Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shkolla të reja, me kushte dinjitoze dhe infrastrukturë bashkëkohore janë tashmë kthyer tashmë në realitetin më të ri në shumë prej zonave ku tërmeti shkaktoi dëme të rënda, falë Programit të Rindërtimit. Një prej tyre është dhe shkolla 9-vjeçare “Gjon Luka” në Luz të Fushë- Krujës, e rindërtuar nga themelet. Ajo ofron për nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe atij parashkollor një mjedis modern, njësoj si në institucionet arsimore të Bashkimit Europian.

“Është një nga objektet e rindërtuara plotësisht, me 160 nxënës, nga të cilët 130 në ciklin 9-vjeçar dhe 30 në atë parashkollor,.” – u shpreh Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj gjatë vizitës që Kryeministri Edi Rama bëri në ambientet e shkollës së re.

Ministria e Arsimit Evis Kushi informoi se shkolla do të shërbejë gjithashtu edhe si qendër komunitare, ndërsa shtoi se stafi i mësuesve është gati për të mirëpritur nxënësit në vitin e ri shkollor. “Mësuesit kanë dalë të gjithë në punë për të përgatitur mësimin plotësues, që do të jetë gjatë gjithë muajit shtator deri në datën 27, kur do të fillojë viti i ri shkollor. Përveç mësimit plotësues kanë përgatitur edhe një program aktivitetesh sportive, kulturore, në mënyrë që nxënësit të jenë sa më të aktivizuar gjatë kësaj periudhe,”- u shpreh znj. Kushi.

Në shkollën e re mësimi i gjuhës angleze që në klasën e parë do të jetë risia e këtij viti. Procesi, nënvizoi ministrja, ka filluar në muajin maj dhe janë përgatitur programet, kurrikulat, trajnimi i mësuesve dhe gjithashtu tekstet janë gati.

Këtë vit, tekstet falas do t’i përfitojnë edhe klasat e 8-ta dhe të 9-ta, duke e plotësuar të gjithë ciklin e arsimit bazë me tekste falas. “Në total janë 280 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë që do të përfitojnë tekste falas, jo vetëm në arsimin bazë, por edhe disa kategori të veçanta nga arsimi i mesëm dhe i lartë. Janë 16 kategori që nga nxënësit në nevojë, nxënësit me aftësi ndryshe, etj.,” – u shpreh Ministrja e Arsimit, e cila njoftoi se për vitin e ardhshëm është parashikuar që librat të jenë me një përdorim nga klasa e parë deri në atë të tretë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.