Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektligjit për zejtarinë:

Është, padyshim, gjithmonë kënaqësi – dhe këtë nuk e them për formalitet, por sepse e tillë është, – kur për shkak të punës, më jepet mundësia të jem mes njerëzve të punës, mes atyre që krijojnë vende pune, mes atyre që vendin e tyre të punës e gjejnë, jo duke pritur që të vijë nga qielli apo t’u dali nga filxhani i kafesë, por duke kërkuar, duke këmbëngulur, dhe duke e marrë, mes atyre që në fakt janë partnerët tanë strategjikë, sipërmarrësit dhe të gjithë ata, të cilët rrugën për të jetuar me punë të ndershme e kërkojnë dhe e gjejnë me durim, me këmbëngulje dhe me sakrifica.

Ne jemi të vetëdijshëm se kemi trashëguar një Shqipëri të dërrmuar, jo nga varfëria ekonomike, por në radhë të parë nga varfëria e aspiratave, sepse varfëria e aspiratave është varfëria që sjell të gjitha varfëritë e tjera. Varfëria e aspiratave ka bërë që në të gjitha ato aspekte për të cilat foli Erioni dhe që janë aspekte që kanë qenë në fokus të punës së tij, ne të trashëgojmë një situatë skandaloze.

Varfëria e aspiratave ka bërë që në vend se ndihma ekonomike të shkojë tek ata që e meritojnë dhe të jetë më e lartë, të shpërndahet mes atyre që nuk e meritojnë në formën e një bakshishi politik.

Varfëria e aspiratave ka bërë që mbështetja për personat me aftësi të kufizuar të jetë si ajo shprehja, “më ka çu nana me la gojën” dhe ndërkohë të mos ketë asnjë politikë për t’i integruar dhe për t’i mbështetur realisht, për dinjitetin e tyre personat me aftësi të kufizuar.

Varfëria e aspiratave ka bërë që në Shqipëri për vite të tëra, të rinjve dhe të rejave t’u jepej si i vetmi destinacion i mundshëm universiteti. Për universitet t’u servirej shpeshherë thjesht një fabrikë që prodhonte diploma, ku diplomat bliheshin dhe nuk merreshin përmes dijes, ku paratë e prindërve, të kursimeve të tyre, të sakrificave të tyre, shkonin dëm, me iluzionin se fëmija bëhej ekonomist, bëhej jurist, bëhej inxhinier e kështu me radhë. Në fakt, pas përfundimit të studimeve fëmija ishte një i papunë.

Unë jam shumë krenar që ne i kemi shpallur luftë në radhë të parë varfërisë së aspiratave.

Ne i kemi shpallur luftë në radhë të parë varfërisë së aspiratave që e ka ushqyer këtë vend në mënyrë të vazhdueshme me iluzione, me gënjeshtra dhe në fund fare me atë shprehjen “hë se Shqipëri është dhe Shqipëria kështu e ka”.

Padyshim që, na është dashur të angazhohemi në një operacion të thellë sepse kemi vendosur ta shikojmë të vërtetën në sy. Kemi vendosur të përballemi me kancerin e shtrirë në të gjithë sektorët dhe të ushqyer nga varfëria e aspiratave. Kemi vendosur që të mos i mbajmë shqiptarët me gënjeshtra, të mos i mbajmë shqiptarët me sheqerin e gënjeshtrave, por së bashku me ta të ndajmë të vërtetën e madhe se vetëm ilaçi i hidhur i të vërtetave mund ta shërojë këtë vend dhe mund ta kthejë këtë vend nga një vend i rrënuar, në një vend të begatë.

E pra, arsimi profesional është një nga përgjigjet e duhura në drejtimin e duhur, duke u hapur të rinjve e të rejave një mundësi të re, një korsi të re dhe duke iu thënë se për të pasur nesër një punë, mëso një zanat dhe se nëpërmjet zanatit do të kesh gjithmonë në dorë një mundësi që nuk e kanë të tjerët, qoftë për t’u punësuar diku, qoftë për të hapur biznesin tënd të vogël. Ky është shembulli i thjeshtë dhe kuptimplotë i të gjitha vendeve ku beteja me papunësinë ka pasur sukses, si një betejë që zhvillohet në front të gjerë dhe që në themel të vet ka krahun e kualifikuar të punës.

Faktikisht sot, qysh në vitin e parë, pas çeljes së kësaj korsie të re, ne kemi 40% më shumë vajza dhe djem që trokasin në dyert e shkollave profesionale. Sigurisht, janë shumë pak, në krahasim me sa duhet të ishin, por nëse arsimi profesional do të ishte vendosur si prioritet 20 vjet më parë, sot ne nuk do të ishim këtu ku jemi.

Atë çka në 20 vjet jo vetëm nuk u bë, por u zhvillua në drejtimin e gabuar, ne nuk mund ta përmbysim në një vit, por, në një vit ne kemi përcaktuar një kthesë të qartë në drejtimin e duhur.

Shifrat flasin vetë;

Sot provohet me statistika që një i ri dhe e re që mbaron arsimin profesional ka 20% më shumë shanse për të gjetur një punë se dikush që përfundon shkollën e mesme të përgjithshme dhe vetëm 1% më pak shanse sesa dikush që mbaron universitetin. Pra, në raport me nevojën për punë, ata që kanë një zanat janë me një mundësi më shumë dhe janë një hap përpara të tjerëve.

Ne do ta thellojmë më tutje këtë transformim të nisur. Do t’i japim një theks shumë fortë arsimit profesional, ku çelësi i suksesit është bashkëpunimi me sipërmarrjen. Deri dje kishte shkolla të arsimit profesional, por ia mësonin zanatin me fotografi dhe pa asnjë orë praktike, madje pa asnjë bazë materiale. Atyre që donin të bëheshin elektricistë u tregonin poçin në fotografi dhe u thoshin ja kjo është llampa dhe nga dritarja u thoshin, e shikoni atë telin, teli furnizon llambën, po atë shtyllën e shikoni, nga ajo shtylla lidhet teli, vjen tek llamba e kështu me radhë. Pra, pa praktikë. Praktikisht, nuk përgatisnin njerëzit që të merrnin një zanat.

Kurse sot, ne, duke u bazuar tek shembulli i shkëlqyer i Gjermanisë, që është një shembull i shpërndarë në shumë vende, kemi bashkuar teorinë me praktikën dhe janë 30%, 40%, 50% të orëve mësimore të javës që vajzat e djemtë që janë në arsimin profesional i bëjnë në ndërmarrje. Ata janë gati që menjëherë mbas përfundimit të shkollës të gjejnë një punë. Por, jo vetëm të gjejnë një punë këtu, por edhe në tregun europian.

Arsyeja pse arsimi profesional është i rëndësishëm lidhet drejtpërdrejt me pasjen e një mundësie nesër. Nuk do të mbarojë asnjëherë nevoja e tregut europian për forca të kualifikuara pune, për njerëz që kanë një zanat, për njerëz që përmes zanatit sigurojnë mbajtjen në këmbë të shërbimeve. Mjafton t’ju sjell shembullin e infermiereve. Ka kërkesa të paezauruara sot, në shumë vende të BE për infermiere, por sigurisht për infermiere të kualifikuara, të cilat janë të gatshme të përfshihen në sistem.

Zejet dhe zanatet do të jenë një nga armët që do të kenë në dorë të rejat e të rinjtë e sotëm shqiptarë, nesër në tregun e lirë të punës në BE.

Sot, ne jemi këtu për të folur për një projekt që është fryt i bashkëpunimit përsëri me një dhomë, me një dhomë të tregtisë së Gjermanisë, një projekt për zejtarinë.

Faktikisht, jemi në një sipërmarrje që është një nga sipërmarrjet model të suksesit të bazuar tek puna e kualifikuar dhe nuk është e vetmja, ka plot tjera të tilla dhe të tjera do ta pasojnë, nëse forca e kualifikuar e punës për këto procese do të shtohet. E pra, jemi duke krijuar një sinergji mes nevojës për punë dhe mundësive për punë, një sinergji që e bazojmë fort tek lufta me varfërinë e aspiratave.

Ne kemi bindjen se gjithë plaga e thellë e papunësisë, e cila është hapur, thelluar infektuar dhe gangrenizuar 20 vjet me radhë, mund të luftohet dhe mund të lehtësohet në mënyrë të vazhdueshme përmes rritjes së dijeve dhe forcave të kualifikuara të punës. Kjo është edhe arsyeja që shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi sot janë shumë më të integruar se ç’ishin shumë vite më parë. Nëse kur shkuan ishin thjesht të varfër në kërkim të një jete më të mirë, sot janë njerëz që kanë zanate përmes të cilave e garantojnë jetën e tyre jo vetëm aty ku janë, po kudo ku mund të shkojnë ata kanë një instrument më shumë.

Në mbyllje, dua t’i falenderoj miqtë gjermanë për këtë asistencë të posaçme. Dua të falenderoj edhe “Biznes Albanian” që është bërë një partnere e pazëvendësueshme e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, duke u zotuar që do të bëjmë më të mirën, që të gjejmë një zëvendësues të denjë për një ndër ministrat më të suksesshëm, më të vullnetshëm dhe më punëtorë të qeverisë sonë, i cili pas pak ditësh do t’i përkushtohet plotësisht një përpjekjeje të re, për ta kthyer kryeqytetin në drejtimin e duhur dhe për të bërë për Tiranën, në 4 vitet e ardhshme, shumëçka që padrejtësisht ka mbetur pa u bërë në 4 vitet e shkuara dhe edhe më shumë se kaq, për të bërë për Tiranën, në 4 vitet e ardhshme, së bashku me qeverinë qendrore, atë që nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku.

Faleminderit!

***

Veprimtaria në fushën e zejeve do të organizohet me ligj. Projektligji i ri i hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të synojë nxitjen e zhvillimit të zejtarisë nëpërmjet formimit të zanateve dhe përgatitjes së mjeshtrave dhe ndihmësave, si një kërkesë e standardeve të tregut të punës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.