Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama pas tryezës së “Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE”, në konferencën e përbashkët me Komisionerin Hahn:

Në radhë të parë dua që, edhe publikisht, t’i uroj Komisionerit mirëseardhjen në vizitën e tij të parë të punës si Komisioner në Shqipëri. Po ashtu, të uroj një rrugëtim të përbashkët të suksesshëm në funksion të ecurisë të Shqipërisë dhe të rajonit në rrugën e integrimit europian.

Thënë kjo, dua t’i shpreh mirënjohjen Komisionerit për angazhimin e drejtpërdrejt personal në vazhdimin e këtij dialogu dhe në shprehjen e një angazhimi të qartë për ta mbështetur fuqimisht Shqipërinë në këtë proces me rëndësi historike për ne.

Sigurisht që, ky ishte edhe rasti i parë që t’i shprehja Komisionerit një vlerësim të sinqertë për vazhdimin e angazhimit të Komisionit Europian për procesin e zgjerimit, në përgjithësi dhe për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe të rajonit, në veçanti. Ky takim ishte faktikisht momenti i konfirmimit të këtij angazhimi të dyanshëm.

Nga ana jonë, ne vumë në dukje rezultatet e reformave shtetndërtuese dhe konfirmuam vullnetin e palëkundur në thellimin e tyre, mbështetur mbi pesë prioritet kyçe të përcaktuara në këtë fazë të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimin Europian, që në vlerësimin tonë janë një instrument i pazëvendësueshëm nxitës.

Dua të nënvizoj edhe angazhimin intensiv të Qeverisë si në reformat e brendshme, por dhe në rolin aktiv për të forcuar përmasën europiane të rajonit, çka ka marrë një dimension të ri falë procesit të çelur në Berlin, me mbledhjen e organizuar nga Kancelarja Merkel, sëbashku me kryeministrat e të gjitha vendeve të Europës Juglindore.

Puna për pesë prioritet është intensifikuar dhe qysh prej takimit të shkuar kemi pasur disa zhvillime me rëndësi si nga pikëpamja legjislative, duke përmirësuar kuadrin rregullator dhe institucional, por edhe për konsolidimin e një bilanci që ka treguar deri më tani të jetë progresiv, me fokus në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

E informuam Komisionerin për pikën në të cilën ndodhet reforma në drejtësi, si një proces i strukturuar dhe gjithëpërfshirës, që qysh sot na jep garancinë e një produkti që do të mbyllë një epokë të gjatë tranzicioni, të karakterizuar nga kalbëzimi sistemik i sistemit të drejtësisë dhe do të vendosë themelet institucionale të një sistemi drejtësie europian të bazuar në një shtet të së drejtës.

I shpreha Komisionerit bindjen time se është procesi më i thellë dhe më gjithëpërfshirës, ku konsumi i energjive të vëna në dispozicion mund të krahasohet vetëm me procesin e shkrimit të Kushtetutës së re të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, ne kërkuam që Komisioni, përmes Komisionerit, të marrë në konsideratë përputhjen e këtij procesi me precedentin pozitiv të Malit të Zi, ku çelja e kapitullit 23 dhe pastaj kapitullit 24 të negociatave, në formën e një procesi të kushtëzuar, solli si rezultat më pas, shkuarjen përpara, me sukses, në procesin e negociatave.

Ne konfirmuam vullnetin tonë për një proces gjithëpërfshirës edhe me opozitën. Edhe sot patëm kënaqësinë që të kemi një mbledhje ku opozita foli më shumë sesa qeveria, çka është në këndvështrimin tonë, shprehje e nevojës tonë për ta dëgjuar sa më shumë opozitën, duke pasur parasysh edhe deficitin e krijuar pas një periudhe të konsiderueshme braktisjeje të të gjitha hapësirave të debatit dhe të dialogut ndërpolitik.

Edhe vendimi i Kuvendit për krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, që me vullnetin tonë të plotë i është besuar ta kryesojë opozita, është provë e angazhimit tonë për të pasur një dialog politik dhe më shumë se e angazhimit, e nevojës tonë për ta pasur opozitën në krah, në kuptimin përballë, por për të ecur krah për krah me opozitën, duke pasur sa më shumë ndërveprim dhe duke krijuar kushtet që ta dëgjojmë sa më shumë opozitën.

Së fundi, dua të theksoj se për ne mbetet, sigurisht e qartë, që nuk jemi në kohën më të mirë politike në Europë, për të folur për zgjerimin, por ama jemi në kohën më delikate në rajon, për të mos e lënë procesin e zgjerimit pa e shtyrë në vazhdimësi dhe me vendosmëri më tutje. E për këtë arsye, ne i shikojmë negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian jo si një tjetër hap në një proces, por si vetë procesin.

Faleminderit Komisioner për vizitën tuaj në Shqipëri dhe për qëndrimin tuaj dyditor këtu. Shpresoj që ky takim që shënoi edhe një moment bilanci për një punë të bërë qysh nga shtatori i shkuar, t’ju ketë bërë më optimistë dhe njëkohësisht, kjo vizitë t’ju ketë dhënë më shumë motive për t’u kthyer së shpejti në Shqipëri.

 

Pyetje – Përgjigjet:

-Zoti Kryeministër, opozita ka prezantuar dje një platformë, ndryshimet e së cilës konsistojnë në ndërhyrje në Kushtetutë. Sa e gatshme është mazhoranca të bëjë ndërhyrje në Kushtetutë lidhur me dekriminalizimin e Parlamentit? Ju faleminderit!

Faleminderit edhe juve, por s’e kam parë çfarë ka paraqitur opozita. Sot pashë opozitën, nesër, me siguri, do të shohim edhe çfarë ka paraqitur opozita dhe do të përgjigjemi kur të kemi një ide se për çfarë bëhet fjalë.

 

-Për zotin Rama, cilat janë ato reforma që, sipas jush, meritojnë më shumë vëmendje? Ju u ndalët pak te drejtësia, por nuk është se ritmet kanë qenë aq të shpejta, me sa kemi parë.

Për të dhënë një përgjigje lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi, unë do t’i referohesha fjalës së Komisionerit që është shumë e rëndësishme cilësia e procesit. Sigurisht, për ne, jo për Bashkimin Europian, por për ne, është e rëndësishme edhe shpejtësia.

Kështu që, ne jemi shumë besimplotë që procesi i reformës në drejtësi është cilësor dhe i shpejtë. Sikundër, jemi besimplotë se në vjeshtë, ne do t’i japim Komisionit në dorë gjithçka të plotësuar, lidhur me të 5 prioritetet, nëse i referohemi detyrave të shkruara. Për këtë, unë i kërkova Komisionerit që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, të mos kemi shtesa kati rrugës, por brenda kornizës së miratuar bashkërisht, Shqipëria të japë rezultatet një më një, sipas detyrave të përcaktuara.

Sigurisht që, edhe unë dua ta besoj fort atë që tha Komisioneri që situata brenda Bashkimit Europian dhe veçanërisht në disa vende që përçohet edhe përmes sondazhit të opinionit, ku ka një masë kritike kundër zgjerimit, të mos jetë pengesë. Sidoqoftë, ajo që mbetet kyç për ne është që, pavarësisht se në çfarë situate gjendet Bashkimi Europian apo sa pjesë e vendimmarrjes do të kushtëzohet ngas situata e sotme në Bashkimin Europian, ne të jemi në proces dhe ne të modernizojmë në çdo hap vendin tonë. Sepse integrimi europian për ne, e kemi thënë që në ditën e parë që jemi ulur në tryezën e Qeverisë, nuk është një udhëtim për në Bruksel, nuk është as të çojmë në Bruksel letra të ligjeve që miratojmë, por është të ndërtojmë Shqipërinë Europiane, këtu. Të ndërtojmë një vend që funksionon njësoj si vendet anëtare të Bashkimit Europian, këtu, në vendin tonë, për njerëzit tanë. Që të bëjmë këtë, na vjen në ndihmë në mënyrë të pazëvendësueshme procesi i integrimit, me të gjithë instrumentet që ky proces i jep në dispozicion vendeve që duan të modernizohen për t’u integruar.

Kështu që, në këtë moment, gjëja që na takon është të bëjmë me konsekuencë zbatimin e projektit tonë të Shqipërisë Europiane dhe të plotësojmë me konsekuencë të gjitha detyrat e lëna nga Komisioni lidhur me 5 prioritetet. Pastaj, sigurisht, pjesa tjetër i takon Komisionit dhe i takon edhe vendeve anëtare, dhe i takon edhe udhëheqjes në vendet anëtare. Dhe mbetet për t’u parë, sa do të vendosë udhëheqja, sa do të vendosin sondazhet.

 

***

Më herët Kryeministri Edi Rama priti në takim Komisionerin e BE-së për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn që ndodhet në Tiranë në kuadër të takimit të radhës së “Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.