Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama

Përshëndetje të gjithëve!

Ky është një moment i rëndësishëm, sepse një nga segmentet e rëndësishme të programit tonë kombëtar të futjes së teknologjisë së re në funksion të kryerjes së shërbimeve më cilësore dhe të monitorimit të këtyre shërbimeve, hyn tanimë në jetë në një nga fushat më delikate të përpjekjes sonë për të rilindur këtë vend, që është fusha që ka të bëjë me ujitjen dhe me kullimin.

Faktikisht, ne kemi marrë një zotim shumë ambicioz që; të çojmë ujë në çdo parcelë ku punohet me tokën. Po të shikojmë gjithë trendin 20 vjeçar kuptojmë edhe më mirë që zotimi është vërtet shumë ambicioz, sepse mundësia për ujitje qysh prej vitit ’91 – ‘92 ka ardhur duke u ngushtuar dhe jo duke u zgjeruar. Faktikisht, ne sot kemi nën ujë vetëm 110 mijë hektarë nga 420 mijë që Shqipëria kishte si tokë bujqësore të ujitur në vitin ’91 – ‘92. Sigurisht që, në këto 420 mijë hektarë, ky 20 vjeçar ka sjellë shumë transformime që në raport me sipërfaqen e tokës së bukës janë negative, pasi shumë sipërfaqe që në ’91 – ‘92 ishin sipërfaqe dedikuar për prodhimin bujqësor janw transformuar në truall ndërtimi dhe fusha të tëra prodhuese janë transformuar në lagje të tëra me ndërtime kryesisht informale. Por, sidoqoftë, mbetet ende një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore. Një sipërfaqe, pra, e ujitshme, e cila sot është ende jashtë funksionit të saj pikërisht për shkak se mundësia për ujitje është kufizuar shumë ndjeshëm.

Ne kemi bërë një punë të konsiderueshme edhe në këtë sektor, ku në radhë të parë ka qenë si në gjithë sektorët e tjerë e domosdoshme të kryhej një inventar i plotë i situatës dhe të fillohej me ndaljen e një hemorragjie të madhe, që praktikisht, 18 muaj më parë kishte përfshirë dhe përmbytur të gjithë sektorët e zhvillimit tonë ekonomik dhe social.

Nga ana tjetër, siç dëshmon edhe ky prezantim i sotëm, kemi filluar një punë intensive për të modernizuar mjetet me të cilat e administrojmë sektorin dhe për t’i dhënë fund, siç e tha edhe ministri, një epoke skandaloze abuzimesh dhe falsiteti në raportimin e punëve të kryera. Faktikisht, në raportimin e punëve të kryera për ujitjen dhe për kullimin ka pasur një abuzivizëm ekstrem dhe një shpërdorim të patolerueshëm më tutje të fondeve publike, përmes këtij abuzivizmi që ka qenë edhe rezultat i një organizimi jashtëzakonisht primitiv të të gjithë sistemit.

Ajo çka do të ndodhë më pas do të jetë revolucionarizuese për sistemin, pasi ne, nga njëra anë, duke jetësuar reformën e madhe historike të organizimit të territorit, do të kalojmë përgjegjësinë e ujitjes dhe kullimit tek 61 njësitë vendore të vendit dhe do të jenë kryetarët e rinj të bashkive, bashkë me administratën e tyre që do të përgjigjen drejtpërdrejtë ndaj çdo qytetari që punon në zonën e fshatit dhe që shfrytëzon tokën bujqësore. Në të njëjtën kohë, këtyre kryetarëve të rinj të bashkive, kësaj administrate të re që do të dalë nga një proces i madh ripërtëritës i qeverisjes në nivelin vendor, siç e shikoni, u vihet në dispozicion një instrument jashtëzakonisht modern dhe unikal për të monitoruar në kohë reale të gjithë punën që kryhet në këtë sektor.

Ambicia jonë, siç e tha edhe ministri, është që brenda këtij mandati, ne të mund të dyfishojmë dhe praktikisht, pothuajse të ezaurojmë të gjithë nevojën e tokës, që aktualisht është në shërbim të bujqësisë, apo që mund të vihet në shërbim të bujqësisë, për ujë. Por njëkohësisht, edhe për të garantuar kullimin e saj në gjithë territorin, qoftë si një proces i domosdoshëm brenda gjithë procesit të prodhimit, qoftë si një proces i domosdoshëm për të shmangur në maksimum përmbytjet e evitueshme, pra, ato përmbytje që vijnë përgjithësisht jo nga ndonjë fuqi e madhe reshjesh, sepse asaj s’kanë ç’i bëjnë as kanalet kulluese, por nga reshje thuajse normale që nuk arrijnë dot të filtrohen për shkak se sistemi i kullimit në shumë pjesë të vetat është jo funksional dhe është i bllokuar.

Sipas këtij objektivi dhe bazuar në këtë inventar që Ministria e Bujqësisë ka bërë, janë më shumë se 100 mijë familje të tjera fermere që do t’u mundësohet ujitja, pas 20 e kusur vitesh në pamundësi të plotë për të punuar tokën, për shkak të mungesës së ujit. E gjitha kjo do të ndodhë brenda 2.5 viteve të ardhshme, duke plotësuar kuadrin e një zotimi ambicioz, por të arritshëm të shumicës sonë qeverisëse.

Kjo, nga ana tjetër, jemi të bindur se do të sjellë një nxitje të mëtejshme të rritjes së ekonomisë familjare në fshat dhe pa as më të voglin dyshim, një rritje të ndjeshme të prodhimit bujqësor në shkallë vendi, që sigurisht do të ndikojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit tonë.

Nga ana tjetër, në 2.5 vitet e ardhshme, pra, brenda harkut të këtij mandati të shumicës sonë qeverisë, ne jemi të bindur se kemi të gjitha mundësitë dhe instrumentet tanimë, për të siguruar një përmirësim sasior dhe cilësor të sistemit të kullimit në 270 mijë hektarë dhe për të shmangur në një masë të konsiderueshme, përmbytjen e prodhimit dhe të tokave bujqësore.

Po ashtu është e padiskutueshme që në këtë proces, ky instrument i ri, që sot vihet në dispozicion të të gjithë sistemit të administrimit të ujitjes dhe kullimit, do të na garantojë një mënyrë të re shumë më të efektshme të shpenzimit të financave publike, duke bërë të mundur që me të njëjtat financa publike, ne të mund të bëjmë shumë më tepër punë dhe të kemi shumë më tepër rezultat, pasi të gjitha rrjedhjet e mëdha, për shkak të abuzimit dhe të mungesës së një sistemi të monitorueshëm, me këtë instrument frenohen thuajse tërësisht.

Siç e patë, çdo mjet që është pjesë e “flotës shtetërore”, për të siguruar funksionimin e kanaleve të ujitjes dhe të kullimit, tanimë është pjesë e një sistemi online që monitoron deri në detaje të gjithë mënyrën sesi mjetet funksionojnë brenda këtij sistemi, të gjithë sasinë e karburantit që mjetet harxhojnë në funksion të punës brenda në sistem, kilometrat e kanaleve të pastruara, apo që mbeten për t’u pastruar dhe me radhë e me radhë, një sërë detajesh të tjera që do t’u jenë një ndihmë e paçmueshme zyrave dhe njerëzve që do të ketë përgjegjësinë për të monitoruar nga fillimi në fund këtë sistem.

Është një risi e madhe dhe e shumëpritur kjo që sot u ekspozua në mënyrë të sintetizuar nga Ministria e Bujqësisë, që i bashkohet në momentin e duhur risisë që do të sjellë gjithë transformimi organizativ i territorit të Republikës së Shqipërisë, duke bërë të mundur që raporti mes qytetarëve që votojnë dhe të zgjedhurve, edhe në këtë sektor të jetë një raport që bazohet në detyrime dhe në mundësi për t’iu përgjigjur këtyre detyrimeve. Me kalimin e ligjit të ri, që së shpejti do të jetë në duart e ligjvënësve, nuk do të jetë më e mundur që kryetari i bashkisë apo administrate e re e bashkisë t’i shmanget kësaj përgjegjësie, në pamundësi për t’ju përgjigjur nevojave të komuniteteve dhe familjeve fermere në territorin e njësisë administrative.

Nga ana tjetër, do të jetë plotësisht mundur që mes njësive të reja vendore, Ministrisë së Bujqësisë dhe qeverisë vendoset një marrëdhënie shumë më e dobishme pune e përbashkët, ku gjithë ajo histori e pafundme abuzimesh dhe marrëzish, që ka ardhur si rezultat i mosfunksionimit të plotë apo i degjenerimit në struktura tërësisht të korruptuara dhe korruptive të këtyre shoqatave, bordeve e historive, të marrë fund dhe Ministria e Bujqësisë të ketë mundësi që të monitorojë në kohë reale, të gjithë funksionimin e këtij sistemi. Po ashtu, falë kësaj ndarjeje të punëve të ndërtojë politikat e duhura për t’i ardhur në ndihmë njësive vendore, në funksion të qëllimit të përbashkët, që është pikërisht garantimi i mundësisë për ujitje në çdo parcelë, garantimi i kullimit të çdo parcele dhe përmes këtyre garancive, rritja automatike e prodhimit e ekonomisë familjare të fermerëve dhe padyshim e ekonomive komunitare të njësive vendore dhe e ekonomisë sonë kombëtare.

Unë dua ta përgëzoj shumë përzemërsisht ministrin, Ministrinë e Bujqësisë, administratën që kanë pasur një qasje agresive dhe inovative në funksion të programit tonë kombëtar, që shtrihet me segmente në të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me shërbimet në territor dhe që ka realizuar më në fund, një instrument të ri falë futjes së teknologjisë së re, që qysh prej këtij momenti do të jetë në dispozicion të të gjithë të interesuarve dhe do të bëjë që niveli jashtëzakonisht i lartë i monitorimit të na garantojë edhe një nivel të ri përgjegjshmërie dhe efektshmërie në punën që shteti, qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin vendor, ka detyrimin të bëjë për të lehtësuar dhe mbështetur familjet fermere në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

***

Administrimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit në vend do të bëhet për herë të parë përmes monitorimit online. Prezantimi i këtij instrumenti të ri që do të modernizojë administrimin e sistemit u bë sot në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti.

Ky instrument do të transformojë dhe modernizojë të gjithë sistemit të administrimit të ujitjes dhe kullimit në vend. Përmes sistemit të monitorimit bëhet gjurmimi dhe kontrolli në kohë reale, falë teknologjisë, i kapaciteteve teknike të sistemit ujitës dhe kullues në të gjithë territorin. Ai ka të bëjë me gjurmimin në kohë reale të të gjitha kapaciteteve motorike pranë bordeve të kullimit, duke filluar nga pozicioni i tyre, vëllimi i punës dhe historikun e gjithë punëve të bëra.

Ministri Panariti theksoi se sistemi i gjurmimit do të shmangë abuzivizmin që për vite me radhë ka shoqëruar këtë sektor dhe do të maksimalizojë efektivitetin e fondeve publike për pastrimin e kanaleve për veprat ujitëse dhe në tërësi, për mirëmbajtjen e gjithë sistemit të kanaleve ujitëse dhe kulluese.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.