Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Viktor Tusha si dhe nga deputetë të zonës, vizituan sot një nga kompanitë e përpunimit të peshkut, që ka përfituar nga Fondi i Nxitjes së Punësimit. Fabrika “Albafish” falë mbështetjes financiare që ka përfituar nga ky fond planifikon të punësojë edhe punonjës të tjerë nga listat e papunësisë në Zyrat e Punës.
Sipërmarrësi tha se Fondi i Nxitjes së Punësimit i ka përgjysmuar kostot e punës dhe i ka mundësuar dyfishimin e numrit të punonjësve. Një tjetër përfitim me vlerë sipërmarrësit i ka ardhur edhe nga projekti i këtij fondit për kualifikimin e punëtorëve.
Kryeministri u shpreh se projektet e qeverisë në fushën e nxitjes së punësimit kanë dhënë efektet e pritshme, duke e bërë optimiste qeverinë për të rritur më tej fondet për këtë qëllim. Kjo politikë e nxitjes së punësimit, sipas Kryeministrit, bëri të mundur që për vitin e parë, numri i të punësuarve vetëm nga ky projekt të ishte afro 4 mijë persona, ndërkohë që për vitin aktual, ky numër pritet të shkojë në 7 mijë të tjerë.
“Jam shumë i kënaqur, por edhe shumë i impresionuar nga gjithçka pamë sot këtu, – u shpreh Kryeministri,- sepse është një aktivitet shumë kuptimplotë i pasionit dhe këmbënguljes së jashtëzakonshme të një sipërmarrje, por edhe i bashkëpunimit me qeverinë në funksion të nxitjes së punësimit. Fondi i punësimit vitin e shkuar, që ishte edhe viti i parë i aplikimit të kësaj skeme të re ishte tre herë më i lartë sesa fondi i punësimit të 2013-s. Çfarë ishte akoma më e trishtueshme, në momentin kur ne filluam këtë ndryshim, ishte që një vit më parë ishin futur në punë nga zyra e punës më pak njerëz sesa kishin vetë zyrat e punës. Pra, shtetit i kushtonte më shumë të mbante nëpër zyra njerëzit, sesa çfarë këta njerëz prodhonin në funksion të vendeve të reja të punës. Ndërkohë, vjet u trefishua fondi, me një rezultat shumë inkurajues, sepse faktikisht ishin 6 herë më shumë kompani që aplikuan për të marrë pjesë në këtë fond. 361 kompani përfituan nga fondi, duke bërë të mundur që vetëm nga ky program të kishim 4 mijë vende të reja pune. Këtë vit, ne dyfishuam fondin e një viti më parë dhe presim që të mbërrijmë një shifër prej 7 mijë vendesh të tjera pune dhe vetëm nga ky program. Këtë vit pritet që të marrin pjesë në këtë program me aplikimet e tyre rreth 700 kompani.”
Kryeministri u shpreh mbresëlënës nga fakti se fabrika të tilla orientohen nga standardet europiane, rritja e eksporteve dhe zgjerimi i pozitës në tregjet e huaja.
“Është shumë e rëndësishme të theksohet se në rajonin e Lezhës, pavarësisht vështirësive dhe varfërisë së trashëguar prej shumë vitesh, ekziston një klasë e re sipërmarrësish, shumë të pasionuar dhe veçanërisht shumë të informuar dhe të lidhur me botën përtej detit. Është vërtet impresionuese të shikosh sesi këto fabrika punojnë duke pasur parasysh standardet europiane, duke pasur parasysh rritjen e eksporteve dhe duke pasur parasysh zgjerimin e pozitës së tyre në tregjet e huaja. Ndërkohë që, po kalohet në një fazë të re të shfrytëzimit të lëndëve të para vendase dhe të përpunimit të lëndëve të para këtu në vend, për të pasur një cikël të mbyllur të procesit. Në Lezhë, falë kësaj klase të re sipërmarrësish të talentuar, kurajozë e të informuar, janë 77 projekte që janë zbatuar dhe prej tyre kanë përfituar 414 individë. Edhe për këtë vit janë vendosur në dispozicion fonde për këtë zonë, në mënyrë që të kemi një rritje të mëtejshme të numrit të të punësuarve dhe për më tepër janë përfshirë edhe programe trajnimi nëpërmjet punës për praktika profesionale për të rinjtë e sapodiplomuar, për gratë e për vajzat, si dhe për një sërë sektorësh që në Lezhë kanë treguar që mund të bëjnë sukses, si industritë e lidhura me detin tek aktivitetet e tjera të lidhura me bujqësinë, blegtorinë dhe turizmin,” – u shpreh Kryeministri.
Ministri Veliaj vuri në dukje edhe angazhimin e përvitshëm të qeverisë për të rritur fondin e nxitjes së punësimit.
“Ne kemi dyfishuar fondin e nxitjes së punësimit, dhe besoj se për të gjithë sipërmarrjet kjo është ndoshta një nga historitë ton të suksesit. Kur morëm administrimin e këtij procesi në fillim, fondi, ishte një fond skandaloz prej 900 mijë dollarësh që të gjithë ata që merren me biznes, e kuptojnë që nuk është mjaftueshëm as që një biznes të ngrihet në këmbë, jo më një qeveri të ngrejë në këmbë punësimin e vetë. Vitin e parë e trefishuam dhe vitin e dytë e dyfishuam. Kjo do të thotë që është trefishuar dhe dyfishuar respektivisht edhe për qarkun e Lezhës.” – u shpreh ministri Veliaj.
Gjithashtu, ministri Veliaj njoftoi se qeveria në mbledhjen e radhës do të miratojë Kodin e ri të Punës, i cili do të ofrojë më shumë garanci në mbrojtje të punës dhe të të drejtave të punëmarrësve.
Programet e nxitjes së punësimit do të përfshijnë subvencionimin e punësimit, trajnimin nëpërmjet punës, punësimin e personave me aftësi të kufizuar apo praktikat profesionale për studentët e sapodiplomuar.