Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Pas dëmtimeve që tërmeti i 26 nëntorit i shkaktoi, edhe shkolla fillore dhe kopshti “Perlat” në Durrës është ringritur nga e para, tashmë me standarde europiane për nxënësit e mësuesit.

Në këtë shkollë të përfunduar, gati për të pritur nxënësit në fillim sezonit të ri arsimor, Kryeministri Rama u shoqërua nga ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe nga kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, për të parë nga afër ambientet ku 80 nxënës do të mësojnë. “Kjo është një nga shkollat që është rindërtuar nga Programi i Rindërtimit. Ka 80 nxënës, bashkë me kopshtin dhe është bërë tërësisht moderne me të gjitha facilitetet.”, – u shpreh ministri Ahmetaj.

Shkolla është e pajisur me laboratorë dhe me mjetet e nevojshme për mësim, si dhe me ambiente sportive. “Kjo shkollë më përpara ka pasur klasa mikse, klasa e parë bënte mësim bashkë me klasën e tretë. Tani me këtë ndërtim të ri, ky problem është zgjidhur”, – u shpreh kryebashkiakja e Durrësit.

***

Në Manzë, Durrës, aty ku po ngrihet një lagje e re me 9 pallate për familjet që mbetën pa një strehë natën tragjike të tërmetit vijon puna me ritme të larta për të përfunduar apartamentet. Në kantierin e lagjes me 224 apartamente, e organizuar sipas të njëjtit koncept social të lagjeve të reja që po ngrihen nga Programi i Rindërtimit, ishte sot  Kryeministri Edi Rama.

“Është nga kantieret që filloi i fundit, por ritmet janë jashtëzakonisht të shpejta. Janë 224 apartamente për zonën e prekur të Manzës. Është ndërtuar gjithë infrastruktura nëntokësore, ndërkohë që janë gati 193 parkime. Si zonë rezidenciale i përngjan Thumanës, në Laç, “5 Majit” e Kombinatit në Tiranë, moderne si koncept arkitekture, por dhe si organizim social”, – u shpreh ministri Ahmetaj.

Kjo lagje e re do të ketë dhe një qendër sociale dhe kopshtin për fëmijët e familjeve që do të ngrenë jetën e tyre në këtë kompleks modern. “Në fund të vitit, e gjithë zona dorëzohet dhe besoj që 1 janari i 2022-it, familjet e dëmtuara do t’i gjejë në shtëpitë e reja. Shtëpitë janë falas dhe familjet që do të marrin shtëpitë i kanë falas dhe në gëzim të plotë”, – u shpreh ministri i Rindërtimit.

“Këtu, ne kemi bërë dhe  një parashikim për banesa sociale, pra, përveç tyre që do strehohen në apartamente, kemi dhe një numër të vogël apartamentesh që ata që janë në zonë, që janë çifte të reja që kanë nevojë për strehim, të mos spostohen”, – tha kryebashkija e Durrësit, Emiriana Sako.

Durrësit është një nga qytetet më të prekura nga tërmetit dhe kantieret e Programit të Rindërtimit janë hapur e vijojnë me ritme jo vetëm në Manzë, por dhe në disa sajte të tjera për familjet që humbën strehën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.