Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e dekorimit të Akademik Rexhep Qoses me Kordonin e Madh me Yllin e Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike:
Fort i dashur!
Profesor Rexhep Qosja!
I dashur Albin!
Të dashur e të nderuar miq!
Kjo ditë më bën të ndihem krenar dhe njëkohësisht i ndrojtur. Është një ditë që e kam dashur të vijë prej kohësh, por dhe thuajse më ka volitur ta shoh sa më të largët, se t’i shprehësh mirënjohjen e të nderosh një njeri të admirueshëm, do të thotë të marrësh si rregull, falas, në këmbim, uratën e tij.
E sot, kjo nuk ka se si të mos më lumturojë, aq më tepër që unë jam vetëm Kryeministri më i mirë mes artistëve, ndërsa Profesori është më i larti i të vetëdijshmëve të një gjuhe e gjaku, përgjatë harkut të një jete të përputhur me periudha nga më të zymtat e me çaste nga më kulmoret të historisë sonë.
Vetëdija atdhetare e Rexhep Qoses është tipari dallues i një jete prej intelektuali të angazhuar e patrioti të palëkundur, një zotni burrë, në kuptimin më të plotë të kësaj shprehje shqipe.
Profesor Qosja qëndron në kohë si shembull i gjurmimit të së mirës së përbashkët, në një vend ku zhurmat dhe pluhurat mendorë e kanë dominuar prej kohësh mjedisin e përbashkët publik.
Ka qenë shumë vite më parë, kur asokohe nxënës në Liceun Artistik, mes rafteve të librave të lejuar nga censura e egër komuniste, mua më ra në dorë një libër me titullin “Anatomia e Kulturës”. Nuk e di sa herë i jam kthyer faqeve të atij libri, që ishte i lejuar, por kishte një ndjesi krejt tjetër dhe përçonte një aromë krejt tjetër nga ajo e botimeve shabllone të estetikës e të kritikës marksiste-leniniste me të cilat ishim mësuar.
Qysh atëherë, unë u vura në gjurmët e autorit të atij libri, që në ato fare pak fotografi bardh e zi të asaj kohe, mua më ngjante si një dëshmitar i vazhdimësisë së dinastisë së dëshmitarëve të mëdhenj të historisë shqiptare. Përshembull, mund t’ju them dhe ka qenë kështu që, kur flitej për Barletin apo për Gjeçovin, mua, ata më shfaqeshin me portretin e Rexhep Qoses.
Por Rexhep Qosja është një nga ato raste kur librat nuk i thonë të gjitha për autorin e tyre dhe vetë jeta e tij, e ndërkallur në frymëmarrjen e atdheut të vet, në rrahjet e pulsit të kombit të vet, është një libër i shkruar në ndërgjegjen e bashkësisë së cilës ai i përket.
Dikush ka thënë që historia është gjithnjë personale e me ndjesën formale të rastit, nuk e shmang dot nga kjo fjalë faktin që, megjithëse Profesori i meriton të gjitha, krejt pavarësisht prej meje apo kujtdo tjetër që nderon veten duke nderuar atë dhe veprën e tij, për mua, Rexhep Qosja hyn ndër ata njerëz për të cilën e quaj veten me fat të jem bashkëkohës dhe e konsideroj privilegj që më është dhënë mundësia e njohjes personale.
Mbetet personal për mua një përjetim i vitit 2018, që ishte këtej e andej bjeshkëve një moment i veçantë, përbashkues, kombëtar, rreth kujtimit dhe përkujtimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, në 550-vjetorin e kalimit të tij në amshim. Profesor Rexhepi, së bashku me Ismail Kadarenë dhe të tjerë personalitete të kulturës shqiptare, u bë një nga kumbarët e këtij përvjetori. Në kullën e tij prej librash në Prishtinë, ai pranoi në intimitet për këtë arsye që ta merrte simbolin e vogël të praruar të Vitit Mbarëkombëtar, të cilin menjëherë e vendosi në jelek, në krahun e zemrës. Dua ta them sot se kur e pashë fotografinë e asaj dite, yllin e vulës së Gjergj Kastriotit me 36 rrezet e alfabetit tonë kombëtar në krahun e zemrës së Rexhep Qoses, pata ndjesinë që simboli do ta kishte jetën e gjatë.
Ky simbol është tanimë ai i Medaljes së Kryeministrit të Shqipërisë për Mirënjohjen Publike, të cilin kam nderin e jashtëzakonshëm t’ia dorëzoj sot Profesorit të shtrenjtë, në praninë e kësaj audience të nderuar dhe së bashku me Kryeministrin e Kosovës, bash në përvjetorin e 85-të të jetës së tij, e cila është e shënjuar nga drita e atij ylli, por mbase sot është dita që ta nxjerr diçka shumë personale, i dashur Profesor, për të thënë se nga koha kur isha në opozitë, sot nuk më kritikon që kam ardhur me duar në xhepa.
Nuk e di sa mund t’ju kujtohet të tjerëve, por e kam fjalën për njëherë, kur gjatë inaugurimit të një shkolle në Tiranë si kryetar bashkie, por ndërkohë isha edhe kryetari i opozitës, kamerat më zunë gafil me duar në xhepa dhe ju, vëzhgues i imtë, më qortuat përmes një artikulli që kishte bërë bujë atëherë, që titullohej: “Opozitë me duar në xhepa”.
Nuk e fsheh dot se ishte një qortim shumë gërvishtës që nisej prej duarve të mia në xhepa, e bitisej në përfundime të hidhura për opozitën e asaj kohe. Tani dihet botërisht që kritikët e mi janë të bindur që mua kritikat nuk më bëjnë asnjë përshtypje, por unë ju sfidoj të gjithëve e i sfidoj të gjithë të gjejnë që nga ajo kohë, një pamje timen me duar në xhepa përgjatë një vizite pune diku në ndonjë kantier. E dini çfarë? Nuk është se nuk më ka ndodhur që të fus duart në xhepa, por besojeni ose jo po të doni, menjëherë më kujtohet Rexhep Qosja me atë artikullin qortues dhe tak, i heq duart nga xhepat.
Fundja, siç thotë vetë Profesori, njeriut duhet gjithmonë t’i dhemb diku, vetëm budallenjve nuk u dhemb asgjë. Apo jo? E pra, qëkur më dhëmbi atëherë, kurrë më duart në xhepa dhe ky është një shembull shumë i vogël, por mbase pse kaq i vogël e kuptimplotë për ndikimin e mendimit kritik të Rexhep Qoses, që nuk e ka fuqinë e madhe thjeshtë tek ajo që shkruajnë germat, por dhe sepse ato germa i rendit njeriu që e ka mishëruar me forcën e shembullit fjalën e thënë në rrugëtimin aspak të lehtë të një jete fatmirësisht të gjatë, që uroj të jetë ende shumë e gjatë.
Ndërkohë më kujtohen këtu, disa qortime jo më të vogla të orakullit në librin “Të fshehta e të treguara”, të cilat do bëja mirë t’i merrja dhe pak personalisht, përshembull, kur thotë: “Fol shkurt, sa më shkurt. Kudo e kurdo, në dritë e në terr, është mirë të flasësh shkurt, sa më shkurt”. Ja që unë e kam të vështirë, në përgjithësi, të flas shkurt, i dashur Profesor dhe jo më sot, kur përballem me afreskun monumental të jetës suaj që, siç do të thoshte fort i dashuri juaj dhe i Albinit, por dhe i imi, Serembe, “zgjon në trutë e mia kujtime shumë”.
E vërteta, pa lajka e pa ojna është që Rexhep Qosja është një shpirt i madh dhe përulësisht njerëzor. Një mendimtar që hapësirën mbarëshqiptare e ka rrokur në pafundshmërinë e madhe dhe të vogël të saj. Në të 85-tat e tij, mendimi i Profesorit, ende mrekullisht i freskët dhe ai vetë duket i pandryshueshëm prej viteve që vijnë dhe ikin nga vështrimi nën skeletët e këtyre syzeve, tanimë mitike e nën mjekrën e hijshme sokratike, Rexhep Qosja është pa frikë dhe fatkeqësisht nga të fundmit viganë të një epoke liliputësh dhe qaramanësh mediatikë, një zë udhëheqës e imponues, si ai i bariut të mirë që kujdeset me të njëjtën rreptësi të dhembshur të ditës së parë për grigjën e tij. E çfarë grigje, edhe nga kjo anë, edhe nga ajo anë, tamam kur i thonë, Allahu na ruajt!.
Kush e ka vizituar në ermitazhin e tij prishtinali, rrethuar prej heshtjes solemne të pafundësisë së librave, është bërë dëshmitar i mishërimit në qenien e Profesorit të më të spikaturave veti të mendimtarit sa të brengosur, aq të patrazuar nga ulërimat e varfërisë morale e mendore të kinse patriotëve dhe pseudointelektualëve të mexhlisit tonë. Ai ka vazhduar të dëgjohet, si zë kumbues i arsyes dhe asnjëherë si uturima shurdhuese e mosarsyes e ka vazhduar të lexohet si kalorësi i një stili që fjalët e botëkuptimet shqip i ka çuar në shtigjet e pashkelura të një lajmëtari e pajtimtari, njëherazi, të identiteteve tona të ndërndrydhura dhe të vetëdijes sonë të përbashkët e të patjetërsueshme shqiptare.
E ndjej të nevojshme ta ilustroj këtë që thashë më sipër, përndryshe do të akuzohesha me të drejtë se po shes tani lule lajkash që për një burrë si Rexhep Qosja nuk do të ishin vetëm të panevojshme, por do ishin dhe të patolerueshme. E do më lejosh i dashur Profesor, të sjell këtu një citim nga faqet e fundit të “Çështjes shqiptare”, ashtu siç unë i kam lexuar në botimin në frëngjisht të Fayard më 1995-ën.
Tani, shqipërimi është imi dhe si çdo tradhti ndaj intimitetit të përkthyesit, ky përkthim mund të nxjerrë lakuriq mënyrën e leximit dhe të të kuptuarit të vetë përkthyesit. Por do të isha i lumtur nëse do të nxiste sadopak sot, rizbulimin e kësaj vepre madhore të mendimit shqiptar, dalë në dritë në kapërcyellin e dy shekujve dhe dy mijëvjeçarëve dhe natyrisht sugjeroj që ta gjeni në gjuhën shqipe dhe ta lexoni me sytë e një europiani, ashtu siç unë e lexova në gjuhën zonjë të Europës me sytë e një shqiptari.
“Shqiptarët janë sot, të mendimit se interesat kombëtarë të fqinjëve duhet të realizohen gjithë duke ruajtur interesat e shqiptarëve. Por vetë fqinjët duhet të mendojnë edhe ata vetë, se interesat e tyre kombëtare duhet të ruhen duke pranuar dhe kënaqur edhe interesat kombëtare të shqiptarëve. Shqiptarët nuk kërkojnë dhe nuk duhet të kërkojnë më shumë se popujt e tjerë të Ballkanit, por as më pak se ata, kundrejt të tjerëve, të njëjtat detyrime që synojnë barazinë dhe mirëqenien në Ballkan, për ata vetë, të drejtën për të qenë të barabartë me të tjerët. Bashkimi i shqiptarëve është, pa më të voglin dyshim, një e drejtë legjitime dhe demokratike, një e drejtë mjerisht e vonuar dhe e kundërshtuar, por që për këdo shfaqet gjithmonë e më shumë e arsyeshme në planin politik dhe moral dhe e pashmangshme në planin historik. Në përpjekjet që shpalosin për të fituar të drejtat e tyre, shqiptarët nuk duhet të harrojnë se Ballkanin e kanë të përbashkët me të gjithë popujt që jetojnë në këtë rajon të botës dhe se të gjithë do të jenë gjithmonë fqinj me njëri-tjetrin”.
Nuk dua të vendos tani, këtu në prezencë dhe të Profesorit, përkime mes kumteve dhe aktualitetit në Kosovë dhe në Shqipëri sot. Megjithatë, çfarë kthjelltësie, çfarë ftese për urtësi dhe mbi të gjitha, çfarë udhërrëfimi për të drejtpeshuar synimet më të larta dhe për t’u dhënë atyre koherencën e veprimeve drejt arritjes së qëllimeve. Siç e ka thënë vetë diku Profesor Rexhepi, “do të udhëtojmë bashkë, të gjithë, ose nuk do të udhëtojmë fare”!
Do të më ndjeni tani të ndalem këtu dhe nëse përkundër asaj që lipset në këto raste, nuk do rreshtoj sot titujt e veprës së plotë të Rexhep Qoses se do të ishte tmerrësisht e gjatë dhe e papërshtatshme edhe për porosinë e orakullit të të fshehtave të treguara, “fol shkurt, sa më shkurt”.
Do të ishte jo e sjellshme edhe për këtë publik të zgjedhur miqsh dhe akademikësh që veprën e tij e njohin shumë më thellë sesa unë dhe dinë ta vlerësojnë shumë më profesionalisht sesa unë, siç edhe kanë bërë, duke i kushtuar me sa e sa kritika e reçenca.
Por tek e mbyll dhe tek e ftoj Akademik Rexhep Qosen të vijë krah meje për të marrë “Yllin e Mirënjohjes Publike”, dua të them vetëm këtë;
Që t’ju kujtojmë në këtë ditë të shënuar, Mjeshtër, është një fatbardhësi. Që veprën tuaj ta lexojmë, ta kuptojmë e ta përcjellim në të katër cepat e dheut arbëror e përtej, është një dhuratë për shpirtin dhe një nder për intelektin, siç është një privilegj, sot e gjithë ditën, i paçmueshëm të të kemi mes bashkësisë shqiptare si një shembull kaq frymëzues të përputhjes së njeriut me fjalën e tij!
Shumë faleminderit që ekzistoni për të gjithë ne dhe për fëmijët tanë e për fëmijët e fëmijëve tanë, fëmijët e Shqipërisë e të Kosovës, fëmijët e kombit shqiptar, fëmijët e një gjaku, të një gjuhe, të një historie e të një ardhmërie!