Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me gjimnazistë dhe studentë nën 30 vjeç, fitues të programit të qeverisë “Edhe unë kam një ëndërr 2015”:
Shumë faleminderit,
Ky është një moment i rëndësishëm në këtë rrugëtim të përbashkët sepse është momenti kur ne do të kalojmë në fazën tjetër që është faza e përgatitjes së projektit në mënyrë profesionale dhe pastaj faza e tretë është realizimi i projektit.
Ajo që është e rëndësishme është që ju jeni përzgjedhur fitues dhe kështuqë të gjitha projektet tuaja do të realizohen.
Nga ana tjetër, unë dua t’ju bëj me dije për një projekt. Pra, jo vetëm realizimi i projekteve individuale, por edhe fillimi i punës për një projekt tjetër, bashkërisht, për të cilin do të kërkojmë ndihmë e të dy Andëve, edhe të Andit të Shoqërisë Civile, edhe të Andit tjetër që mbështet Shoqërinë Civile. Ajo që unë dëshiroj të realizojmë me këtë projekt, brenda projektit të secilit, është që të gjithë ju në fund të jeni një skuadër e gatshme për të ndihmuar që eksperienca juaj, nga shprehja e dëshirës në internet tek realizmi i projektit, t’ju vlejë të rinjve të tjerë. Të jeni në një farë mënyrë përçuesit e kësaj eksperience tek të rinj të tjerë, në mënyrë që valë-valë të krijojmë një rrjet sa më të gjerë informacioni, për të kuptuar se ka gjithmonë një rrugë për të realizuar ëndrrën. Nëse ëndrra është që në fund të një rruge ti të bësh atë që do, të punosh ashtu si do, të fitosh aq sa do, të ndihmosh ata që do, atëherë rruga për t’ia arritur është të jesh i aftë që ëndrrën tënde ta kthesh në një projekt.
Sot, ne ndeshemi shpesh me pafuqinë e shumë të rinjve përballë papunësisë. Dje paradite, në shumë mesazhe që më vijnë si zakonisht, më bëri përshtypje një mesazh i një grupi të rinjsh nga Gjirokastra. Ata më shkruanin se jemi pa bukë, kemi mbaruar shkollën, kemi mbaruar universitetin dhe ndërkohë në filan drejtori janë punësuar burrë e grua dhe ne do të dalim të protestojmë se jemi pa bukë. Unë e mora në telefon shkruesin e mesazhit dhe ishte një vajzë. Nuk ia di emrin se nuk e pyeta për emrin, por e pyeta se çfarë shkolle kishte mbaruar. Më tha se kishte mbaruar shkollën e lartë për anglisht. Përse je e papunë? – i thashë. Mu përgjigj: Ja është futur gruaja e atij burrit, se po të mos ishte futur ajo në punë, mund të isha futur unë. I thashë ta zëmë se kjo është e vërtetë, mund të hiqet ajo dhe të futesh ti, por kjo a e zgjidh gjithë atë problemin e gjithë atij grupi të rinjsh, që ti thua se jeni. Ti ke në dorë një mundësi që e ke krijuar me investimin që prindërit e tu dhe ti ke bërë për të marrë diplomën në anglisht. Anglishtja është rruga jote për t’u punësuar. Nuk më merr njeri, – mu përgjigj. Jo, – i thashë, – të jap unë një ide. Ulu në kompjuter dhe shkruaj kush je, fol dy fjalë për veten tënde dhe fto vajza dhe djem gjimnazistë apo në shkollën 9-vjeçare, ata më të rriturit, që të vijnë të marrin kurse anglishteje nga ty. Këtë letër printoje në aq kopje sa ka shkolla në Gjirokastër, shko në çdo shkollë dhe ngjite njoftimin tënd tek dera e shkollës. Lër numrin tënd të telefonit dhe pas dy javësh, të shohim. Do të marrësh në telefon dhe të më thuash se nuk kujtua kush të më marrë në telefon, apo do të kesh 2, 3, 5 apo më shumë njerëz që interesohen, nxënës apo prindër që do të të thonë se unë dua të vij të marr kurs me ty. Pa llogaritur që këtë gjë mund ta bësh në fshatrat rreth qytetit tënd, ku ka plot prindër që duan që fëmijët të mësojnë anglisht dhe ku mungojnë mësuesit e anglishtes. Në qoftë se do të marrësh edhe disa shoqe dhe shokë të tu të klasës së anglishtes mund të bëni një kompani për të ofruar këtë shërbim dhe në fund të çdo muaji, ju mund të keni më shumë të ardhura sesa ç’do të merrnit nga një rrogë, duke bërë një punë që nuk ka lidhje fare me diplomën tuaj.
E solla këtë shembull për të thënë që është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë çmos për të përcjellë një mesazh shumë të qartë;
Nëse një vajzë apo një djalë ka një ëndërr që e shikon me sy hapur, ëndrra është e realizueshme. Por, për t’ia dalë duhet një ide, duhet një rrugë për të shkuar drejt realizimit të idesë dhe sigurisht duhet dhe një projekt, pa diskutuar këmbënguljen, pa diskutuar përkushtimin.
Është shumë e rëndësishme që ne të përhapim në çdo shkollë, që në shkollën 9-vjeçare, kulturën e projektit. Që fëmijët në klasë të 7-të, të 8-të dhe të 9-të dhe pastaj më të rriturit të kuptojnë që bota ku jetojmë është bota e një konkurrence të madhe dhe në këtë konkurrencë të madhe janë dijet që bëjnë diferencën. Gjithmonë e më shumë në kohë, dijet do jenë ato që do të bëjnë diferencën. Kultura e projektit, aftësia për të arritur të shkruash një projekt dhe këmbëngulja për ta realizuar duke bashkuar burimet njerëzore, që kanë dijet për atë punë, janë ato që bëjnë diferencën.
Nëse i lëmë gjërat siç janë dhe në fund të universitetit, të rinjtë mbarojnë studimet dhe rrinë presin në kafene që puna t’ju vijë në vend të kamerierit dhe t’ju thotë “hajde se unë erdha dhe shkojmë bashkë tani, se ja ku më ke” apo për më tepër t’u kërkojnë nënës dhe babait që të shkojnë të kërkojnë punë për ta, kjo është vërtetë fatkeqësi. Fatkeqësi e madhe që përkthehet në një fatkeqësi edhe më të madhe kolektive që Shqipëria, e cila në rrugën e Bashkimit Europian duhet të përgatitet çdo ditë, çdo muaj, çdo vit e më shumë që përmes aftësisë për të projektuar të ardhmen dhe për të ndërtuar projekte të besueshme dhe të financueshme, të mos ia dalë pikërisht se i mungon kjo dije dhe i mungon kjo kulturë, ky mentalitet.
Po të marrim vendet e BE dhe të shikojmë se si përfitojnë vendet e ndryshme nga burimet financiare që janë në dispozicion të tyre, do të shikojmë se ka një çudi që në fakt nuk është çudi. Vendet më të pasura dhe më të zhvilluara përfitojnë më shumë para dhe vendet më pak të pasura dhe më pak të zhvilluara përfitojnë më pak para. Kujdes, nuk duhet të ngatërrojmë drejtimin e arsyetimit, duke menduar që ata që janë më të fortët i marrin lekët më kollaj. Jo, ata që janë më të fortë dinë më shumë dhe kanë më shumë kapacitete që përmes projekteve, kulturës dhe kapacitetit të tyre projektues dhe realizues të thithin më shumë fonde. Ata që janë më të prapambetur këtë e kanë shumë më të dobët. Vendet që janë futur së fundi në BE kanë arritur në vitin e I e të II të pranisë së tyre në familjen europiane, 3%, 4% të shumës që ata kanë pasur në dispozicion dhe 95%, 96% a 97% e shumës nuk është shfrytëzuar dot prej tyre, nuk është konsumuar dot. Kjo sepse nuk kanë pasur kapacitetin për t’i absorbuar këto fonde përmes projekteve.
Kjo vlen për individin, kjo vlen për një komunitet, kjo vlen për një bashki, kjo vlen për një shtet dhe kjo vlen për gjithë Bashkimin Europian.
Kjo është arsyeja pse unë besoj që kjo bërthamë e vogël që u krijua nga përzgjedhja e një gare, e një gare të parë, e një gare që na ndihmon edhe neve të kuptojmë dhe të mësojmë sesi ta zgjerojmë dhe ta përmirësojmë edhe cilësinë e vetë të kësaj gare, duhet të na shërbejë edhe si një bërthamë për të shpërndarë këtë eksperiencë, për të krijuar përmes shembullit tuaj, besimin edhe tek të tjerë që: Po, unë mund t’ia dal vetë ta realizoj një ëndërr që kam. Një ëndërr sado modeste apo edhe më e madhe se kaq.
Por na i mbeti hatri atyre që janë mbi 30 vjeç dhe na bombarduam me mesazhe, duke na thënë që ‘ne sipas jush, kemi marr fund, ne nuk jemi kurrkush, nuk na paska në refene qeveria etj’.. Që nuk është e vërtetë. Ne kemi hapur edhe një program tjetër për ata mbi 30 vjeç, por me një fokus të qartë: Si unë mund të punësoj veten time. Nuk kam punë dhe do pres, apo do përpiqem? Ku do përpiqem? Do rri të pres nga përpjekjet e nënës apo të babait, apo do pres që një kushëri, një mik në Tiranë, apo një mik në administratë apo qeveri do ma rregullojë këtë punë dhe po nuk e pata këtë mik, do rri të shfryj gjithë ditën në kafene që “ja kështu është kjo punë”, “të gjitha bëhen me mik”, “ne që s’kemi mik” etj. etj..
Ndërkohë që, mundësia është në dorën e secilit. Ne duam të hapim sa më shumë dritare, që sa më shumë ide dhe sa më shumë përpjekje të kësaj natyre të gjejnë rrugë për t’u realizuar. Këtë do ta bëjmë me fondet e qeverisë, por ne duam që kjo të zgjerohet dhe që të fillojmë t’i informojmë e t’i mësojmë njerëzit se fonde qeveria ka dhe do të ketë gjithmonë shumë pak, por ndërkohë fondet në dispozicion për ide dhe për projekte interesante ka edhe rreth e rrotull, ka edhe jashtë Shqipërisë, ka edhe në organizata të huaja, ka edhe në Bashkimin Europian e kështu me radhë. Kjo besoj, do të ndikojë për të shfrytëzuar me dije, kapacitetin që vetë bashkitë kanë për të thithur fonde, por që në mungesë të kapacitetit njerëzor nuk arrijnë dot ta bëjnë një gjë të tillë.
Po e mbyll duke ju thënë, mos e harroni asnjëherë, vendet nuk dallohen për shkak të asaj që kanë, por vetëm për shkak të asaj që dinë. Nuk të bën të pasur ajo që ke, por ajo që di. Ky është shembulli i gjithë vendeve të zhvilluara, që janë edhe vende që dinë më shumë. E kjo është fatkeqësia e shumë vendeve të prapambetura, që janë edhe vende që dinë më pak. Nëse ne do të dimë më shumë, patjetër do të kemi më shumë. Mjafton të bëjmë shembullin e Norvegjisë, që e kam për zemër. Norvegjia është vendi më i pasur në Europë në burime hidrike dhe sot, falë shfrytëzimit të këtyre burimeve ujore, që është një nga komponentët më të fortë të rritjes së tyre. Është edhe vendi për të cilin thuhet se aty jetojnë sheikët e Europës. Shqipëria është e dyta më e pasur për burime ujore, atëherë logjikisht, nëse besojmë se mirëqenia dhe pasuria vijnë nga ajo që kemi, ne duhet të ishim edhe të dytët për atë që kemi. Por ne jo vetëm s’jemi të dytët, por jemi të fundit. Madje, kjo pasuri na është kthyer në problem. Na është kthyer në problem tek energjia, na është në kthyer në problem tek ujitja, na është kthyer në problem tek uji i pijshëm. Ndërkohë, këtu buron çdo ditë, nga toka, një sasi uji me të cilën vende të tjera mund të kishin bërë mrekullira. Izraeli nuk ka ujë, por si shpjegohet që Izraeli ka ndofta bujqësinë më të zhvilluar në botë? Si shpjegohet që Izraeli ka rrugën më të mrekullueshme të zhvillimit bujqësor dhe të kulturave bujqësore, kur nuk ka ujë. Aty edhe një fidan domate ujin e merr me pikë, në mënyrë të personalizuar siç merr çdo familje ujin në çesëm. Dhe, merr aq pika ujë sa i duhen sepse nuk ka ujë. Çfarë e ka bërë këtë mrekulli? E ka bërë dija, e ka bërë kërkimi dhe e ka bërë projekti i bazuar mbi dijen dhe kërkimin. Në Japoni çdo ditë e parë shkolle fillon me një fjali që të gjithë mësuesit e japonisë e thonë si fjalinë e parë për mirëseardhjen e nxënësve. Fjalia është: “Japonia është një vend shumë i varfër, prandaj japonezët duhet të mësojnë shumë më tepër se të tjerët”.
Faleminderit!
***
Gjimnazistë dhe studentë nën 30 vjeç, fitues të programit të qeverisë “Edhe unë kam një ëndërr 2015” ishin sot të ftuarit e Kryeministrit Edi Rama në sallën e Hartave në Kryeministri.
Projektet më bindëse dhe idetë novatore të të rinjve u përzgjodhën pas një gare të hapur, ku aplikuan 734 të rinj nga gjithë Shqipëria.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj nënvizoi se u përzgjodhën ato projekte që japin një zgjidhje konkrete për çështje për të cilat shumëkush mund të thonë se duhet t’i zgjidhë qeveria. “Mesa duket ka njerëz në Shqipëri që besojnë se secili mund të japë një zgjidhje për një interes publik,” – u shpreh Veliaj.
Projektet fituese do të mbështeten financiarisht nga qeveria për realizimin e tyre.
Një ndër to është projekti për trajnimin e të verbërve përmes një programi të veçantë kompjuterik i një të riu nga Lezha, Gjergj Ndoci, për cilin thotë se do të përfitojnë 40 veta nga komuniteti i të verbërve në Lezhë.
Një ide origjinale si mund të pastrohet liqeni i Tiranës vetëm në një javë dhe me një kosto vetëm 1 milion lekë, përmes një makinerie që pastron deri në 1.8 metra të gjitha mbetjet urbane të sipërfaqes së tij ka ardhur nga i riu Shkëlzen Dunisha.
“Doctor score” është projekti novator që propozon Migel Parllaku, për matjen e performancës së mjekëve përmes një sistemi pikësh vlerësimi nga ana e vetë pacientëve. Mjekët me mesataren e pikëve më të larta qëndrojnë në pozicionet më të mira. Qëllimi, thotë i riu, është të stimulojë mjekët për një performancë më të mirë në të ardhmen dhe bën një vlerësim real të tyre.
Bashkimi i kontributit të 5 shkollave të njohura në Tiranë për të krijuar një bibliotekë në një shkollë në periferi të kryeqytetit, çka u mungon nxënësve të saj, është projekti i një të reje nga Tirana, e cila beson tek solidariteti.
I riu Admir Dacaj nga Shkodra kërkon ruajtjen e promovim i traditës artizanale shqiptare. Një website ku do të bëhet identifikimi i bizneseve të artizanatit, katalogimi dhe promovimi i tyre, për të kaluar më pas tek shitjet online, është projekti i tij fitues.
Ndërkohë, qeveria ka hapur një tjetër program “Edhe unë kam një ëndërr 2015”, për të gjithë ata që janë mbi 30 vjeç dhe kërkojnë mbështetje për një ide novatore apo një projekti për të çelur një aktivitet në dobi të komunitetit apo një biznes familjar.