Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Bazën Ajrore Farkë:
Së pari, dua t’i shpreh ngushëllimet edhe publikisht të dy djemve që humbën prindërit në tragjedinë e tyre familjare për shkak të zjarrit.
Po ashtu dua t’i shpreh gjithë mirënjohjen, respektin dhe gjithë vlerësimin e mundshëm të gjithë atyre që u angazhuan në një muaj zjarri, sepse i tillë ishte muaji gusht dhe manifestuan një ndjenjë të lartë sakrifice dhe përkushtimi. Këtu kam parasysh pa përjashtim të gjitha forcat e angazhuara në terrenet jashtëzakonisht të vështira, Forcat e Armatosura, Forcat Zjarrfikëse, forcat policore, forcat bashkiake, ato vullnetare, forcat e administratës së zonave të mbrojtura, forcat e Shërbimit Pyjor, si dhe ata që mbështetën gjithë këtë përpjekje me ambulancat e Urgjencës Kombëtare.
Ajo që mbetet sot është nga njëra anë, fuqia e jashtëzakonshme e shembullit të të gjithëve dhe nga ana tjetër, nevoja për të çuar përpara një proces modernizimi të mbrojtjes sonë civile, i cili ka nisur dhe ka dhënë rezultatet e veta të para, të prekshme dhe të qarta, por i cili duhet vazhduar deri në fund.
Dua të them me bindje se çfarë kemi parë deri tani si rezultat i reformës së gjithë Sistemit të Emergjencave Civile është shumë inkurajuese për të parë me optimizëm të konsiderueshëm rezultatin përfundimtar të këtij procesi.
Ishte një muaj zjarresh që, siç e panë të gjithë, përfshiu botën dhe për t’u afruar këtu tek ne, realisht vuri në një pozitë të vështirë, si rrallë herë më parë, vende të afërta, të cilat janë mësuar me stinën e zjarreve të përvitshme, që për herë të parë qysh sa unë e mbaj mend, nuk kishin asnjë mundësi që të na jepnin asnjë ndihmë. Jo vetëm kaq, por kishin nevojë për ndihmë. Këtu kam parasysh Italinë, Turqinë dhe Greqinë.
Janë tre vende me struktura nga më të jashtëzakonshmet e Mbrojtjes Civile, tre vende me eksperiencë të madhe dhe me shumë plagë nga zjarret në historinë e tyre. Janë tre vende që i janë gjendur Shqipërisë gjithmonë, kur ka ardhur nevoja për të patur mjete, por këtë herë e kishin absolutisht të pamundur dhe më e rënda është se kishin nevojë vetë për ndihmë.
Ky është një nga shembujt shumë kuptimplotë të rëndësisë së madhe që ka marrëdhënia jonë me Bashkimin Europian dhe të rëndësisë së madhe që ka BE-ja për jetën tonë, jo thjesht në aspektet e standardeve, jo thjesht në aspektet e fuqizimit demokratik dhe institucional, por edhe në aspekte jetësore. Në aspekte jetësore që prekin drejtpërdrejtë jetën e që kërcënojnë drejtpërdrejtë fizikisht, tërmetet, përmbytjet, zjarret.
Kjo nuk do të thotë që Shqipëria përbën ndonjë përjashtim dhe nuk është e rastësishme që Bashkimi Europian ka ngritur një mekanizëm të brendshme për të asistuar shtetet, në radhë të parë, të familjes së vet që janë në emergjencë dhe katastrofat e mëdha ose goditjet e furishme të natyrës, asnjë shtet nuk i përballon dot i vetëm. Natyrisht, në rastin tonë, ne kemi ende mangësi më të mëdha se shumë shtete të tjera në këtë kontinent. Prandaj, unë dua t’i shpreh një falënderim të posaçëm sot, qoftë ambasadorit të Bashkimit Europian që është këtu i pranishëm, qoftë ambasadores së Shteteve të Bashkuara.
Dua sot të them që ky falënderim nuk është as formal e as diplomatik dhe nuk është madje, as një falënderim për dy ambasadorë, për hir të vërtetës. Është një falënderim për dy përfaqësues të dy fuqive të mëdha, që janë dhe aleatët strategjikë të vendit tonë, që për hir të vërtetës, sa herë që Shqipëria ka një nevojë e këtu kam parasysh tërmetet, përmbytjet, zjarret, janë më shumë sesa ambasadorë. Janë qytetarë të këtij vendi e njerëz që shqetësohen menjëherë për këtë vend dhe menjëherë vihen në dispozicion për se si mund të ndihmojnë.
Kështu që, përtej hierarkisë dhe marrëdhënies diplomatike apo institucionale, unë sot dua që edhe Luigi-n edhe Juri-n që nuk është këtu e pranishme, por është e pranishme përmes zëvendësambasadorit, – i vetmi këtu që nuk përdor as kufje nga të huajt sepse di edhe shqip, na kupton edhe kur ne kujtojmë se po flasim ndonjë gjuhë që nuk e kupton, – të cilët realisht gjatë gjithë periudhës së gushtit kanë qenë vijimësisht të vëmendshëm dhe vijimësisht të interesuar qoftë për të marrë vesh si shkoi dita, qoftë për të thënë në fillim të ditës se çfarë duhet të bëjmë sot.
Edhe prania këtu, e ambasadorëve të Holandës dhe të Republikës Çeke është simbol i pikërisht kësaj fryme solidariteti për ditët më të vështira të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar. Dua t’i falënderoj shumë sinqerisht dhe përzemërsisht që të dy, për ndihmën vendimtare që dhanë, duke vënë në dispozicion të operacioneve për fikjen e një numri marramendës vatrash zjarri, lartë e poshtë nëpër Shqipëri, edhe në terrene jashtëzakonisht të vështira, disa mjete speciale që e lehtësuan shumë punën e të gjitha trupave tona në terren.
Dua të falënderoj specifikisht ministrin, sepse ka nderuar qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këtë muaj jashtëzakonisht sfidues, duke qenë ditë e natë pranë trupave, duke u gdhirë në jug e duke u ngrysur në veri. Kemi qenë në kontakt permanent dhe realisht, me forcën e shembullit të tij jam i bindur që ka frymëzuar e ka motivuar edhe drejtuesit e tjerë. Jam i bindur që ky është modeli që të gjithë ne kemi detyrimin të kemi parasysh sa herë që sfidat bëhen të atilla, që i vënë njerëzit në pozitën e nevojës për një energji më shumë, për një fuqi më shumë, për një motivim më shumë sesa në ditët e zakonshme e kur shohin autoritetet, kur shohin titullarët, që të jenë aty bashkë me ta, natyrisht që sfida e përbashkët bëhet më e lehtë.
Të gjithë këta që përmenda kanë rolin e tyre, por rolin thelbësor për të cilin jemi dhe këtu, bashkë me ata që përmenda, e keni të gjithë ju që jeni përballë meje, në rreshtat e mëpastajmë dhe të gjithë ata që janë nën uniformë, për të përfaqësuar këtu një trupë shumë më të madhe, të bashkuar nga shumë drejtime, e cila arriti të shpëtojë jetë njerëzish dhe arriti të parandalojë përmasa katastrofike absolutisht të mundshme të kësaj vere dhe të këtij gushti krejt sfidues.
Natyrisht, vlerësimet që ne japim sot e unë kam nderin të shpreh mirënjohjen me Medaljen e Artë për vlerësim profesional për Forcën Tokësore, janë vlerësime simbolike që i takojnë të gjithë atyre që janë në këto Forca. Nga ana tjetër dua t’ju them të gjithë trupave të emergjencave civile, duke filluar nga trupa e re e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, se në ndërkohë, ne do të bëjmë atë që duhet për të rritur edhe pagën, që nuk do jetë asnjëherë e mjaftueshme, sepse nuk është e mjaftueshme askund kur cilido që i përket këtyre trupave përballet me një sfidë që kërcënon jetën e tij, por sidoqoftë është gjithmonë një motiv më shumë, jo vetëm për të çuar në shtëpi më shumë të ardhura të merituara nga puna, por edhe për të ndjerë vlerësimin dhe respektin për punën që bën.
Sigurisht nuk mund të rri pa theksuar aspektin kriminal të gjithë këtyre vatrave të zjarrit, të cilat në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes dramatike të temperaturave kudo në botë, por në një pjesë të konsiderueshme janë rezultat i barbarisë së atyre që me një shkrepëse, me një shishe benzinë vrasin shpirtin e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë mundimet, djersën, përkushtimin e shumë e shumë gjeneratave, duke privuar nga qoftë dhe një qelizë e mushkërive të gjelbra, fëmijët e këtij vendi.
Më vjen mirë që Policia e Shtetit ka pasur një aktivitet, jo vetëm intensiv, por edhe rezultativ dhe ka arritur të çojë prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, të cilët nuk meritojnë të jenë të lirë mes komuniteteve dhe qytetarëve të këtij vendi. Meritojnë të kalben prapa hekurave dhe shpresoj shumë që gjykatat do të japin vendimet e duhura. Uroj shumë që gjykatësit që do të japin këto vendime, të jenë në lartësinë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyrore të dëmtuara dhe për kaq shumë pemë, burime jete të shkatërruara. Këto nuk janë pasuria e askujt individualisht, ato janë pasuria e të gjithëve bashkë dhe janë thesari që ne kemi detyrimin ta shtojmë e t’jua trashëgojmë fëmijëve tanë dhe fëmijëve të gjykatësve. Kështu që ky është një vendim që gjykatësit do jepnin për fëmijët e tyre. Uroj që të bëjnë gjënë e duhur e këta kriminelë barbarë, jo vetëm të kalben në burg, por dhe të shërbejnë për t’i dhënë një mesazh të qartë të gjithë atyre që potencialisht mund t’u ngjajnë kur të vijë vera e ardhshme, sepse është e patolerueshme që në ndërkohë që ndryshimi i klimës dhe rritja e temperaturave në vetvete përbën gjithmonë një potencial të lartë për zjarre e përmbytje, dora e njeriut të shtojë nga vetja për të vënë përpara një sfide marramendëse gjithë këta prindër e gjithë këta bijë e bija të prindërve të këtij vendi dhe për të ndezur zjarre që shkojnë deri aty që marrin jetë.
Për fat të mirë, falë trupave janë shpëtuar shumë jetë. Një tragjedi si ajo që përmendëm me humbjen e dy prindërve është shumë e madhe për fëmijët e tyre e nuk është aspak e vogël për të gjithë ne, por parafytyrimi se mund të kishin qenë shumë më tepër se kaq, e bën revoltën dhe nevojën për ndëshkim të zjarrvënësve shumë më të madhe.
Pa harruar edhe disa, jo të gjithë për fat të keq, por disa nga autoritetet vendore ku ka shkëlqyer me përkushtimin dhe me gatishmërinë e tij, prefekti i Vlorës, por jo vetëm. Të gjithë duhet të ndihen sot krenarë për atë që kanë bërë. Unë që jam këtu përpara jush nuk jam thjesht krenar, por ndihem edhe i përulur për faktin se ministrit, mua, qeverisë, parlamentit i takon të bëjë ende shumë më tepër për të gjithë ju, për t’ju vënë në dispozicion të gjitha ato që ju duhen që ta bëni këtë punë patriotike dhe në momente të caktuara heroike, me cilësinë më të lartë. E patjetër që të ndiheni gjithnjë e më mirë kur ktheheni në shtëpi tek prindërit apo fëmijët tuaj.
Shumë faleminderit të gjithëve!