Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në prag të Lojërave Olimpike 2021 që do të mbahen në Tokio, Kryeministri Edi Rama u dorëzoi sot flamurin kombëtar, para nisjes së ekipit shqiptar në këtë eveniment global, dy flamurmbajtësve të grupit të sportistëve tanë që do të na përfaqësojnë në Lojërat Olimpike, Briken Çalja dhe Luiza Gega. Në misionin sportiv të Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” marrin pjesë 9 sportistë në 6 disiplina të ndryshme.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e rastit para nisjes së sportistëve në Tokio:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të gjithë anëtarëve të misionit olimpik!

Sigurisht është një moment gjithmonë i veçantë për sportin kur është viti i Olimpiadës dhe patjetër, edhe një emocion shumë i veçantë për pjesëmarrësit në Olimpiadë, sepse, siç ka thënë dhe krijuesi i Lojërave Olimpike, më e rëndësishmja është të marrësh pjesë.

Më vjen shumë mirë që në këtë vigjilje jo të lehtë të Olimpiadës së Tokios për shkak të të gjithë situatës së jashtëzakonshme të krijuar si pasojë e pandemisë, është bërë një përgatitje ndjeshëm më e mirë se çdo herë tjetër e kjo, në radhë të parë, i dedikohet kryetarit të Komitetit Olimpik, i cili e jeton sportin me një pasion e me një ambicie që e ka karakterizuar që në moshë shumë të re, kur ishte kampion kombëtar për vite e vite të tëra.

Më vjen mirë që kemi pasur mundësinë të jemi pranë Komitetit Olimpik e pranë këtyre sportistëve me aq sa kemi mundur dhe edhe falë përfshirjes së drejtpërdrejt të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është bërë i mundur një trajtim dinjitoz i gjithë anëtarëve të këtij misioni, edhe pse e mira nuk ka fund dhe ne kemi plot gjëra për të përmirësuar.

E kam pritur me shumë kënaqësi lajmin e zgjedhjes së Fidelit si kryetar i Komitetit Olimpik për një arsye shumë të thjeshtë, por dhe shumë të rëndësishme. Nuk kemi arritur dot, në vite e vite të tëra, që ta motivojmë Komitetin Olimpik për të qenë në lartësinë e misionit të vet. Misioni i Komitetit Olimpik është edhe të qëndrojë pranë sportistëve elitarë, të përgatisë misionet sportive në aktivitete të mëdha ndërkombëtare si olimpiadat, kampionatet botërore, apo europiane, por misioni themelor i Komitetit Olimpik është krijimi i lëvizjes olimpike dhe nuk mund të ketë lëvizje olimpike pa një ndërthurje të të gjithë energjive dhe forcave mes qeverisë, bashkive dhe Komitetit Olimpik, duke filluar nga fëmijët, duke vazhduar me gjimnazet dhe universitetet.

Ne jemi shumë të dëshiruar dhe njëkohësisht, shumë të motivuar që t’i japim një shtysë të re të gjithë lëvizjes sportive në shkolla, e cila është në një fazë embrionale, do thoja, pas ndërprerjes së saj për dekada të tëra në mënyrën më të çuditshme e me pasoja shumë të mëdha. Njëkohësisht mendojmë që janë krijuar kushtet që kjo lëvizje të hyjë në një fazë të re e në gjithë rrjetin e shkollave, gjimnazeve, universiteteve tona të fillojë një lëvizje e organizuar që, sidoqoftë, përtej gjithë përpjekjeve që mund të bëjë qeveria apo Ministria e Arsimit dhe Sportit, varet në një masë të konsiderueshme nga Komiteti Olimpik.

Pas misionit olimpik në Tokio, ne do të ulemi së bashku me Komitetin për të hartuar një program të përbashkët, për të shpjeguar programin tonë të ri të mandatit të tretë lidhur me sportin dhe prioritetin e prioriteteve, që është sporti për fëmijët, për gjimnazet, për universitetet. Për të dëgjuar nga të gjithë njerëzit me eksperiencë të padiskutueshme që ka në Komitet, por dhe përtej, nga drejtuesit e federatave të ndryshme e për të nisur një rrugëtim të përbashkët që në katër vitet e ardhshme ta ngremë lëvizjen olimpike shqiptare në një nivel më të qëndrueshëm e ta nxjerrim nga kjo fazë embrionale.

Mbështetjen që ne i kemi dhënë këtë herë anëtarëve të misionit olimpik, sportisteve dhe sportistëve që janë këtu të pranishëm, nuk do ta ndërpresim me përfundimin e Olimpiadës. E për këtë, së bashku me Komitetin Olimpik do të hartojmë një plan të qëndrueshëm, në mënyrë që jo vetëm këta sportistë të ndiejnë mbështetjen e vazhdueshme, por dhe ata që janë më të rinj, vajzat që janë më të reja e që kanë një perspektivë për t’u bërë pjesë e këtyre misioneve të Shqipërisë, të mund të mbështeten pa pritur që ata të kalojnë nëpër sakrifica nga më të hatashmet, falë mbështetjes vetëm të familjes apo të trajnerëve të apasionuar, por duke u dhënë atyre gjithë mbështetjen që mund të japim. Mbështetje, e cila natyrisht, asnjëherë nuk mjafton e asnjëherë nuk ka për të mjaftuar, por besoj që mund të jetë e do të jetë e atillë që t’u japë sportistëve ndjesinë e të qenit të respektuar, të qenit të mbështetur, të të qenit të dashur jo vetëm nëse marrin medalje apo nëse fitojnë tituj e jo vetëm atë ditë apo ato ditë, por gjatë gjithë kohës.

E fundit është një fjalë falënderuese, jo për arsye protokolli, por për faktin se ambasadori i nderuar i Japonisë nuk ka qenë një ndjekës, le të themi formal, i kësaj përpjekjeje, por ka qenë një partner aktiv në mbështetje të këtij misioni olimpik. Unë dua sinqerisht t’i shpreh mirënjohjen dhe uroj që bashkëpunimi ynë me Japoninë dhe ura e komunikimit që ne kemi ngritur e partneriteti, ende i gjithi për t’u zhvilluar, që ne kemi filluar të ndërtojmë, të forcohet edhe falë këtij misioni. Ky mision, prania e Shqipërisë, sjellja, pjesëmarrja, shpresoj edhe rezultatet të jenë një arsye më shumë që me Japoninë, me komunitetet shumë aktive e shumë të përparuara në sfera të ndryshme të Japonisë, të krijohen arsye për t’u afruar edhe më shumë.

Edhe një herë shumë suksese! Uroj shumë t’ia dilni në realizimin e gjithë objektivave që keni dhe jini të bindur që, sido që të jetë rezultati, nëse ju do të bëni gjithçka mundeni, e keni bërë detyrën dhe e keni kryer misionin.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.