojnë vetvetiu konkurrencën, me paketën e re ligjore është mundësuar të adresohet me efikasitet, duke vendosur detyrimin e institucioneve që procesverbalin e argumentimeve, specifikimeve dhe kritereve ta publikojnë bashkë me dokumentet e procedurës.
Ka dhe një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm, që autoritetet konktratore duhet të monitorojnë edhe sjelljen e operatorëve ekonomikë, tërheqjet nga gara, nënshkrimet e kontratave, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive dhe të marrin masa për të referuar rastet në institucionet përkatëse për hetime administrative. Kur e shohin të arsyeshme, autoritetet kontraktore t’i adresojnë këto raste edhe në organin e Prokurorisë.
Një tjetër element shumë i rëndësishëm, ku përsëri është bërë një përmirësim shumë i ndjeshëm, por përsëri është i pamjaftueshëm, është zbatimi i kontratave. Në fund të ditës, një kontratë e zbatuar keq, e hedh në erë dhe një proces prokurimi të zhvilluar mirë.
Unë do t’ju inkurajoja publikisht që të njiheni me detaje me paketën e re ligjore. Të gjithë të jenë të vetëdijshëm që me ligjin e ri, titullarët e autoriteteve kontraktore janë përgjegjës direkt për menaxhimin e fondeve dhe numri i pjesëmarrësve për procedurë, vlera e kursyer, numri i procedurave për negocim dhe këtu në këtë rast, ministritë kanë shembullin më domethënës të suksesit, falë angazhimit të ministrave personalisht, ku sëbashku kemi vendosur objektivin që procedurat me negocim pa tender fare, që ishin një lukuni e ardhur nga shpellat e të kaluarës, të ktheheshin në histori, faktikisht ia kemi dalë në mënyrë mbresëlënëse. E them këtë për arsyen e thjeshtë se kjo tregon që ku ka vullnet, ka rezultat, edhe aty ku duket sikur janë të gjithë argumentet që rezultati të mos kërkohet sepse nuk arrihet.
Janë disa shembuj domethënës në ndryshmin e qasjes, në realizimin e kontratave dhe është absolutisht domethënëse që edhe në kontrata të mëdha, me sfida domethënëse dhe me pengesa që shfaqen si pasojë e lehtësisë të së shkuarës, – këtu kam parasysh përshembull, disa kontrata të Ministrisë së Infrastrukturës, kur ka vullnet, nuk ka asnjë diskutim që fiton shteti, nuk fiton as inercia, nuk fiton as zakoni i vjetër i operatorëve që jo vetëm për faj të tyre, por në radhë të parë, për faj të shtetit, janë mësuar të luajnë me kontratat dhe në bashkëpunim, Shqipëria u kthye deri para ca vitesh në një vend qesharak ku jo në 99%, po në të gjitha kontratat e infrastrukturës ishe kiamet dhe të gjithë kontratat e infrastrukturës ishin rrugëve e rrugët, po ashtu rrugëve. Por retrospektiva vlen sot, vetëm për të kuptuar potencialin, jo për të menduar e aq më pak për të thënë që është bërë gjithçka, sepse, siç janë këto raste, ka dhe raste të tjera në institucione të varësisë këtu të pranishme, që sot nuk do t’i marr me radhë, por që janë raste që provojnë të kundërtën.
Ka shumë arsye që duhet ta dallojnë mandatin e tretë nga dy mandatet paraardhëse. Natyrisht, kryesorja është që, nëse në mandatin e parë ishim në gropë, nëse në mandatin e dytë kemi vënë një bazë, në mandatin e tretë duhet të ngrihemi lart. Në numrin e arsyeve dalluese duhet të jetë medoemos niveli i kompetencës, i eficiencës, i transparencës së prokurimeve të fondeve publike. Prandaj duhet një sforco e veçantë, duke pasur në dorë një ligj të ri, që komplimentet e Bashkimit Europian e të partnerëve ndërkombëtarë për rritjen cilësore të nivelit të legjislacionit të ri t’i marrim jo nga Bashkimi Europian, as nga partnerët ndërkombëtarë, por nga populli shqiptar për rritjen cilësore të prokurimeve publike. Gjithë sistemi i prokurimeve publike duhet rrethuar me një mur të lartë, për të penguar penetrimin e të gjithë agjentëve atmosferikë, politikë, mediatike, ekonomikë, socialë, kulturorë e me radhë.
Mesazhi që ne duhet të japim, duhet të jetë me fakte, me rezultate dhe me dhënien e shembujve tërësorë, për të ndryshuar këtë perceptim. Sepse ka një element që është shqetësues dhe është shumë i rëndësishëm. Po të shikojmë të gjithë ecurinë e prokurimeve publike, nuk ka asnjë krahasim, fare, me ku ishin prokurimet publike deri para disa viteve e ku janë sot. Flas pozitivisht, nuk ka asnjë krahasim. Por kjo nuk e ka ndryshuar perceptimin dhe këtu nuk kemi asnjë shans e asnjë mundësi që këtë llogari t’ia kërkojmë popullit. Këtu duhet ne të kuptojmë që nuk duhen shumë, duhen shumë pak, duhen edhe më pak sesa ka raste abuzive, që perceptimi jo të mos ndryshojë, por të bëhet edhe më i keq, sepse pritshmëria e njerëzve është më e lartë, sepse ekzigjencat e njerëzve janë më të mëdha e sepse koha për njerëzit, si dhe për ne fluturon e nuk mund të presin edhe 30 vjet të tjera, për të parë një shtet që secili merr atë që i takon nga fondet publike që prokurohen për shërbime e punë publike.
I kemi të gjitha arsyet në nivelin e ministrive dhe të agjencive të mëdha që të besojmë se mund të bëjmë vërtetë një sukës në këtë drejtim. E këto arsye gjenden në tabelën krahasimore të nivelit të parë me nivelet e tjera. Tabela krahasimore thotë që përqendrimi i vëmendjes dhe ushtrimi i vullnetit nga titullarët e institucioneve kryesore i ka hapur rrugë ndryshimit. E pamjaftueshme, por rrugë e hapur. Ashtu sikurse tabela krahasimore thotë që, kur kalohet në nivelin e dytë, për të mos folur për nivelin e tretë dhe të katërt, problematika është shumë e ngjeshur e duhet adresuar me forcë, me vendosmëri dhe me këmbëngulje të madhe. Shumë faleminderit!